Një gjykatë në Kiev shqiptoi masën e arrestit shtëpiak për 60 ditë ndaj ish-kryetarit të Odesës, Hennadiy Trukhanov, i akuzuar për neglizhencë zyrtare, disa javë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ia hoqi shtetësinë ukrainase.
Gjykata e Qarkut Peçersk në Kiev e vendosi këtë masë më 31 tetor, duke pranuar kërkesën e prokurorisë, pasi Trukhanov dyshohet për keqmenaxhim gjatë përmbytjeve në Odesë, kur vdiqën disa persona. Ish-deputet i Parlamentit të Ukrainës dhe kryetar i qytetit në Detin e Zi që nga viti 2014, Trukhanov ishte njoftuar disa ditë më parë se dyshohej për moskryerje siç duhet të detyrave zyrtare.
Duke folur përmes video-lidhjes gjatë seancës gjyqësore, Trukhanov e quajti akuzën ndaj tij një “shpërqendrim të planifikuar politik” dhe pretendoi se nuk kishte bërë asgjë gabim.
Sipas hetimit, ish-kryetari dështoi të siguronte funksionimin e duhur të sistemit të kullimit të qytetit dhe të informonte banorët për rrezikun e një emergjence më 30 shtator, ditën kur përmbytjet vdekjeprurëse goditën qytetin-port të Odesës.
“Si pasojë e përmbytjeve në një pjesë të qytetit, të shkaktuara nga dështimi i sistemit të kanalizimeve për të përthithur ujin nga rrugët, vdiqën nëntë persona, përfshirë një fëmijë i moshës 9-vjeçare”, tha prokuroria më 29 tetor.
Trukhanov deklaroi se vendimi i autoriteteve për ta trajtuar atë si të dyshuar, ishte “befasi” për të, megjithëse pranoi se problemi me sistemin e kullimit të ujit në Odesë ishte “katastrofik”.
“Zgjidhja e këtij problemi kërkon miliarda investime dhe mbështetje nga Qeveria. Vetëm qyteti asnjëherë nuk mund ta menaxhojë zgjidhjen e këtij problemi”, shtoi ai.
Menjëherë pas tragjedisë më 30 shtator, Trukhanov deklaroi se në qytet kishte pasur reshje shiu brenda shtatë orësh sa gati për dy muaj.
“Asnjë sistem kanalizimi nuk mund të përballojë një ngarkesë të tillë”, shkroi ai në Telegram.
Dy javë pas përmbytjeve në Odesë, Zelensky njoftoi se po ia revokonte shtetësinë ukrainase Trukhanovit, duke u bazuar në raporte të agjencisë kryesore të sigurisë të shtetit që tregonin se ai posedonte pasaportë ruse. Trukhanov ka premtuar se do të ngrehë padi me qëllim që të rimarrë shtetësinë ukrainase.
Që një kohë të gjatë, Trukhanov është përballur me akuza se ka shtetësi ruse, që është e paligjshme sipas ligjeve në Ukrainë.
Më herët, disa banorë të Odesës iniciuan një peticion për t’i hequr shtetësinë ukrainase, duke pretenduar se ai po ashtu paguante taksa në Rusi. Megjithatë, jo të gjithë ishin të bindur, duke argumentuar se Trukhanov ishte zgjedhur në mënyrë të drejtë dhe se, me luftën që vazhdon kundër forcave ruse, ka çështje më urgjente për t’u trajtuar./REL







