Ballina Opinion Fatos Nano dhe fryma e lirisë në një kohë burgimesh

Fatos Nano dhe fryma e lirisë në një kohë burgimesh

77
0

Nga Thoma Gëllçi

Sot u nda nga jeta Fatos Nano — ish-kryeministër dhe një nga figurat më të rëndësishme të viteve të vështira të tranzicionit shqiptar. Me largimin e tij mbyllet një faqe e politikës sonë që për shumë njerëz lidhej me përpjekjen për t’i dhënë vendit një politikë të arsyes, të debatit dhe të qytetarisë, jo thjesht të pushtetit.

Ishte pranvera e vitit 1992, menjëherë pas zgjedhjeve të 22 marsit. Shqipëria po futej në epokën e parë të ndërrimit të pushtetit me votë. Në atë kohë Fatos Nano më thirri në zyrën e tij si kryetar i Partisë Socialiste, që sapo po ngrihej nga rrënojat e Partisë së Punës. Klima ishte e zymtë — entuziazmi i rënies së komunizmit po zëvendësohej nga ndarjet, përjashtimet dhe hakmarrjet. Por Nano fliste ndryshe. Ai kërkonte hapje, reformë dhe kulturë politike.

Më propozoi të merrja drejtimin e “Zërit të Popullit”, një gazetë që duhej të rilindej, pa frymën e vjetër partiake. Ishte një veprim i guximshëm për atë kohë: të vendosje një gazetar të ri, pa përvojë të madhe e pa lidhje me partinë, në krye të organit të saj zyrtar. Aty shihej qartë besimi i Nanos tek e reja dhe tek ndryshimi.

Në ato muaj, Nano solli një frymë që më pas nuk është parë shpesh në politikën shqiptare — frymën e lirisë që buron nga kultura, jo nga pushteti. Ai e donte shtypin si vend debati, jo si megafon partie; dhe opozitën si kontroll demokratik, jo si armik.

Por shumë shpejt gjithçka ndryshoi. Në verën e vitit 1993, Fatos Nano u arrestua me akuza politike. Ishte një akt hakmarrjeje që shënoi një kthesë të errët për vendin. Ai u burgos, por nuk u thye. Nga burgu dërgonte letra plot reflektim, humor dhe këshilla për miqtë e tij në parti. Fillonin me fjalët “I dashur vëlla” dhe mbylleshin me ndonjë batutë të hollë që vetëm ai dinte ta bënte.
Dy ditë pas arrestimit të tij, më morën edhe mua nga zyra e gazetës dhe më dërguan në burgun 313, bashkë me disa funksionarë të tjerë të Partisë Socialiste. Për mua zgjati pak, por për të zgjati vite. Burgosja e tij u bë simbol i mungesës së drejtësisë dhe i politikës së hakmarrjes që mbolli tranzicioni.

Kur doli nga burgu pas gati katër vjetësh, Nano ishte më i pjekur dhe më i qartë në vizionin e tij. Ai e reformoi Partinë Socialiste dhe në vitin 1997 e ktheu sërish në pushtet. Historia i dha të drejtë: nuk kishte qenë armik i shtetit, por një njeri që kishte paguar me lirinë e vet për idenë e lirisë.

Për ata që e njohën nga afër, Fatos Nano do të mbetet njeriu i dialogut, i kulturës dhe i ironisë së zgjuar — asaj që nuk të fyen, por të bën të mendosh. Ai e dinte kufirin e pushtetit dhe besonte se një vend ecën përpara vetëm kur njerëzit mund të flasin lirshëm, edhe për ata që nuk i duan.
Sot, kur emri i tij kalon nga lajmet në histori, ajo që mbetet është fryma që la pas: kujtimi se edhe në kohë burgimesh, mund të ketë liri. Dhe se kjo frymë, më shumë se çdo pushtet, është ajo që i jep kuptim politikës.

Lamtumire i dashur kryetar!