Në prag të kësaj fundjave, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Sotir Koleka” në kryeqytet u promovua libri më i ri me titull “Mos i lejo ATA”, me autore gazetaren dhe moderatoren, Çenkuela Hasa.
Ceremonia e promovimit u zhvillua në prani të kolegëve, miqve dhe të ftuarve të veçantë, duke sjellë një atmosferë të ngrohtë dhe reflektuese mbi përmbajtjen e librit që flet për forcën e brendshme, vetëbesimin dhe procesin e rigjetjes së vetvetes.
Ky libër, siç u theksua gjatë promovimit, është një udhëtim emocional për çdo njeri që ka ndier peshën e “Ata-ve”, zërave të jashtëm apo të brendshëm që ndalojnë njeriun të jetë vetvetja.
“Mos i lejo ATA” shpalos një proces katarsisi shpirtëror, një thirrje për të lënë pas gjykimet, për të falur dhe për t’u rilindur. Në qendër të rrëfimit qëndron gruaja e fortë e ndjeshme, që balancon karrierën me mëmësinë, botën e jashtme me atë të brendshme, dashurinë me vetëpërmbushjen.
Gjatë ceremonisë, gazetari dhe analisti Aleksandër Çipa, si dhe pedagogia dhe publicistja Nora Malaj, vlerësuan autoren për stilin e saj të veçantë dhe për mesazhin e fuqishëm që përcjell libri, duke e inkurajuar atë të vazhdojë rrugëtimin e saj letrar me botime të tjera në të ardhmen.
Në fjalën e saj plot emocione, Çenkuela Hasa ndau me të pranishmit arsyen pse ky libër ka një domethënie të veçantë për të:
“Mos i lejo ATA” vjen si një reflektim i sinqertë për të gjithë ata që kërkojnë të gjejnë paqen përmes vetes, duke u çliruar nga kufizimet e vendosura prej të tjerëve dhe ndoshta, më së shumti, prej vetes.







