Deklaratat e Kryeministrit Edi Rama se ministrja virtuale Diella është shtazënë dhe pret 83 fëmijë janë bërë objekt tallje në zyrat e Komisionit Europian në Bruksel. Gjatë një konference shtypi, gazetarët dhe zëdhënësi i Komisionit Europian shkëmbyen batuta tallëse dhe ironike mbi emërimin nga Edi Rama të një ministrje nga Inteligjenca Artificiale. Ky komunikim tallës në Bruksel erdhi pak ditë pasi Rama, shpalli planet e tij për kthimin e Kuvendit në një parlament virtual, ku punën e deputetëve të zgjedhur nga qytetarët, do e bëjnë fëmijët e Diellës që sipas tij, do të lindin shpejt.
Emërimi nga Edi Rama i një ministrje virtuale si Diella, është bërë objekt tallje në zyrat e Komisionit Europian në Bruksel. Gjatë një konference shtypi të mbajtur 2 ditë më parë gazetari i Euronews, Sandor Ziros ka pyetur me ironi dhe tone tallëse Olof Gill, një nga zëdhënësat e Komisionit Europian, nëse Brukseli është në dijeni se Shqipëria ka një ministre virtuale dhe ajo është shtatzënë. Përgjigja e zyrtarit të komisionit ishte po ashtu ironike teksa i uroi Diellës së Ramës urimet e tij për shtatzaninë virtual.
Gazetari: A është komisioni në dijeni apo a është komisioni i shqetësuar për faktin se në Shqipëri, një vend kandidat, një ministër është zëvendësuar me një ministër nga Inteligjenca Artificiale dhe ky ministër tashmë është tani shtatzënë.
Zëdhënësi: Prit, po thoni që ministri nga Inteligjenca Artificiale është shtatzënë?
Gazetari: Mesa duket po
Zëdhënësi: Në rregull, së pari më lejoni ti ofroj ministres urimet tona për këtë lajm të lumtur. Nuk jam i sigurt nëse kemi diçka tjetër për të thënë rreth kësaj çëshje, nuk mendoj se kemi.
Ky komunikim tallës në Bruksel erdhi pak ditë pasi shefi i qeverisë, shpalli planet e tij për të përqëndruar në një dorë të vetme jo vetëm tenderat dhe prokurimet publike, por edhe kthimin e Kuvendit në një parlament virtual, ku punën e deputetëve të zgjedhur nga qytetarët, do e bëjnë fëmijët e Diellës që sipas Ramës, presin të lindin shpejt.
“Diella është shtatzënë dhe pret 83 fëmijë, secili që do të jetë për çdo anëtar të parlamentit tonë dhe që do të shërbejë si asistentë për ta, që do të marrin pjesë në seancat parlamentare dhe do të mbajnë shënim për gjithçka që ndodh dhe që do t’i informojnë e sugjerojnë anëtarët e parlamentit lidhur me reagimet e tyre. Këta fëmijë do të kenë dijen e nënës së tyre sa i takon legjislacionit të BE-së” – tha Rama.
Deklaratat e Ramës u bënë më 25 tetor gjatë një tryeze të organizuar në kuadër të Dialogut Global në Berlin. Përtej tentativave të Ramës që të përqëndrojë në dorë të gjitha pushtetet duke përdorur inteligjencën artificiale, shtypi europian ka arritur të dëshifrojë edhe faktin se Edi Rama po e përdor këtë cështje për qëllime të pastra propagandistike dhe kjo është arsyeja që deklaratat e Kryeministrit janë bërë objekt tallje prej tyre./Syri







