Themeluesi i Partisë Socialiste, Fatos Nano është ndarë nga jeta ditën e sotme. Ish-kryeministri i Shqipërisë, prej kohësh ndodhej në gjendje shumë të rëndë shëndetësore ndërsa ditët e fundit, 73-vjeçarit iu vështirësua frymëmarrja.
Ai ka lënë pas bashkëshorten e tij, Xhoana Nano dhe dy fëmijët, Sokolin dhe Edlirën.
Fatos Nano shërbeu si kryeministër në tranzicionin e fundit të qeverisë komuniste të 91-shit ndërsa mori drejtimin e Partisë Socialiste që në datën e themelimit, të cilën shumë vite më vonë ia dorëzoi Edi Ramës.
Bëri burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe vjedhje, por pas më shumë se tre vite në qeli, ai ia doli. Koha i dha të drejtë për një burgosje politike.
Por Nano, u rikthye fuqishëm duke fituar zgjedhjet përballë kundërshtarit të kohës, Sali Berisha në vitin 1997.
Fatos Nano shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga viti 1991 deri në 1993 dhe nga 1997 deri në 2009.
Ai kreu studimet e ciklit të mesëm në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, duke u bërë më pas student i Fakultetit të Ekonomisë pranë Universitetit të Tiranës.
Një ndër personalitet politike me njohjen më të mirë të shifrave dhe ekonomisë, Nano u specializua në fushën e Ekonomisë Politike.
Ish-kryeministri i Shqipërisë mori titullin “Doktor i Shkencave” në fushën e ekonomisë ndërsa në vitin 2000 titullin “Profesor Doktor” po në të njëjtën fushë.
Po në vitin 2000 në Universitetin Ndërkombëtar të Milanos, Nano fitoi titullin “Doktor Honoris Causa”, në fushën e Ekonomisë dhe Teknikës së Komunikimit dhe po në këtë vit merr titullin e nderit “Doktor Honoris Causa”, në fushën e shkencave ekonomike, nga Universiteti i Barit (Itali).
Kryeministri dhe kryetari i PS-së Edi Rama, është shprehur menjëherë pas lajmit për ndarjen nga jetë të ish-kryeministrit dhe liderit historik të socialistëve shqiptar. “Lamtumirë kryetar!” shkruan Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, duke e ilustruar me një zemer të thyer.
Taulant Balla: Sot e humbëm Kryetarin Nano, Do ta kujtojmë gjithmonë udhëheqësin e parë të Partisë Socialiste Fatos Nano për kontributin vendimtar në 14 vite me radhë kur Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar, çka u skalit si një vijë sjelljeje e palëkundur e partisë sonë, duke e bërë unikale mes partive politike në Shqipëri. Fatos Nano modernizoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë. Faleminderit për mundësinë që më dhe të mësoj shumë prej teje, U prehsh në paqe shef
 
            