Ballina Bota Raporti eksploziv: Soros mund të ketë shkelur ligjin me donacionin 40 milionë...

Raporti eksploziv: Soros mund të ketë shkelur ligjin me donacionin 40 milionë dollarë

100
0

Ekipi i 34-vjeçarit Mamdani ka deklaruar gjithmonë se ai ka dalë nga anonimati për t’u bërë favorit për kryebashkiak të Nju Jorkut falë një lëvizjeje organike, me shumë dhurime të vogla dhe qindra të rinj me çanta shpine që bënin fushatë.

Por një raport nga faqja konservatore ‘White Collar Fraud’ po e vë në dyshim këtë qëndrim. Sipas tyre, një rrjet organizatash jofitimprurëse, të lidhura me Sorosin, ka koordinuar në mënyrë të zgjuar operacionet politike dhe në terren për të mbështetur Mamdanin, duke “pastruar” më shumë se 40 milion dollarë dhurime bamirësie.

Soros e mohon këtë dhe thotë se raporti është i mbushur me pasaktësi dhe keqinformim.

Sam Antar, një hetues i ‘White Collar Fraud’, tha se këto organizata mund të kenë shkelur ligjet federale për tatimin. Ai ka dorëzuar 11 ankesa si sinjalizues në IRS. Antar, i dënuar më parë për mashtrim, tani ndihmon qeverinë në hetime të mashtrimeve financiare dhe jep leksione për krime të tilla. Ai e përshkroi Mamdani-n si “një produkt të një makinerie politike që ka militarizuar ligjin për tatimin mbi të ardhurat” dhe tha se Sorosi përdori organizatat jofitimprurëse për të financuar aktivitete që dukeshin si fushatë komunitare, por ishin në fakt për një kandidat të caktuar.

Sipas ligjit amerikan, këto financime duhen përdorur për kauza jo-partiake, por nuk duhet të përdoren për të mbështetur drejtpërdrejt një kandidat. Antar thotë se ata kanë shkuar përtej kësaj.

Raporti përmend ‘Open Society Foundation’ dhe pesë organizata të tjera të lidhura me Sorosin, të cilat, sipas tij, përfundimisht mbështetën Mamdani dhe organizuan një “ushtri të koordinuar” në terren për fushatën e tij. Sipas raportit, ata kanë trokitur mbi 100.000 dyer në Nju Jork dhe kanë mobilizuar shumë vullnetarë.

Antar tha se nuk synon të ndalojë Mamdani-n, pasi beson se ai do të fitojë zgjedhjet, por dëshiron të ekspozojë makinerinë që prodhon kandidatë si ai.

Ai krahasoi rrjetin e Soros me makineritë historike politike si Daley në Çikago apo Tammany Hall, por në shkallë kombëtare: “Ky është versioni i 2025-it – një makineri që mund të prodhojë kandidatë në masë”.

Hetimi i ‘White Collar Fraud’ thotë se rrjeti i pretenduar i Sorosit mund të shtrihet shumë përtej fushatës së Mamdani-t, duke përfshirë qindra gara në të gjithë vendin. Raporti e përshkruan këtë si vetëm “maja e dukshme e një ndërmarrjeje politike në shkallë industriale”.

Antar tha për Daily Mail se ligji tatimor është mënyra më e drejtpërdrejtë për të ndjekur penalisht skema të dyshimta financimi fushatash, duke kujtuar shembullin e Al Capone: “Nuk mund ta kapnin për vrasje, shantazh, prostitucion – e kapën për shmangie tatimi mbi të ardhurat”.

Daily Mail ka kontaktuar zëdhënësin e Mamdani-t, Andrew Epstein, për koment.