Aktivistët janë mbledhur në Sheshin Skënderbej dhe do të marshojnë drejt Kryeministrisë dhe Ambasadës italiane dhe asaj të BE-së. Më pas ata do të udhëtojnë drejt kampit të Gjadrit ku do të vijojnë protestën.
Aktivistët dhe qytetarët shihen me pankarta në duar dhe brohorasin “Marreveshje ilegale”.
Në vitin 2023, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama arritën një marrëveshje për ndërtimin e këtyre qendrave, me qëllim që Italia të menaxhojë fluksin e emigrantëve jashtë territorit të saj, duke shfrytëzuar Shqipërinë si një qendër pritjeje.
Kjo marrëveshje ngjalli kritika të shumta nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat e shohin këtë projekt si një përpjekje për të zhvendosur problemin e emigrantëve në vende më të dobëta në aspektin ligjor dhe ekonomik.
Më 30 dhjetor 2024, Gjykata e Kasacionit në Itali i dha të drejtë Giorgia Melonit dhe kabinetit të saj të cilët pretendojnë se secili shtet duhet të ketë një listë të personalizuar të vendeve të sigurta dhe të pasigurta.
Ndër të tjera, për pjesën e listës së vendeve të sigurta, Gjykata e Kasacionit tha se gjyqtarët e çështjeve të secilit rast nuk zëvendësojnë vlerësimin, i cili në përgjithësi është përgjegjësi vetëm e Ministrit të Jashtëm dhe Ministrave të tjerë.







