Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me dorëzimin e Projektligjit për buxhetin e vitit 2026 nga Qeveria në detyrë, duke e cilësuar këtë veprim si kundërligjor dhe shkelje të hapur të ligjit dhe Kushtetutës.
Sipas Hotit, dorëzimi i projektbuxhetit te deputetët nga Kryetari i Kuvendit përbën tejkalim të kompetencave ligjore të Qeverisë në detyrë. Ai kujton se në të kaluarën, projektbuxheti është dorëzuar në Kuvend vetëm nga Qeveria e zgjedhur nga Kuvendi, dhe jo nga ajo në detyrë.
“Nuk e kuptoj se çfarë duhet të ndodhë tjetër që të shohim veprime institucionale, të bazuara në ligj, të organeve të sundimit të ligjit për të parandaluar këto shkelje ligjore dhe abuzime me resurset publike”, ka thënë Hoti.
Ai ka kritikuar edhe mosveprimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke thënë se nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të ndaluar funksionimin jo kushtetues të Qeverisë në detyrë.
Hoti ka shtuar se si Osmani, ashtu edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, sipas tij, fokusohen më shumë te ruajtja e pushtetit sesa te interesat e qytetarëve.
Deputeti i LDK-së i ka cilësuar liderët aktualë si “mashtrues që mbijetojnë vetëm në situata krize dhe nuk e pranojnë normalitetin politik”.







