Politikanë dhe personazhe publike me ndikim në Kosovë, kanë ndarë mesazhe ngushëllimi për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e Fatos Nanos, pas ikjes së tij pakthim nga kjo botë. Ish-kryeministri dhe lideri historik i PS mbylli sytë në moshën 73 vjeçare.
Analisti Milaim Zeka ka shkruar një mesazh të ndjerë për Nanon, duke treguar se ai ka qenë një ndër njerëzit që ka bërë shumë për lirinë e Kosovës dhe djemtë e Ushtrisë Çlirimtare.
“Ne arkivat e lirise te Kosoves, do kujtohesh si ura e çelikut qe lidhe UÇK-ne me CIA-n amerikane, si dhe me te gjitha zyrat diplomatike te botes. Ti e binde perendimin se UÇK-ja ishte ADN-ja e vlerave universale te kesaj pjese te rruzullit tokesor. Pushofsh ne Parajsen e asaje bote. Faleminderit per çdo gje qe ke bere per Kosoven! Faleminderit qe i mbeshtete djemte e lirise”, shkruan ai ndër të tjera.
Të shumta janë dhe reagimet nga klasa politike në Kosovë, të cilat po i sjellim më poshtë:
Ramush Haradinaj
“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, z. Fatos Nano. Në emrin tim dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nano, të afërmve, kryeministrit Edi Rama, Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve.
Mirënjohje për rolin e tij udhëheqës dhe vizionar. Kontribues kyç i çështjes shqiptare në kohëra krize brenda dhe jashtë kufinjve të Shqipërisë. U prehtë në paqe!”
Fatmir Limaj
“Lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të Kryeministrit Fatos Nano! Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kryeministrit Fatos Nano, ikonë e politikës shqiptare që shërbeu me përkushtim demokracisë dhe mirëqenies së shqiptarëve në tërësi.
Pa kontributin e Kryeministrit Nano, as Shqipëria dhe as pozita e shqiptarëve në Kosovë e në rajon nuk do të ishin ato që janë sot. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen e tij, të afërmit dhe mbarë politikën shqiptare. Familja humbi njeriun e zemrës, ndërsa Shqipëria humbi një burrë shtetas. Lamtumirë, Kryeministër!”
Albin Kurti
“Kur e mora lajmin për vdekjen e Fatos Nanos, më erdhën në mendje kujtime nga dy takimet që dikur i kam patur me të. Herën e parë në fillim të vitit 2002, disa muaj pasi kisha dalë nga burgu në Serbi, ku isha mbajtur si rob lufte bashkë me mbi 2000 shqiptarë të tjerë. Kjo përvojë e imja, u kthye natyrshëm në temë të bisedës sime me Nanon në atë takim tonin njohës.
Fatos Nanon e kam takuar për herë të dytë kur ishte zgjedhur Kryeministër i Shqipërisë, me ç’rast ai më priti bashkë me Adem Demaçin dhe Arbën Xhaferin. Nga atëherë, më kanë ngelur të pashqitshme nga kujtesa bisedat e tij plot pasion për politikën me Bacin Adem, simbolin e rezistencës sonë dhe me Arbën Xhaferin, liderin politik aq origjinal.
Në historinë politike të Shqipërisë së periudhës së tranzicionit nga sistemi monist dhe regjimi komunist tek ai demokratik liberal dhe pluralist, emri i politikanit Fatos Nano ishte një figurë qendrore. Ai shërbeu tre herë si Kryeministër i Shqipërisë: nga 22 shkurti deri më 4 qershor 1991, kur Shqipëria ishte në kapërcyell nga komunizmi në demokraci; pastaj nga 25 korriku i vitit 1997 deri më 27 shtator të vitit 1998, kur Shqipëria u përfshi nga trazirat kurse Kosova nga lufta; për herë të tretë dhe më së gjati, Nano shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë për tri vite, mes 29 shtatorit 2002 dhe 1 shtatorit 2005, kur Shqipëria po përballej me sfidat e ngritjes nga pasojat e regjimit të gjatë komunist dhe nga trazirat.
Në biografinë e tij politike, Fatos Nano ka një kapitull të rëndësishëm për rolin e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë vitit të parë të luftës nga dalja publike e UÇK-së deri te ofensiva e verës së vitit 1998, kur terreni shqiptar ishte arenë e lirë e organizimit të UÇK-së. Historia moderne e shtetit shqiptar dhe historia politike e Shqipërisë dhe e Kosovës, do ta kenë të dendur emrin e tij mes emrave të politikanëve shqiptarë të viteve ’90 dhe fillimshekullit XXI.
Ngushëllime familjes Nano, bashkëpunëtorëve dhe bashkëpartiakëve të Fatos Nanos, si dhe miqve e të afërmve të tij. U kujtoftë mes kryeministrave të Shqipërisë, për rolin e tij historik!”
Presidenca e Republikës së Kosovës
“Presidentja Vjosa Osmani i shprehë ngushëllime familjes dhe bashkëpunëtorëve për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano Ai ishte një prej figurave të tranzicionit demokratik në Shqipëri dhe luajti rol në transformimin politik pas viteve ’90.
Si themelues dhe udhëheqës i Partisë Socialiste, Fatos Nano pati rol transformues në drejtimin e saj, duke e shndërruar në një forcë moderne, evropiane dhe të përkushtuar ndaj dialogut politik. Përmes vizionit të tij, ai kontribuoi në ndërtimin e një kulture më paqësore dhe më bashkëpunuese në jetën politike shqiptare.
Në këtë ditë të dhimbjes, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Nano, të afërmit, Partinë Socialiste dhe bashkëpunëtorët.”







