Ballina Europë Princi Andrew pa tituj e pa shtëpi, “internohet” në fshatin mbretëror

Princi Andrew pa tituj e pa shtëpi, “internohet” në fshatin mbretëror

128
0

Kjo është vetëm një nga masat drastike që mori mbreti Charles III mbrëmjen e kaluar, me një veprim të papritur, për të ndalur rënien e imazhit të familjes mbretërore, që po shkaktonte rasti “Andrew”.

Një lloj internimi, në plazhet me erë të Norfolkut. I zhveshur nga çdo titull. Ky është fati që e pret princin Andrew, djalin e mbretëreshës Elizabeth II dhe vëllanë e mbretit Charles, i cili ka tashmë ka një papëlqyeshmëri të madhe publike, pas botimit të biografisë së Virxhina Giuffre, që ka vënë në rrezik edhe vetë stabilitetin e monarkisë.

Kjo është vetëm një nga masat drastike që mori mbreti Charles III mbrëmjen e kaluar, me një veprim të papritur, për të ndalur rënien e imazhit të familjes mbretërore, që po shkaktonte rasti “Andrew”.

Siç ishte parashikuar ditë më parë, që kur Princi Andrew kishte hequr dorë nga përdorimi i titujve të tij, ai nuk do të banojë më në Royal Lodge, rezidencën pranë kështjellës Windsor, por do të transferohet në një shtëpi të familjes mbretërore pranë Sandringham, me shumë mundësi Wood Farm.

Kjo do të thotë se Andrew, jo vetëm do të humbasë rezidencën luksoze pranë “zyrës” së re të Princit të Uellsit dhe familjes së tij, por nuk do të ketë të drejtë të zgjedhë asnjë prej shtëpive të tjera të boshatisura në parkun e Windsor, si Frogmore Cottage apo Adelaide Cottage.

Në vend të kësaj, ai do të duhet të jetojë rreth tre orë larg Londrës, në një shtëpi të izoluar në fshatrat e Norfolkut – një lloj “internimi i artë”, por larg zemrës së monarkisë britanike.

Mbreti Charles njoftoi zyrtarisht se ka “nisur procesin formal për heqjen e stileve, titujve dhe nderimeve të princit Andrew”, i cili tashmë “do të njihet si Andrew Mountbatten Windsor”.

Që nga viti 1917, kur mbreti George V vendosi që fëmijët e një monarku të mbanin titullin “princ”, ky rregull është thyer vetëm një herë, në vitin 1919, ndaj Augustus-it, Dukës së Cumberland-it, i cili u privua nga titulli, për shkak të simpatisë gjermane, gjatë Luftës së Parë Botërore.

Një veprim jashtëzakonisht i rrallë dhe i rëndë për familjen mbretërore. Vendimi i Charles-it u shoqërua edhe me një deklaratë nga Buckingham Palace. “Mbreti dhe familja mbretërore do të jenë gjithmonë në krah të viktimave të çdo forme abuzimi”. Një shkëputje totale nga Andrew.

Në kohën e mbretërimit të Elizabeth II, ndërhyrjet kishin qenë gjithmonë në drejtim të kundërt, për të zgjeruar përdorimin e titujve mbretërorë. Në vitin 2012, Elizabeth II vendosi që të gjithë fëmijët e princit William të mbanin titullin “Royal Highness” dhe të quheshin princër e princesha, jo vetëm djali i madh George.

Njësoj, në vitin 1948, ajo vendosi që djali i saj Charles të merrte menjëherë titullin “princ”, pa pritur vite, siç kërkonte rregulli i George V.

Prandaj, vendimi aktual i Charles-it është diçka që as ai vetë, me shumë gjasë, nuk e kishte menduar ndonjëherë se do ta ndërmerrte. Por zhvillimet e ditëve të fundit e kanë bërë vendimin të pashmangshëm.

Heqja e titujve është e plotë. Andrew nuk do të mund të përdorë as urdhrin e Gjarpërit (Order of the Garter), as Royal Victorian Order, apo ndonjë tjetër nderim zyrtar.

Sa i përket mbiemrit “Mountbatten-Windsor”, me të cilin do të njihet nga tani e tutje, edhe ky ka pasur një histori të gjatë debatesh në familjen mbretërore, që nga martesa e Elizabeth me princin Philip më 1947.

Philip dhe xhaxhai i tij, Lord Mountbatten, kishin dëshiruar që familja mbretërore të mbante mbiemrin Mountbatten, por kryeministri Churchill dhe mbretëresha e kundërshtuan me forcë.

Kështu, në vitin 1952, Elizabeth shpalli zyrtarisht se ajo dhe pasardhësit e saj do të njiheshin me emrin Windsor.

Vetëm vite më vonë, pasi kishin ndërruar jetë Churchill dhe Mbretëresha Mary, Elizabeth pranoi një kompromis, duke bashkuar të dy mbiemrat, Mountbatten-Windsor, që mbartin sot edhe pasardhësit e saj.

Kështu quhen edhe fëmijët e princit Harry dhe Meghan Markle, Archie dhe Lilibet Diana, të cilët morën statusin e princërve pas ngjitjes në fron të mbretit Charles në vitin 2023.