Ballina Dossier Portieri veteran Eqrem Laknori: Para viteve 1990 në Shijak kalendarin sportiv e...

Portieri veteran Eqrem Laknori: Para viteve 1990 në Shijak kalendarin sportiv e mbanin jo vetëm djem e burra, por edhe vajza e gra

182
0

Bulevard news*

Eqrem Laknori gjatë shfletimit të jetës sportive kujton se lojtarët e çdo ekipi njiheshin me emër nga tifozët në të gjithë Shqipërinë, tregues i zhvillimit masiv të sportit në atë kohë.  Portieri i Shijakut me karrierë të gjatë sportive në fushën e blertë dhe më pas trajner tek ekipi i vendlindjes kujton se kombëtarja shqiptare para se të niste takimet ndërkombëtare ballafaqohej me “Erzeni” për të parë gjendjen teknike të ekipit.  Me interes janë dëshmitë dhe pohimet që ai sjell lidhur me shitjet dhe blerjet e ndeshjeve edhe para viteve 1990 në shumë lloje të sportit shqiptar dhe sidomos në futoboll, volejboll, basketboll. “Erzeni” tij e ka pësuar disa herë nga të tilla dallavere që bënin njerëz  të pushtetshëm me gjyqtarët. Në kujtimet e Laknorit janë të freskëta episode të takimeve të rëndësishme, lojtarët e mëdhenj, trajnerë me cilësi të veçanta dhe sportdashës që prisnim me padurim ndeshjet. Shijaku për Laknorin dhe shumë sportistë e komentatorë sportiv të asaj kohe ishte ndër qytetet më të njohura për larminë e sporteve, ndërsa me kalendarë sportiv nuk ishin vetëm të rinj e burra, por edhe vajza, gra, nëna e motra.

Karriera

Karriera sportive e Eqrem Laknorit nis në moshë të hershme. Për 16 vite ka mbrojtur portën e ekipit “Erzeni” të Shijakut në Durrës duke u renditur në mesin e portierëve më të njohur kombëtar, kurse sportit nuk iu nda për 35 vite . Është federuar me ekipin pa mbushur të  17-tat, në vitin 1958 dhe ka lozur në formacionin e parë deri në vitin 1974, për t’u marrë më pas me klasat sportive, nxjerrjen e talenteve të reja dhe ushtrimin e detyrës  së trajnerit. Gjatë kësaj periudhe u shkëput për një vit duke u bërë pjesë e “Partizani”-t në vitin 1964 dhe sapo “Erzeni” kalon në kategorinë e parë rikthet në ekipin e vendlindjes. Analistët e sportit e kanë krahasur Laknorin me emra të mëdhenj të portës si Mikel Janku “Partizani”, Teli Ciko “Lokomotiva”, Paulin Ndoja “Vllaznia”, Koço Dinello “Skënderbeut”. Eqrem Laknori ishte i vemti portier me mustaqe. Duke qenë  admirues i veçantë i portierit të “Fenerbahçe” të Turqisë, Shukri, portieri shijakas vendosi të mbante mustaqe dhe kështu lozi në kampionatin e kategorisë së parë, ku “Erzeni” ishte një nga ekipet pjesmarrëse. Futbollistët e Erzenit kishin shkuar deri atje saqë komentatori sportiv Anton Mazreku të mrekullohet e të rrëmbehet pas lojës së tyre. Laknori mban mend se “Erzeni” rrahu Shkodrën e cila kishte rrahur ekipin malazes dhe Anton Mazreku që në radio komentonte “Shijaku kampion Bote…”.  Tifozëria ka qenë armë e fortë për ekipin. Stadiumi mbushej me djem e vajza dhe këto të fundit mbanin në xhep, si dhe vëllezërit e tyre, kalendarin sportiv për të mos u shpëtuar asnjë ndeshje dhe asnjë rezultat. Tifozëria e meshkujve mbante uniformë dhe me autobus i ndiqte djemtë e Shijakut edhe në Korçë. Në vitet 1958 “Erzeni’ në kategorinë e dytë ishte ekip cilësor, kurse në vitin 1963 edhe pse doli në kategorinë e parë nuk u lejua për arsye se federata e asaj kohe dhe pushteti këmbëngulën të mos lejonin 3 ekipe të Durrësit në kategorinë e parë. “Lokomotiva” dhe Kavaja ishin në kategori të parë, ndaj “Erzeni” u pengua qëllimisht dhe pa asnjë justifikim bindës. Por dy vite më pas, nisur edhe nga kujtimet e Laknorit, shijakasit e arritën ëndërrën dhe ia dolëm të fitonin të drejtën për t’u përballë me ekipet më të mira shqiptare në ligën e parë. Në krye të kategorisë së dytë ishte Fieri  që priste Peqinin. Peqini e rreh brenda në Fier. Shijaku luante në fushën e vet me Krujën dhe fiton 2-0, fitore që e kaloi në kategorinë e parë. Eqrem Laknori edhe sot pas 49 vitesh e mban mend formacionin e “Erzeni”-t: Portier Laknori.  Mbrojtës: Bajram Çyrbja, Nikolla Llambi, Muhamet metalla. Mesfushë: Fundim Zalla, Agim Alia. Sulmues: Naim Lila, Bashkim Seiti, Skënder Guza, Enver Drita, Enver Duka. Skema ishte 3-2-5. Portieri kishte shumë punë pasi mbrohej nga tre lojratë dhe sulmohej nga pesë. Enver Drita dhe Skënder Guza ishin golëshënuesit më të mirë.  Kushtet e fushës nuk ishin të mira pasi përgjithësisht në ato vite fushat ishin me zhavor, ndërsa me vështirësi mundnin ta kalonin kampionatin me një unfirmë e cila ishte e gatuar me material të dobtë. Fushë të mirë kishte Lezha, Lushnja, Berati. Portieri Laknori kujton se lumi Erzen e mbyste në ujë terrenin sportiv dhe se gjërat u zgjidhën në vitin 1964 me daljen në fushë të re. Eqrem Laknori i kushtoi sportit 35 vite si lojtar e trajner. Pasi dorëzoi fanellën e sportistit, në vitin 1974 deri në 1981 qe trajner i ekipit të parë, më pas trajner i të rinjve dhe përsëri me ekipin e parë për ta mbyllur përfundimisht karrierën në vitin 1992.  Duke qenë mësues në disa shkolla si në Rad, Hardhishtë, Sallmone, Shijak, me shumë përkushtim ka punuar tek nxënësit dhe të rinjtë. Ai mban mend se në orën e Edukimit fizik djemtë detyrimisht duhej të ishin me mbathje të zeza dhe kanatiere, kurse vajzat me kilota të zeza dhe bluzë të bardhë. Uniforma për të rinjtë e shkollave në qytet nuk përbënte problem pasi Shijaku ishte qytet liberal, ndërsa dalja në kilota e vajzave në shkollat e fshatit për një kohë paraqiste vështirësitë si pasojë e mentalitetit. Sportisti dhe trajneri Laknori shprehet se sot nxënësit nuk e përdorin unfirmën, nuk njohin rregullat e lojës në volejboll, basketboll, nuk merren me gjimnastikë dhe as me aktivitete jashtëshkollore sportive krahasur me atë periudhë duke ndikuar negativisht në nxjerrjen e talenteve. Eqrem Laknori e ruan edhe sot librezën e federimit të futbollistit, librezë e lëshuar dhe e vulosur nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ajo mban datën 1 shtator 1969 dhe është e firmosur nga kryeinpektori fizkulturës Mustafa Çelkupa. Çdo sportist ishte i detyruar t’ia paraqiste para nisjes së ndeshjes librezën gjyqtarit, ndryshe nuk lejohej që sportisti të futej në fushë, në pallat, në aktivitete. Në atë librezë ka faqe më vete për lëvizjet e futbollistit nëpër ekipe e klube dhe të shënuara të gjitha vizitat mjeksore të bëra. Një faqe më vete në të njëjtën librezë i kushtohej masave disiplinore dhe më pas antarësimi në ekipin kombëtar me datë dhe firmë.

Shijaku në vite…

Pak qytete në mesin e shekullit të kaluar kanë pasur fatin të kenë zhvillimin e sporteve dhe qytetërimin si Shijaku. Paralelisht me krijimin e inteligjencës së arsimuar brenda e jashtë vendi, në Shijak lindën e u zhvilluan disa sporte si basketbolli, volejbolli, futbolli, mundja, boksi, atlektika si për djem edhe për vajza, një pjesë para se vendi të çlirohej. Volejbolli për femra daton në vitin 1947 me kampionat të rregullt dhe qyteti i vogël asokohe nxori emra të mëdhenj si Mereme Shkodra, Xheje Arbana, Shpresa Keta. Ekip volejbolli për djem e vajza në ato vite kishte Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Elbasani, Korça dhe Shijaku, ndërsa ende nuk ishin krijuar ekipe të tilla në Fier, Kavajë, Gjirokastër, Lushnje etj. Për tre vite rradhazi volejbollistët e Shijakut mbajtën vendin e kryesimit të  kampionatit në saj të djemve si: Agron Duka, Indrit Buka, Lulzim Alipe, Artur Gjata… Shijaku kishte terrene të hapura sportive që në vitet 45-50 brenda në qytet, para fushës së futbollit dhe në breg  të Erzenit. Emrat e mëdhenj të sportit shijakas në vite janë : Tofik Jashari, Sulejman Sahiri, Ramazan Muça, Ymer Muça, Qazim Jashari, Ahmet Jashari, Beqir Kau, Ali Kau, Petrit kau, Sulejman Dashi, Maksut Shahini, Ali Marika, Tofik Shkodra, Niko Deda, Ibrahim Llaftiu, Petrit Dërguti, Halil Guza, Skënder Guza, Mustafa Mici, Nazmi Mici, Hysen Varoci, Sulejman Dallaku, Elez Dallaku, Nazmi Ziu … Shijaku kishte shumë fusha futbolli për fëmijë, gjithandej nëpër lagje kishte të tilla dhe kjo ishte shprehje e plotë e masivizimit.Gjithashtu kjo qe dëshmi e interesimit dhe përhapjes që kishin marrë të gjitha sportet. Vet qytetari nxiste aktivitetet, merrte pjesë, stimulonte fëmijët e të rinjtë, ndiqte me orë të tëra përgatitjet e fëmijëve, merrte pjesë masive në spartakiada të ndryshme. Emra të tillë si Bahri Dallaku, Sovjet Kau, Lulzim Kërtusha, Abdulla Dervishi do të nxisnin të rinjtë për të çuar më tej futbollin, volejbollin e sportet e tjera. Emrave e sportistëve me kontribut të veçantë i shoqëronte me epitete. Kështu Sulejman Zahiri nga të gjithë thërritej Shërbeti i Shijakut dhe gjurmët që ai la në sport edhe sot pas gjysmë shekulli mbahen mend shumë mirë. Zahiri qe futbollist e volejbollist që u kthye në simbol për qytetin e Shijakut. Fjala e parë dhe e fundit e shijakasve sa herë që diskutohej për futbollin e volejbollin e viteve 47 e më pas ishte Sulejman Zahiri. Në vitin 1967 Shijaku ngre klasat sportive. Aty u zbuluan elementët e rinj si Xheladin Kaja, Fatbardh Shkodra, Afrim Keçi, Sabri Kalleshi, Fundim Driza, Fiqiri Dervishi, Shkëlqim Murati, brez i viteve 1974. Edhe sportistët Vladimir Kuka, Iliaz Toptaga, Gjergj Goda, Began Kaja, Shkëlqim Bajrami …erdhën që andej. Laknori kujton se përgatitja për ndeshje ishte sakrificë e madhe. Ai mban mend se si Sul Maliqati i mbante nën përgatitje të rreptë fizike e teknike. Sportistët dhe veçanërisht prortierët stërviteshin në gropa rëre, hanin  rërë dhe nuk kishin fuqi të ecnin kur dilnin që andej. Por në mënyrë paralele merreshin edhe me ping-pong, volejboll, basketboll, kërcim së larti e së gjati dhe me të tjera aktivitete në shërbim të gjendjes sportive të portierit. Laknori kujton se nuk i kishte problem topat që i vinin nga afër, ndryshe nga goditjet e ardhura nga distanca. E ndante portën majtas e djathtas dhe kishte sy në penallti duke pritur shumë prej tyre.

Intervista 

Tregues më vete për rezultatet e një portieri janë edhe golat e pësuar dhe goditjet e pritura nga pika 11-metërshit.

Sigurisht që janë tregues si njëra edhe tjetra. Kam arrirë të mos pësoj gol për 720 minuta. Nuk ishin pak, 8 ndeshje pa pësuar as edhe një gol. Shkruajtën gazetat dhe Shijaku përmendej gjithandej. Më kujtohet se pas kësaj periudhe më erdhi një letër nga Poliçani dhe një futbollist më shkruante” Si je?… A të kujtohen 8 ndeshje pa gol? Unë qesh ai që ta hoqa petllën e mendjes”.  Ishte e vërtetë, më bëri golin pas 720 minutave. Një ditë do të ndodhte. Ne i kemi hequr kampionatin “Partizanit”. Mikel Janku e ka mbajtur gjatë në mendje dhe e ka thënë edhe në intervista se si ne e frenuam ekipin e tij për t’u shpallur kampion. Isha dry porte dhe të gjitha ekipet që vinin në Shijak e kishin të vështirë të deklaronin fitoren para takimit. Në Vlorë tifozët thërrisnin “Laknori, Laknori”.  Sportdashësi ishte i kulturuar. Pëlqente lojën e mirë dhe nuk e kishte për gjë të duartrokiste e të thërriste edhe për kundërshtarin. Mosha jonë patëm fatin se kishin trajner të shkëlqyr. Tofik Jashari emrin e të cilit e mban sot stadiumi qytetit të Shijakut dhe trajneri me po aq vlerë e peshë ishte edhe Sul Maliqati. Kombëtarja shqiptare para se të nisje për takime ndërkombëtare ndeshej me “Erzenin” pasi ekipi ynë ishte teknikisht shumë mirë. Stimujt material ishin thuajse të papërfillshëm pasi fitorja në kategorinë e dytë shpërblehej me 40 lekë, kurse barazimi me 20 lekë për vitet 1958-1959.

Ndodh që portieri ndëshkohet edhe nga ndonjë gol të cilin mund ta priste, ose pret gola të pakapshëm.

Kam ngrënë gol kot. Ishte takimi me Gramshin dhe zhvillohej në Shijak. Nga mesi fushës vjen një top dhe përfundon në rrjetë. Fusha ishte për faqe të zezë, me gropa. Ndoqa topin dhe gjendesha një hap lar. E lashë të pupi (të godasë në tokë) dhe që aty mori fallco. U ktheva dhe e pashë që kishte përfunduar në rrjetë. Më afrohet albitri dhe më thotë :”Merre topin dhe vëre në lojë se nuk i kam rënë bilbilit për gol”. Sigurisht m’u morën mendtë, megjithatë nuk e dhashë veten. Pasi gjyqatari përfundoi e pyes “Si i thonë këtij?” dhe fjalën e kisha për golin. Më përgjigjet “Gol!”. Pa përfunduar mirë fjalën ia kthej “Atëherë vëre në qendër të fushës!”. Siç ua kam hequr të tjerëve kënaqësinë për të qenë fitues të kupës, edhe ka ndodhur që të marr ndëshkime të këtij lloji. Nëse ndeshjen nuk e fitonim u iknim rrugicë më rrugicë tifozëve, nuk u dilnim para syve. Prisnim ndeshjen e rradhës të merrnim fitoren për t’u larë borxhin që u kishim.  Ishim lojrat vendës dhe kishim përgjegjësi të madhe para qytetarëve tanë. Takoheshim me tofozët dhe i dëgjonim me shumë vëmendje vërejtjet dhe lëvdatat. Sot futbollisti sapo zëvendësohet, ikën nga stadiumi dhe e mëson nga televizori rezultatin e ndeshjes në të cilën ka lozur për disa minuta, gjatë një pjesë apo më shumë se aq. Atëherë sportistët si të futbollit, të basketbollit, volejbollit etj njiheshin në të gjithë Shqipërinë. Ne udhëtonim me autobus dhe sapo këmba na shkelte në Peshkopi, në Korçë, në Shkodër… dëgjonim tifozët vendës të flisnin me zë të lartë mes tyre duke lexuar formacionin tonë sipas rradhës që zbrisnim nga autobusi. Na njihin të gjithëve, emër për emër. “Zbriti ky, zbriti ai, nuk qenka filan futbollist…”-dëgjoheshin të thonin e të komentonin dhe sigurisht na kapnin emocionet. Nuk ishte pak të na njihte publiku sportdashës kudo që na shkelte këmba. Portën e mbrojta për 16 vite dhe ia lashë më pas portierëve Shkëlqim Berhamit, Adriatik Metalla dhe Ismail Çira. Iu përkushtova profesionit të trajnerit.

Ishte e vështirë në atë periudhë te gjeje elementin e ri në futboll, volejboll, basketboll…meqë ju i jeni përkushtuar jo vetëm futbollit?

Kishte vështirësitë e veta. Pas krijimit të klasave sportive gjërat erdhën e u bënë më të thjeshta. Bashkëpunonim shumë dhe përherë me mësuesit e Edukimit Fizik. Ndiqnin stërvitjet e fëmijëve dhe të të rinjve. Me të shkuar mësues në Shijak në vitin 1972 iu vura punës për të bërë diçka në të mirë të sportit. E nisa me fëmijët. Deri asokohe sterviteshin e laheshin në Erzen, ndërsa unë me autobus i dërgova në plazhin e madh të Durrësit. Atje stërviteshim dhe laheshim. Pastaj programova ekskursione të njëpasnjëshme në faza e periudha të ndryshme për në Dajt. Ishin fillimet dhe rezultatet erdhën. Gjatë viteve 1974 u emërova trajner tek ekipi “Erzenit”. Fillimisht trajner i ekipit të parë deri në vitin 1981 dhe më pas me të rinjtë. Për shkak të rezultateve dhe të zhvillimeve në klub, kalova edhe një herë tek ekipi i parë për ta mbyllur aty karrierën. Ndërtoja një javë stërvitje. Me t’u afruar takimi i rradhës, i programuar në kalendarin sportiv nga Federata e Futbollit Shqiptar, mblidhja djemtë. U kërkoja që të gjithë të shkruanin sipas mendjes së tyre përbërjen e ekipt, 11-lojtarët që do të ndesheshin në takimin e rradhës. Sigurisht u kujtoja të mbështeteshin në rezultatet gjatë javës së stërvitjes. Ndeshja bëhej të diel dhe çdo lojtar sillte përbërjen e formacionit ditën e shtunë, pra një ditë më parë. E diskutonim se cilët ka marrë më shumë pikë dhe kështu bënim formacionin më të pëlqyer për të gjithë. Nuk kishte qejfmbetje. Ishte formë e mirë për të ruajtur kompaktësinë si dhe për të shmangur ndërhyrjet apo edhe hatërllëqet. Sportdashësi donte lojë, gol, teknikë dhe këtë e afronim ne me zgjedhjen më të mirë të mundshme.

Shitja e blerja e ndeshjeve sot përfliten me të madhe, pavarësisht sa qëndron e vërteta në këtë mes. Gjatë kohës që keni qenë sportist dhe trajner ndodhnin tregtime të tilla?

Komiteti Ekzekutiv dhe Komiteti Partisë në atë kohë bënin pazare. Shumë të rinj sot e kanë të vështirë të kuptojnë se sa të fuqishëm kanë qenë këto dy institucione të cilat kishin në dorë punësimin, internimin, dënimin, burgosjen, shkollimin, çdo gjë. Mbaj mend se ekipi “Erzeni” doli nga kategoria e parë. Ishte viti 1966.  Ekipi ynë udhëtoi drejt Lushnjes në një takim shumë të rëndësishëm. Synonim të fitonim, ndërsa barazimin e kishim mëse të sigurtë. Gjendja sportistëve tanë ishte shumë e mirë. Bëmë të gjitha përgatitjet dhe u stërvitëm seriozisht. Përballja qe vendimtare. E mbaj mend shumë mirë se gjyqtar kryesor ishte Aristidh Papadhopulli. Pas ndeshjes mësuam se ai kishte marrë urdhër që me çdo kusht duhej të fitonte Lushnja dhe mënyra se si erdhi loja nuk i mbetej tjetër veçse ta bëntë një gjë të tillë me hile. Koha e rregullt mbaroi pa gola dhe ndeshja u shty minutë pas minute. Tifozët e kuptuan lojën dhe kurthin e ngritur. Stadiumi u bë me ne pasi lozëm mrekullisht. Pastaj e mësuan hilen që ishte bërë. Tifozi ka një nuhatje të veçantë, kot përpiqet ndokush t’ia hedhë. E ka të pamundur. Edhe ne u bindëm se kishte një skenar pazari. Sinjali për një shitje e blerje të ndeshjes na kishte ardhur. Trajneri na porositi të bënim maksimumin, duke na kujtuar se ishte ballafaqim final dhe se Shijaku na priste i gjithi jashtë, në rrugë dhe në festë.  Gjyqtari e shty 9 minuta takimin dhe në kohën kur e pa se rezultati nuk po ndryshonte dha penallti. Lushnja fitoi. Megjithatë i duhej edhe një ballafaqim tjetër dhe këtë herë me ekipin “Dinamo” në Tiranë, në fushën kryeqytetase.  Dinamo ishte ekip shumë cilësor dhe çdo gjë bëhej e pamundur për Lushnjen. Por ndodhi ndryshe. ndodhi si me Shijakun. Ekipi “Dinamos” ia la takimin Lushnjes me rezultatin 0-1.

Mblodhi dhe publikoi Eqrem Laknori për Shijakun:

Përmendet në lashtësi si prapatoka e Durrësit.

Në vitin 1431 përmendet në regjistrin kadastral turk.

Bajram Curri “Shijaku mund të quhet ndryshe- Malësia e Madhe e Shqipnisë së mesme”.

Fotograf Marubi “Shijakun mund ta quaj qytet të bukur provincial perëndimor”.

Më 1880 Shijaku shpallet Kaza, nënprefekturë me 68 fshatra.

Piktorin e madh Eduart Lir i shekullit 19  e zu nata në një han pranë Shijakut dhe shkruan “Kalova një natë të paharruar, me njerëz bujarë e mikëpritës, që këndonin aq bukur këngë të zonës”.

Më 1930 një inxhinier gjerman që vizitoi Shijakun shkruan në një gazetë berlineze “Kalova çaste të paharruara në qytetin piktoresk e të bukur shijaksburg në rrjedhën e lumit Erzenhausen”.

Eqrem Laknori

Lindur në Shijak më 1941

Studimet e mesme në shkollën pedagogjike Elbasan

Studimet e larta në filialin e Durrësit, Fakulteti Histori-Gjeografi

Mësues në Radë komuna Maminas, Shijak, Hardhishtë, Sallmone, “16 shtatori” e më pas “M. Dollaku” Shijak për periudhën 1958-1992

Medalja “Naim Frashëri” në Edukimin Fizik

Përgjegjës dhe drejtues i dhjetra aktivitete

*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!