Ballina Kronika Mashtronin qytetarët përmes faqeve të rreme të Postës Shqiptare, arrestohen dy kinezët...

Mashtronin qytetarët përmes faqeve të rreme të Postës Shqiptare, arrestohen dy kinezët në Tiranë

102
0

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Posta e Rreme”, i cili kishte në fokus goditjen e një grupi të huaj që mashtronte qytetarët shqiptarë përmes faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare.

Si rezultat i hetimeve të thelluara të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, në bashkëpunim me Drejtorinë Operacionale të Policisë së Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u arrestuan dy shtetas kinezë: C. F., 51 vjeç, dhe H. Y., 45 vjeç.

Hetimet kanë zbuluar se të arrestuarit kishin hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më 27 tetor 2025, duke krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, përmes së cilës mashtronin qytetarët dhe përfitonin të dhëna personale e bankare.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet ku qëndronin, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale:

  • 17 telefona celularë,
  • 1 laptop,
  • 12 pasaporta,
  • 11 karta bankare,
  • 7 karta identiteti,
  • 1 patentë,
  • si dhe shuma parash në valuta të ndryshme.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal dhe për identifikimin e mundshëm të bashkëpunëtorëve të tjerë. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.

Apeli i Policisë së Shtetit

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal ndaj çdo mesazhi apo faqeje që kërkon të dhëna personale ose bankare.
Rekomandohet që qytetarët:

-Të mos klikojnë në lidhje (linke) të dyshimta të dërguara përmes email-it, SMS-ve apo rrjeteve sociale;
-Të mos japin asnjëherë të dhëna personale, numra kartash, PIN ose fjalëkalime në faqe që nuk janë zyrtare;
-Të verifikojnë gjithmonë adresën e saktë të faqes përpara se të kryejnë veprime online;
-Dhe në rast dyshimi, të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.