Fatos Nano, ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Socialiste, është ndarë nga jeta këtë të premte në moshën 73-vjeçare. Me vdekjen e tij mbyllet një kapitull i rëndësishëm i historisë së Shqipërisë pluraliste.
Nano u nda nga jeta pas problemeve shëndetësore në mushkëri, duke lënë pas familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e shumtë. Bashkëshortja e tij e parë, Rexhina Nano, e cila i qëndroi pranë për dekada dhe gjatë periudhës së burgosjes në vitet ’90, raportohet se ishte pranë tij deri në ditët e fundit.
Luan Rama, shkrimtari shqiptar në Francë, shprehu ngushëllimet e tij duke kujtuar përkushtimin e Rexhinës ndaj Fatosit “nga koha e burgut deri në frymën e fundit”.
“Ngushëllime Rexhinës që nuk iu nda që nga burgosja e tij në vitet e para të tranzicionit e deri në ditët e fundit të jetës së tij. Ngushëllime gjithë familjes”, shkruan ai.
Nano kishte jetuar prej vitesh mes Austrisë dhe Shqipërisë me bashkëshorten e tij të dytë, Xhoana Nano. Ai mbetet një figurë kyçe në historinë politike të vendit, si themelues dhe “arkitekt” i Partisë Socialiste moderne.







