Ballina Kronika Pengmarrja e 32-vjeçarit në Devoll i “ha” kokën drejtorit të Policisë së...

Pengmarrja e 32-vjeçarit në Devoll i “ha” kokën drejtorit të Policisë së Korçës. Shkarkohet Erion Ahmeti, pezullohet zëvendësi i tij Hajri Kushe

124
0

Policia e Shtetit ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Erion Ahmeti, pas ngjarjes së ndodhur në Devoll, ku një 32-vjeçar u mor me forcë nga banesa, për motive të dobëta dhe u mbajt për disa orë. Për këtë ngjarje u arrestuan Marsel Buci, Trajan Çeliku dhe Alti Nallbati. Ky i fundit është vëllai i deputetit të PD, Bledion Nallbati.

Në njotimin për shtyp, policia njofton se pas një analize të kryer në lidhje me veprimet dhe menaxhimin e situatës, rezultoi se zinxhiri drejtues i DVP Korçë nuk ka përmbushur detyrimet ligjore dhe nuk ka menaxhuar siç duhet situatën, duke sjellë pasoja në imazhin e Policisë në komunitet.

Për sa më sipër, policia e shtetit ka vendosur shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Erion Ahmeti dhe pezullimin nga detyra të Zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Drejtues Hajri Kushe, deri në përfundimin e hetimit disiplinor.

“Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, bazuar në nenin 121 të Ligjit për Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për gjithë zinxhirin drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Komisariatit të Policisë Devoll, për mospërmbushje të detyrave të cilat  kanë sjellë pasoja të rënda.

Po me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, deri në përfundim të konkursit për Drejtor Vendor, është caktuar përkohësisht në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Islor Islami, i cili deri sot mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se analizon me përgjegjësi çdo rast të mosveprimit profesional dhe në përputhje me ligjin nga punonjësit e saj, duke marrë masa ndëshkimore bazuar në Ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe në Rregulloren e Policisë, thuhet në njoftimin e policisë.