Gazetarët që mbulojnë aktivitetet e Shtëpisë së Bardhë do të përballen me kufizime të reja në lëvizjet e tyre, pas një rregulloreje të lëshuar nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA. Sipas memorandumit të ri, përfaqësuesve të mediave u ndalohet të hyjnë lirisht në zyrat e sekretares së shtypit, Karoline Leavitt, dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë të komunikimit në Krahun Perëndimor, pranë Zyrës Ovale, pa caktuar më parë një takim.
Në veçanti, ndalimi përfshin Dhomën 140, e cila ndodhet në një korridor të shkurtër që lidh hapësirat e gazetarëve me Zyrën Ovale. Zyrtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare deklaruan se masa synon të mbrojë materialin e ndjeshëm që trajtohet rregullisht nga stafi i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë.
Kufizimet e reja vijnë pas një vendimi të ngjashëm të marrë më herët gjatë këtij muaji në Departamentin e Mbrojtjes, ku dhjetëra gazetarë u detyruan të lironin zyrat e tyre në Pentagon dhe të dorëzonin kredencialet e akreditimit.
Zëvendësi i sekretares së shtypit, në një deklaratë për mediat, tha se disa gazetarë janë kapur duke regjistruar fshehurazi video dhe audio brenda zyrave, si dhe duke fotografuar dokumente të ndjeshme apo duke përgjuar takime private.
Pavarësisht kufizimeve, gazetarëve u lejohet ende hyrja në një zonë tjetër ku ndodhen tavolinat e zëdhënësve të nivelit më të ulët të Shtëpisë së Bardhë.
Në reagim, Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë shprehu shqetësimin se këto masa do të kufizojnë aftësinë e gazetarëve për të komunikuar drejtpërdrejt me zyrtarët, duke penguar transparencën dhe mbikëqyrjen e veprimeve të qeverisë.







