Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses një tjetër operacion kundër lojërave të fatit të paligjshme, duke arrestuar tre shtetas dhe duke proceduar penalisht një tjetër, të kapur në flagrancë duke vendosur baste sportive përmes celularëve në një lokal në lagjen nr. 13 të qytetit.
Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se në ambientet e lokalit zhvillohej aktivitet i paligjshëm i lojërave të fatit. Si rezultat, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, ndërhynë dhe konstatuan aktivitetin në flagrancë.
Informacioni policisë:
Vinin baste sportive, me celularë, në një lokal në lagjen nr. 13, vihen në pranga 3 shtetas (2 prej tyre, vëllezër) dhe procedohet penalisht një shtetas tjetër.
Sekuestrohen 4 celularët e tyre.
Si rezultat i kontrollit të kryer në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në një lokal në lagjen nr. 13, organizoheshin lojëra fati, në kundërshtim me ligjin, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës:
-arrestuan shtetasin E. M., 41 vjeç;
-arrestuan shtetasit E. D., 37 vjeç dhe D. D., 42 vjeç, vëllezër;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. P., 39 vjeç.
Të katër shtetasit, banues në Durrës, u kapën në flagrancë në ambientet e lokalit, duke vënë baste sportive nëpërmjet llogarive që kishin aktive në celularët e tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.







