Ballina Aktualitet Një vit pas marrëveshjes Itali-Shqipëri/ Vetëm 25 emigrantë në qendrën e Gjadrit,...

Një vit pas marrëveshjes Itali-Shqipëri/ Vetëm 25 emigrantë në qendrën e Gjadrit, Meloni kishte premtuar 30 mijë

86
0

Një vit pas marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e qendrave të pritjes së migrantëve, bilanci është shumë më i ulët se parashikimet. Sipas raportit të fundit të Tavolinës për Migracionin dhe Azilin (TAI) dhe pas një inspektimi të deputetëve të opozitës italiane, në qendrën e Gjaderit ndodhen vetëm 25 migrantë – një shifër shumë larg objektivit prej 35 mijë personash në vit, që ishte shpallur nga qeveria italiane kur u firmos protokolli mes Giorgia Melonit dhe Edi Ramës.

Deputetët italianë Rachele Scarpa, Matteo Orfini (PD) dhe Riccardo Magi (+Europa), të cilët vizituan së fundmi qendrën, e cilësuan projektin si “një dështim të plotë”. “Qendra që duhej të strehonte mbi 30 mijë migrantë në vit, kishte vetëm 25. Ata janë dërguar nga qendrat italiane pa asnjë kriter dhe disa ditë më vonë kthehen sërish në Itali”, tha Orfini, duke shtuar se madje qendrat e brendshme italiane nuk janë as të mbushura.

Që në fillim, marrëveshja Itali–Shqipëri u konsiderua e brishtë dhe është vënë në pikëpyetje nga disa vendime gjyqësore që kanë pezulluar transferimet drejt Gjaderit dhe Shëngjinit. Tentativa për t’i shndërruar këto qendra në struktura të ngjashme me “Cpr-të” (qendrat e qëndrimit të përkohshëm për deportim) nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Në vend të kësaj, janë raportuar struktura bosh, staf i papunë dhe miliona euro të shpenzuara kot.

Orfini ironizoi: “A bëhen procedurat e riatdhesimit më shpejt në Shqipëri? Sigurisht që jo. Përkundrazi, procesi zgjatet, sepse migrantët duhen rikthyer sërish në Itali. Pra, çfarë kuptimi ka kjo? Asnjë.” Ai e quajti projektin “një monument të shtrenjtë dështimi”, ndërsa theksoi se Meloni “nuk mund ta pranojë kolapsin e propagandës së saj, ndaj vazhdon ta mbrojë marrëveshjen me çdo kusht”.

Deputetët opozitarë ngritën shqetësim edhe për kushtet e rënda të migrantëve, mes të cilëve janë shënuar raste të vetëlëndimeve. “Që nga prilli janë regjistruar 95 episode kritike, përfshirë persona që qepin gojën apo gëlltitin tehe rroje,” tha Scarpa.