Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak arrestuan në flagrancë shtetasin F. K., 49 vjeç, banues në Shijak, pasi në Qendrën Shëndetësore Shijak, në godinën e Radiologjisë, ka goditur me grusht, mjekun A. D., 34 vjeç.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasit I. V., 40 vjeç, dhe B. X., 52 vjeç, banues në Gos, si dhe referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për një të mitur 13-vjeçar, pasi:
shtetasi I. V., në bashkëpunim me të miturin në orët e para të mëngjesit, kanë vjedhur sende të ndryshme në dyqanin në pronësi të shtetasit B. X., i cili, pasi ka identifikuar autorët në kamerat e sigurisë, ka mbajtur të miturin në dyqan, pa dëshirën e tij.
Arrestimi i tyre u bë për veprat penale “Vjedhja e kryer në bashkëpunim” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 29 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
E. M., 18 vjeç, dhe E. N., 20 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të automjetit me të cilin lëviznin, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike, e llojit cannabis sativa.
Gjatë kontrollit të shtetasit E. N., në celularin e tij u konstatua gjithashtu një faqe aktive për baste sportive.
Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi A. D., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike, e llojit cannabis sativa.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit:
O. M., 30 vjeçe, banuese në Durrës, për veprën penale “Dëmtim prone”;
F. L., 56 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka mashtruar dhe ka kanosur shtetasin I. A., 59 vjeç, të cilit nuk i ka shlyer një shumë parash për punimet që ky i fundit ka kryer në banesën e tij.
Materialet procedurale për të gjitha rastet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.







