Kylian Mbappe u nderua këtë të premte me “Këpucën e Artë” Evropiane 2024-25 në stadiumin ‘Santiago Bernabeu’, në prani të babait të tij, Uilfrid Mbappe dhe shokëve të skuadrës së Real Madridit.
Megjithëse shumë menduan se trofeu i takonte Viktor Gyokeres, i cili shënoi 39 gola në kampionatin portugez me Sporting Lisbone, por ishte Mbappe që mori çmimin me 31 gola të shënuar në La Liga. Arsyeja pas këtij rezultati është sistemi i pikëve të “Këpucës së Artë”, i vendosur nga UEFA në 1996.
Ky sistem i jep më shumë peshë golave të shënuar në ligat kryesore evropiane:
2 pikë për gol në pesë ligat më të forta (Spanja, Anglia, Gjermania, Italia, Franca)
1.5 pikë në ligat ndërmjetme (vendet e 6-22 në renditjen UEFA)
1 pikë në ligat pas vendit të 22-të
Për sezonin 2024-2025, La Liga konsiderohet një nga ligat kryesore, ndërsa liga portugeze renditet në kategorinë e ndërmjetme.
Si rezultat:
Mbappe: 31 gola × 2 pikë = 62 pikë
Gyokeres: 39 gola × 1.5 pikë = 58.5 pikë
Kështu, edhe pse shënoi tetë gola më pak, Mbappe e kaloi suedezin dhe u shpall fitues i çmimit prestigjoz, duke konfirmuar vlerën e golave në ligat më konkurruese të Evropës.







