Ballina Aktualitet Përfundon seanca për Veliajn në Gjykatën Kushtetuese, vendimi pritet brenda afatit ligjor....

Përfundon seanca për Veliajn në Gjykatën Kushtetuese, vendimi pritet brenda afatit ligjor. Kryebashkiaku rikthehet në qeli

81
0

Pas më shumë se shtatë orësh seance, Gjykata Kushtetuese ka përfunduar shqyrtimin e jashtëzakonshëm lidhur me vlefshmërinë e shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, një proces i nisur me vendimin e Këshillit Bashkiak, miratimin e qeverisë dhe më pas me dekretin presidencial.

Gjatë seancës, trupa gjykuese dëgjoi të gjitha palët e ftuara. Përveç Veliajt, i cili ishte prezent së bashku me avokatët e tij, në sallë ishin edhe përfaqësues të kryeministrisë dhe të presidencës, të cilët dhanë pikëpamjet e tyre mbi procedurën e shkarkimit.

Veliaj pati mundësinë të mbajë fjalën e tij, ku kritikoi ashpër mënyrën se si është ndjekur procesi për shkarkimin e tij, duke përmendur edhe paraburgimin që ai ka vuajtur për më shumë se nëntë muaj pa asnjë akuzë. Në përfundim, kryetarja e trupit gjykues, Holta Zaçaj, deklaroi se Gjykata Kushtetuese do të nxjerrë një njoftim dhe vendim për shkarkimin e Veliajt brenda afatit ligjor.