Pranverën e shkuar, u bë e qartë për mua se më shumë se gjysma e studentëve në lëndën time të arsimit të përgjithshëm kishin përdorur mjete të inteligjencës artificiale, në kundërshtim me rregullin tim të qartë, për të shkruar provimet e tyre përfundimtare që duhej t’i bënin në shtëpi. (Si për ironi, detyra titullohej Problemet Morale Bashkëkohore: Vlera e Jetës Njerëzore.) U kisha kërkuar të shkruanin për disa punime shumë të reja në filozofi, disa pjesë të të cilave rastësisht kishin të njëjtin titull me ide krejt të ndryshme në teologjinë mesjetare. Mund ta merrni me mend se për cilat tema “shkruan” studentët.
Situata ime nuk ishte aspak unike, mashtrimi me ndihmën e IA-së është raportuar kudo në vend. Por unë ndjeva një lloj frike që nuk dija si ta shprehja, derisa një kolege e përmblodhi qartë problemin: “Studentët tanë janë gati të bëhen nënkognitivë,” tha ajo. Ja ku ishte thelbi. Në rrezik nuk janë vetëm aftësi të specializuara akademike apo zakonet e rafinuara mendore, por edhe vetë forma më bazike e rrjedhshmërisë njohëse. T’i lëmë studentët në dorë të pajisjeve të tyre, domethënë, të pajisjeve të kompanive të inteligjencës artificiale, do të thotë t’u mohojmë atyre mundësi të pazëvendësueshme për të zhvilluar zotërimin e gjuhës, dhe bashkë me të, fuqitë më elementare të të menduarit. Kjo do të thotë se atyre do t’u mungojnë mjetet për të kuptuar botën ku jetojnë apo për ta përballuar atë me efektivitet.
Inteligjenca artificiale nuk është teknologjia e parë që kërcënon aftësitë tona njohëse. Shumë kohë para ChatGPT-së, telefonit inteligjent apo kalkulatorit, Platoni paralajmëroi kundër vetë shkrimit. Ai parashikoi se njerëzit që dinë të lexojnë “nuk do ta përdorin më kujtesën e tyre.” Dhe s’e kishte krejt gabim. Por pak prej nesh do ta quanin këtë një marrëveshje të keqe. Fjala e shkruar, në fund të fundit, është ajo që e ka bërë të mundur që vetë dialogët platonikë të mbijetojnë për dy mijë vjet. Dhuratat e mëdha shpesh vijnë me një kosto të madhe. Pyetja është gjithmonë: A ia vlejnë ato?
Ndërsa përdorimi i IA-së nga studentët është përhapur, shumë nga kritikët e saj janë përqendruar tek dhuntitë intelektuale që po rrezikohen. “IA-ja minon vlerën njerëzore të vëmendjes,” shkroi poetja Meghan O’Rourke në një ese për Times Opinion, “dhe individualitetin që buron prej saj.” Fuqi të tjera që po rrezikohen: “shprehja unike njerëzore”, “procesi i ngadaltë i arsyetimit kritik” dhe “aftësia për të shkruar fjali origjinale dhe interesante.” Si profesore në fushën e shkencave humane, të gjitha këto shqetësime më tingëllojnë shumë të njohura.
Megjithatë, kam filluar ta kuptoj se diçka edhe më themelore po vihet në rrezik. Zhvillimi i aftësive tona gjuhësore, për të zotëruar koncepte të ndryshme, për të ndjekur një argument të ndërlikuar, për të formuar gjykime dhe për t’i komunikuar ato të tjerëve, është vetë zhvillimi i aftësisë sonë për të menduar.
Për ne, qeniet njerëzore, përdorimi i gjuhës nuk është një aftësi si çdo tjetër, është mënyra përmes së cilës bëjmë pothuajse gjithçka. Filozofët kanë debatuar nëse mund të ekzistojnë qenie që mund të mendojnë pa pasur gjuhë, por është e qartë se njerëzit nuk mund ta bëjnë këtë. Ne e kuptojmë vetë strukturën e botës sonë përmes gjuhës. Por ne nuk lindim me një gjuhë. Duhet ta përvetësojmë dhe ta zhvillojmë atë përmes praktikës së vazhdueshme me qenie të tjera njerëzore. Për qindra vjet, në shoqëritë e zhvilluara, kjo ka nënkuptuar kultivimin e një njohjeje të thellë me shkrimet njerëzore.
Shumë njerëz bëjnë dallimin mes përdorimeve të paligjshme të IA-së (si, për shembull, hartimi i tërë i një drafti) dhe funksioneve ndihmëse naive, si p.sh. krijimi i përmbledhjeve. Por janë pikërisht këto funksione që duken të padëmshme, ato që janë më të rrezikshmet për mendjet në zhvillim. Merrni për shembull përmbledhjet: t’ia lini IA-së këtë detyrë rutinë duket si një shkurtore e padëmshme. Sigurisht, studentët që lexojnë vetëm përmbledhjet e IA-së do të marrin një analizë të parashikueshme dhe një prozë të njëtrajtshme, por do të kursejnë kohë dhe energji. Në të vërtetë, aftësia për të përcaktuar se për çfarë argumentohet dhe si argumentohet nuk është aspak e panevojshme. Asnjë aspekt i të kuptuarit njohës nuk është formalitet.
Pa mundësinë për t’i zhvilluar këto aftësi, të rinjtë nuk do të jenë në gjendje të kuptojnë një raport lajmesh, dokumente mjekësore apo formularë pëlqimi, ose vlerën e një argumenti (përfshirë edhe këtë që po lexoni). Një rezervuar konceptual i varfëruar do ta bënte jetën tonë më të ashpër dhe përvojën tonë të botës më të sheshtë dhe të pagjallë. Akoma më keq, degradimi njohës kërcënon pretendimin tonë për vetëqeverisje: nuk është aspak e qartë që banorët e një shoqërie nënkognitive do të ishin të aftë të merrnin pjesë në proceset demokratike që përcaktojnë mënyrën si e ndërtojmë shoqërinë dhe jetën tonë.
Edhe pse pranojnë anët e saj negative, shumë arsimtarë këmbëngulin se përdorimi masiv i IA-së në arsim është i pashmangshëm. Entuziastë të IA-së si D. Graham Burnett nga Princeton pretendojnë se aftësia për të lexuar është një anomali historike, që tashmë nuk i përshtatet më botës moderne. Sipas dr. Burnett, jashtë disa institucioneve elitare, së shpejti nuk do të ketë më kuptim t’u kërkosh studentëve të lexojnë libra. Mësuesit, sipas tij, duhet në vend të kësaj t’u kërkojnë studentëve të “bëjnë gjëra” me tekste të shkurtra: “T’i këndojnë. T’i mësojnë përmendësh. T’i presin në copa të vogla dhe t’i ngjisin nëpër mure.” Me fjalë të tjera, ne duhet ta mirëpresim kthimin në një shoqëri ku aftësia funksionale për të lexuar do t’u përkasë vetëm të privilegjuarve.
Unë reagoj me zemërim ndaj dërgimit të shkujdesur të shumicës së studentëve amerikanë drejt një arsimi që duket më i përshtatshëm për kopshtet e fëmijëve. Dhe pretendimet e tij bazohen mbi një premisë të rreme. Shumë studentë ende mund të lexojnë dhe të angazhohen me tekste të gjata, dhe duan ta bëjnë këtë. Mjafton të shikoni gjysmën tjetër të klasës sime që zgjodhën ta bënin këtë në vend që të përdornin mjetet e IA-së. Dhe asnjë nga studentët e mi, qofshin ata që lexuan tekstet sfiduese që u kisha caktuar apo jo, nuk do të përfitonte më shumë duke përdorur copëza të vogla të eseve tona si dekor muror.
Qëllimi i arsimit të lartë është të formojë të rritur me pjekuri njohëse, gjë që nga ana tjetër kërkon të sigurohemi që studentët të mësojnë të lexojnë, të mendojnë dhe të shkruajnë vetë. Është më e lehtë sesa mendojmë: krijimi i hapësirave pa teknologji dhe nxitja e studentëve për të kaluar kohë në to nuk kërkon burime të reja. Gjithçka që duhet është vullneti. Shumë prej studentëve tanë ende e kanë atë. Po mësuesit e tyre? / New York Times







