Bursa Mesdhetare e Turizmit Arkeologjik ka nisur në Paestum të Italisë dhe pjesë e saj është bërë dhe vendi ynë i vogël Shqipëria.
Kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare që ndërthur arkeologjinë, turizmin dhe teknologjinë moderne dhe ku për herë të parë merr pjesë edhe Shqipëria, përmes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve dhe në partneritet me Agenzia Italiana per la Cooperazione allo Sviluppo (AICS) Tirana.
Në këtë edicion të 27-të të këtij aktiviteti, Shqipëria prezanton projektin e Parkut Arkeologjik Kombëtar të Bylisit që është një prej monumenteve më të rëndëishëm që ka Shqipëria, një gur i çmuar që vizitohet nga mijëra turistë çdo vit.
BMTA është i vetmi event në botë që i kushtohet posaçërisht turizmit arkeologjik, ku takohen ekspertë, institucione, operatorë turistikë dhe kompani për të ndarë ide, projekte e bashkëpunime të reja, si dhe mundësi biznesi për operatorët.
Veprimtaria ka si promovues rajonin e Campania-s dhe parqet arkeologjike të Paestum dhe Velia por “binjakëzimi” i saj me Bylisin vetëm se është një lajm i mirë për Shqipërinë.
Qëllimi i aktivitetit është të përmirësojë parqet arkeologjike dhe muzetë, të promovojë destinacionet turistike arkeologjike, të inkurajojë marketingun, të kontribuojë në zgjatjen e sezoneve dhe të rrisë mundësitë ekonomike dhe efektet e punësimit.
Një vëmendje e rëndësishme i kushtohet përdorimit të teknologjive inovative për përvojë më gjithëpërfshirëse në arkeologji dhe muzeologji. Me programin ArcheoVirtual, Bursa Mesdhetare e Turizmit Arkeologjik do të prezantojë edhe ekspozita multimediale dhe zgjidhje digjitale që transformojnë mënyrën se si përjetojmë trashëgiminë.







