Ballina Dossier Skulptori Idriz Balani: Maksimumi i zhveshjes në vizatim, pikturë dhe skulpturë ishte...

Skulptori Idriz Balani: Maksimumi i zhveshjes në vizatim, pikturë dhe skulpturë ishte deri tek sportisti. Nudizmi ndëshkohej

83
0

Bulevard news*

Idriz Balani, skulptori që ka mbushur me vepra arti Durrësin, Deçanin, Prishtinën, Mitrovicën, ka shumë për të thënë. Ai është djalë i një familje atdhetare dhe patriotike çame që u edukua me ndjesinë kombëtare dhe u arsimua në Institutin e Arteve. E ka shëtitur pëllëmbë më pëllëmbë Kosovën si për të shuar mallin që e mundon edhe sot për Çamërinë, për dheun e gjyshërve. Balani ka një aktivitet të dendur krijues. Tema historike, figurat e patriotëve të shekullit të kaluar dhe figurat e luftëtarëve të UÇK-së e kanë rrëmbyer dhe e kanë përfshirë në frymëzim. Skënderbeu, Ismail Qemali, Isa Boletini, Ibrahim Rugova, Nënë Tereza, Bilal Xhaferi dhe personazhe e aktorë të tjerë të mbijetesës shqiptare janë përjetësuar në bronz e mermer; në buste e shtatore në saj të vullnetit dhe përkushtimit të skultorit Idriz Balani. Punishtja e tij gjendet në zemër të zonës së Plazhit të Durrësi dhe vit për vit, në sezonin e verës transformohet në vend pelegrinazhi sidomos nga vizitorët shqiptar të Kosovës, Luginës së Preshevës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Për herë të parë

Ka qenë viti 1965, asokohe Idriz Balani 12 vjeç. Në bregun e detit, në Plazhin e madh të Durrësit, ku qe vendosur familja tij një vit pasi Balani kishte ardhur në jetë, bënte sirena. Vizatimet dhe format me rërë të lagur i ngjanin sirenave të detit që ishin qenie gjysmë njeri dhe gjysmë peshk. Gatuanin edhe kala të mëdha e të vogla me konfigurime të larmishme, të gjitha me rërë. Aty, në buzë të detit, pushonte edhe një vajzë më e madhe në moshë, e quajtur Teuta, e bija e skulptorit Sabri Toçi. Ajo ishte diku 16-17 vjeçe dhe verë për verë pushonte në plazhin e qytetit të Durrësit. Vajza vizitonte shtëpinë e të atit të skulptorit të ardshhëm ngase në kopshtin e tij kishte bimë dhe lule të cilat e tërhiqnin vajzën e Tuçit. Me të parë sirenën e kështjellën prej rërë që kishte bërë Balani e fton për të vizituar studion e të atit me bindjen se skulptori Sabri Tuçi do të shfaqte interesim për djalin nga Plazhi. Dhe kështu ndodhi. Studio ishte në bulevardin e qytetit të Durrësit, rruga që të dërgon për në port, diku në mes të bufe “Ylli” dhe shtëpisë muze të Aleksandër Moisiut, aktorit shqiptar me famë botërore. Fëmijë e ndjek nga pas vajzën e rritur i bindur se diçka do të mësojë në studion e Tuçit. Me të hyrë brenda, sipas kujtimeve të vet Balanit, djaloshin e rrëmben dhe e mahnit pamja që i shfaqet para syve. Një studio e mbushur me vepra arti, e sistemuar, me ndriçim e diell, shumëllojshmëri ngjyrash. Profesori Tuçi e pret me shumë admirim dhe pasi dëgjon të bijën për sa ajo i tregon lidhur me atë që kishte parë në plazh, nxiton ta vlerësojë për dëshirën e shfaqur. Humori, biseda e rrafshtë, buzëqeshja, ledhatimi ishin të parat gjëra që e tërheqin Balanin. Vite më pas, në moshën e pjekurisë skuptori do të thotë se pedagogu i tij Sabri Tuçi ishte figurë admiruese, njeri i qeshur, serioz, këmbëngulës, me humor të hollë dhe me dhunti të papërsëritshme. Tek pedagogu Balani ka parë personalitetin plot jetë, zgjuarësi dhe pushtet të padiskutuar në vetvete dhe në opinion. Balani e ka veçuar kohën e qëndrimit të tij pranë profesor Tuçit si më të bukurën në jetën e tij. Pedagogu Tuçu u bë pjesë e listës së gjatë të ndëshkimit politik e cila pasoi me mohimin që iu bë krijimtarisë së tij. Pas vitit 1968 skulptori Tuçi përballet me perskutimin e ashpër politik, i hoqet studio dhe iu shtuan presionet e fshehta e të hapura. Megjithatë profesori, i diplomuar jashtë vendi, nuk e lëshon veten duke e sfiduar kohën dhe ndodhitë politike. Në këtë studio, mbështetur në pohimet e nxënësit të Tuçit, vinin grupe-grupe fëmijë e të rritur të cilët merrnin njohuritë e para të punës në vizatim, piktorë, skulpturë. Nga studio e Tuçit dolën më pas Kristaq Rama, Dhimitër Harallambi, Nelo Lukaçi, Myrvete Dajlani, Zef Ujka, Ali Qinari, Bajram Likmeta, të gjithë të diplomuar në Arte “Studio e tij ishte çerdhe e artit”-kujton Balani vitet e fëmijërisë së tij nën kujdesin e profesor Sabri Tuçit. Nxënës e studentë hynin e dilnin në studiot e improvizuara edhe pasi pedagogu dhe mjeshtri i tyre u ndëshkua politikisht. Prej tij Balani dhe artistë të tjerë të pikturës e skulpturës morën njohuritë e para për artin,konceptim për vizatimin e plastikën, mësuan emrat e personaliteteve të mëdha të artit figurativ (pamor) dhe të teatrit e estradës. Nuk ishin vetëm pasionantët e pikturës dhe skulpturës që hynin e dilnin tek Tuçi. Ai qe bërë i dashur edhe për artistët e teatrit e të estradës. Paralelisht Balani merrte edhe leksione në kursin e vizatimit të drejtuar nga Skënder Kokoboga dhe Agim Shani, duke u përpjekur të krijonte pjekurinë dhe fizionominë e duhur. Pasi mësoi parimet dhe krijoi sigurinë e plotë në suksesin e ardshhëm, mori pjesë në konkurs për të vijuar studimet në liceun artistik. Shkolla do të pranonte vetëm 20 emrat e parë dhe ndër ta ishte shpallur fitues edhe Idriz Balani. Por Durrësi nuk kishte plan për të dërgur në Lice ndaj Balani e kishte të humbur betejën pavarësisht rezultatit shumë të mirë. Ndërsa shpresat e tij qenë shuar plotësisht, do të jetë Sabri Tuçi ai që nuk do të lejojë Balanin të zhgënjehet. Falë njohjes së gjerë dhe respektit të padiskutueshëm që kishte në rrethe akademike, artistësh e pedagogësh Tuçi troket në Ministrinë e Arsimit. Bashkë me të ishte vet nxënësi i tij dhe prindi që e shoqëronte, Madan Balani. Ata trokasin në zyrën e Kristaq Ramës dhe Kujtim Buzas të cilët e presin me shumë adhurim profesorin Tuçi. Një takim i tillë i dha mundësi të riut Idriz Balani të vijonte Liceun artistik në Tiranë pa shkëputje nga puna, ngase e kishin të pamundur ta regjistronin ditën për arsye se Durrësi nuk kishte asnjë të drejtë studimi për në Lice. Kështu ndodhi, Balani vijon dhe i përfundon studimet në kohë të rregullt dhe me rezultate mjaft të mira. Vitet e shkollimit për të qenë jo pak të vështira pasi i duhej edhe të punonte, edhe të studionte. Kjo qe edhe e para betejë e fituar për t’u pasuar me konkurimin për në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Balani për dy vite pati ushtruar punën e punonjësit të skenës që merrej me realizimin e dekoreve për shfaqjet teatrale në Durrës, projekte të gatuara nga Zef Ujka, një tjetër personazh që ndikoi në edukimin profesional të Balanit.

Praktikat

Skulptori Idriz Balani u edukua artistikisht nga pedagogë me peshë të veçantë në kulturën dhe artin shqiptar. Artin e skulpturës e mësoi nga “Skulptori i merituar” Andrea Mano, leksionet dhe praktikën në vizatim i fitoi në saj të ndikimit të fortë pedagogjik të Fuat Dushku e Kristo Kristiko, kurse Hektor Dule dhe Arminda Laçaj e përfeksionuan në kompozim. Balani ishte në një nga kurset më ambicioze të Arteve ngase pati bashkëstudentë emra që do të bënin karrierë shumë të pasur si: Ylli Beqiri, Mustafa Arapi, Llambrini Bojaxhiu (Dëna), Ardian Devolli e Luan Boriçi. Praktikat mësimore kanë qenë laboratore të gatimit profesional të studentëve, mes tyre edhe të Idriz Balanit. Në mënyrë të përvitshme gjatë studimeve dilnin në terren me një muaj kohë qëndrimi sipas një kalendari të programuar nga Instituti Arteve. Lezha, fshati Rrabosht në Korçë, metalurgjiku në Elbasan dhe Lukova ishin stacionet mujore gjatë kohës së studimeve të larta ku ushtroheshin praktikisht. Bënin vizatime, piktura, skulptura. Në Korçë kanë pastruar me alkool dhe solucione të tjera ikonostaset të cilat do të bëheshin pjesë e muzeut Mesjetar dhe të konkurseve ndërkombëtare. Balani pohon se muaji i praktikës së përvitshme ishte shpalosja e aftësisë së dëshmuar nga studentët për të mbledhur nektarin, për t’u frymëzuar në prodhimin më pas të veprave të artit. “Atë që nuk e gjenim në studio, atelje, e preknim në natyrë, në fshatra e qytete”,-shprehet Balani duke risjellë të freskëta kujtimet e atyre viteve. “Nuk e sajon dot në studio se si gratë e vajzat korrnin grurin, si metalurgu vishej e punonte në furrën e pjekjes së brumit, si vishej mirditorja e të tjera detaje”-vijon skulptori. Në të gjitha rastet shpenzimet për udhëtim, ushqim, fjetje, letër, telajo, plastelinë, karbon, ngjyra e të tjera i përballonte shteti. Të vetmen gjë që duhej të dëshmonin studentët ishte frymëzimi. Me të përfunduar praktikën, para se të ktheheshin në Institut, hapeshin ekspozita me punimet e gatuara në një muaj. Vinin nxënës të shkollave, punëtorë e kooperativistë, intelektualë dhe paria e pushtetit për të vlerësuar punën. Balani thotë se derdhjet e imazheve të terrenit në letër bëheshin me seriozitetin më të lartë. Aty bënin piktura, bocete të ndryshme, kompozime të veçanta. Krahas Institutit, studentët vizitonin edhe studiot e piktorëve e skulptorëve si Shaban Hadëri, Kristaq Rama, Hektor Dule, Montaz Dhrami, Thoma Thomait, Fatmir Haxhiut…Fshataren e Rraboshtit të ndeshur gjatë kohës së ushtrimit të praktikës si student i Institutit tëArteve, Balani e trajtoi më pas në skulpturë. Instituti kishte bibliotekë shumë të pasur dhe aty të rinjtë zgjeronin horizontin, njiheshin me emrat e artistëve të mëdhenj të botës dhe shikonin veprat e tyre. Kompozimet me temë nga fshati, lufta, kantieret, qyteti u bënë pjesë e galerisë së personazheve në punën krijuese.

Intervista 

Studentët e të gjitha fakulteteve janë privuar nga liria për t’u njohur me emrat më të mëdhenj botëror në fushën për të cilën studionin. Sigurisht një gjë e tillë ka ndodhur edhe në Institutin e Arteve.

Në bibliotekë e kishim të pamundur të shikonin, të njiheshim e të studionin çdo lloj autori. Kishte vepra të klasifikuar për karton, të verdhë, pra të ndaluara për t’u lexuar nga ne. Instituti Arteve kishte bibliotekë shumë të pasur, por politikisht të cunguar. Shikonim autorë të Antikitetit, Rilindjes Evropiane, Impresionizmin. Modernizmin nuk e preknim, nuk na e afronin. Maksimumi zhveshjes në vizatim, në pikturë dhe në skulpturë ishte deri tek sportisti, uniforma e tij. Pra me kostum banjo. Nnuk shkonim dot më tej. Nudizmi ishte i huaj, i ndaluar dhe i ndëshkueshëm.

Ku e gjeni frymëzimin dhe sa kohë i përkushtoheni gatimit të një vepre arti?

Vështirësia qëndron tek gjetja e fabulës dhe njësimi i gjetjes me  zgjidhjen kompozicionale. Kjo kërkon njohje, studim, hulumtim, shëtitje të zonës e trevës, frymëzim nga vepra dhe peizazhi. Kërkon konfigurim të personazhit, pastaj vjen nisja nga puna. Një ndër veprat më të realizuara dhe të pritura me një manifestim të pamasë është ajo kushtuar Isa Boletinit. Mësova se në Kosovë ishte hapur konkursi për shtatoren kushtuar figurës atdhetare të Boletinit. Ishte viti 2010 dhe pa ndonjë ndërmjetësim shkova në Deçan, zonë mes Gjakovës dhe Pejës. Trokita në zyrën e komunës dhe pasi u prezantova më dhanë formularët për t’i plotësuar si kusht për pjesmarrje në konkurim. Nisa të mendoj se si do e bëja këtë monument. Skulptori Shaban Hadëri e kishte përjetësuar në Shkodër dhe ishte e pamundur të bëja një vepër arti më të arrirë. Nisa të punoj në studio, saktësisht në punishten time modeste. Isën e bërë me pushkë në dorë. Vajza pasi e sheh më kujton se Boletini duhet përjetësuar duke puthur flamurin, akt të cilin e kanë fiksuar shumë piktorë dhe shkrime historike. Një javë ndërpreva punën. Më mungonte ideja, frymëzimi, nisja, gjetja. Nuk po gjeja zgjidhjen artistike. Teksa ishte humbur e kredhur në mendime për të kapur fillin, më telefonon djali dhe më kërkon t’i bëja gati flamurin kombëtar se do t’i duhej ta hidhte mbi shpatulla në një takim futbolli të ekipit “Teuta” të Durrësit. Sapo hapa sirtarin për të marrë flamurin më lindi ideja: Isa Boletini e kishte në gji flamurin dhe po e nxirrte nga andej për ta shpalosur.

Cila është tema që të ka tërhequr më së shumti në punimet tua artistike?

Tema historike pa më të voglën mëdyshje. Prindërit e mi u vendosën në Plazh, në Durrës në kohën kur unë isha vetëm 1 vjeç. Për shkak të mungesës së komunikacionit të gjithë çamët, fisi dhe miqësia e babait që vinin nga Jugu për në Tiranë, apo ktheheshin për në shtëpitë e tyre kalonin një natë tek ne ngase nuk kishin ku të flinin. Babai im, Madan Balani, kishte rreth shumë të gjerë shoqëror e fisnon ndaj shtëpia kishte mysafir çdo natë. Diskutonin për Çamërinë, luftën, sakrificat, heronjtë, atdhetarët, traditat dhe çdo gjë që kishte të bënte me krenarinë tonë. Sofra të tilla më ushqyen që të vogël duke më tërhequr pas temave historike. Veprat e mia kanë në qendër pikërisht figura që kanë bërë emër në histori si: Telat Noga, Kozma Nushi, Naim Frashëri, Vinçens Prendushi, Isuf Ferra, Kajo Karafili, Isa Boletini, Haxhi Zeka, Bali e Enver Hadri, Bedri Pejani, Jusuf Gërvalla, Agim Ramadani, Shyt Mareci, Ahmet Delia,  Ali Hadri. Disa janë buste, të tjera tors a shtatore. Portreri Bilal Xheferit, figura e tij intelektuale, dashuria e madhe për Çamërinë më kanë shtyrë t’i përkushtohem me disa vepra kësaj figure. Ndonëse janë realizuar disa prej tyre, do i rikthehem përsëri ngase besoj se kam lënë ende hsumë gjëra pa thënë në art për këtë emër të madh të qëndresës. Siç edhe duket lehtësisht jam shumë i dhënë pas emrave me ndikim të spikatur në memorien historike të kombit shqiptar. Këto ditë punova portretin e dr. Madhu Krishan, president i Akademisë Botërore pranë OKB-së, indian, themelues i Akademisë me aktivitet edhe në Shqipëri e Kosovë. Krishan më përzgjodhi pasi i ra në dorë një libër i publicistit Paulin Ranzi “Misionarë të paqes”. Aty sistemohet bibliografia e 20 figurave të rëndësihme në politikën dhe kulturën shqiptare, mes tyre edhe emri im. Unë jam nga Çamëria dhe skulptura ime kushtuar Isa Boletinit figurës më madhore nacionaliste me origjinë nga skaji më veriori i trevave shqiptare, Mitrovica, kishte bërë përshtypje të madhe, ndaj isha bërë pjesë e kësaj enciklopedie. Kjo qe arsyeja që dr. Krishan më pikasi e më përzgjodhi. Isa Boletini fitoi titullin “Misionar i Paqes” nga Krishan. Vëmendje të konsideruar i kam kushtuar edhe nënë Terezës të cilën e kam gdhendur në mermer.

Gjatë karrierës suaj të gjatë artistike keni qenë pjesë e disa konkurseve dhe ekspozitave.

Sigurisht. Në shumë konkurime dhe ekspozita punimet e mia kanë zënë vendin që u ka takuar. Dua të veçoj ato që mendoj se janë me më shumë interesim. Ekspozita “Pranverë art” u riaktivizua 30 vite pasi ishte lënë në harresë. Qe mbyllur me urdhër politik për shkak se u tha e u fol se ekspozita kishte tendenca moderniste, perëndimore në art dhe që në vitet 1974-1976 ishin krejt të papranueshme. Fatmirësisht u rishfaq, në një klimë e kohë të re. Janë 50-60 artist pjesmarrës me 2-3 vepra të tyre, njëra prej të cilave bëhet objekt në katalogun e përvitshëm së bashku me detaje nga jeta dhe krijimtaria e autorit. Kjo lloj ekspozite organizohet përgjithësisht në pranverë në Muzeun Kombëtar. Është viti i pestë dhe ka ngjallur shumë interesim. Aty marrin pjesë edhe Emiona Stasi (Nako), Sefedin Stafa, Romir Lukaci, Agim Faja e të tjerë piktorë e skulptorë. Kam marrë pjesë në ekspozitën e vitit 2012 në Gilan “Flaka e janarit” me bustin e dëshmorit të UÇK-së Agim Ramadanit dhe jam shpallur fitues. Konkurimi ishte në pikturë, skulpturë, teatër, muzikë, letërsi, pra me një gamë shumë të gjerë. Me portretin e Omer Kaleshit kam marrë pjesë në ekspozitën e organizuar në Paris, Francë në vitin 2014 organizuar nga Akademia Evropiane e Arteve, anëtër i së cilës jam prej dy vitesh. Vitet e tjera është organizuar në Bruksel. Pati shumë pjesmarës nga shumë vende si: Italia, Franca, Maroku, Luksenburgu, Kosova…Një ballafaqim i tillë vjen pas ekspozitës në Pogradec të organizuar po nga kjo Akademi e cila boton edhe katalogun me të dhëna shumë të plota për autorët pjesmarrës, veprat, vlerësimet, kritikën e të tjera.

Sigurisht që keni diçka në dorë. Punishtja juaj është gjithnjë në pritje të një vepre të re.

Shoqata “Foleja kombëtare shqiptare” ka porositur një bust për Fan Nolin, figurëm e madhe të publicistikës, letërsisë, shqipërimit, klerit. Kjo shoqata ka selinë në Durrës dhe drejtohet nga Elira Jorgoni, bashkëshortja e Perikli Jorgonit. Porosi për të bërë këtë bust, shhpenzimet  dhe vendi vendosjes janë të gjitha porosi e amanet i poetit, përkthyesit dhe gazetarit Perikli Jorgoni. Noli ka qenë figurë e madhe kishës ortodokse dhe themelues Kishës Autoqefale Shqiptare. Busti do të vendose në mjediset e jashte të kishës ortodokse pranë portit të Durrësit. Paralelisht po punoj medalionet për varrezat e dëshmorëve të fshatit Strellc në komunën e Deçanit. Por pa lënë pas dore edhe punime moderniste në nudo. Janë disa të tilla në mermer.

Bashkia nderon skulptorin

Skulptori Idriz Balani është nderuar me titullin “Mirënjohje e qytetit të Durrësit”, akorduar nga bashkia e qytetit. Në ceremoninë e zhvilluar në odeonin “Nikolin Xhoja” tek pallati i kulturës, kanë marrë pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, deputetët të kuvendit dhe mjaft të ftuar të tjerë. Në karrierën e tij 35 vjeçare në fushën e skulpturës Balani ka krijuar vepra monumentale veçanërisht të figurave të shquara historike të vendit dhe punët e tij janë të vendosura në Durrës por edhe në shumë qytete të tjerë të Shqipërisë dhe Kosovës. Në fjalën e tij kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako e ka vlerësuar lart punën e madhe që ka bërë skulptori jo vetëm përsa i përket vlerave artistike, por edhe përjetësimit të figurave të shquara historike të kombit shqiptar. Më pas kryebashkiaku Dako i ka dhënë skulptorit të njohut Titullin “Mirënjohje e Qytetit” me motivacionin “Për kontributin e dhënë në skulpturën shqiptare, veçanërisht në përjetësimin e figurave tona historike”. Idriz Balani e ka filluar karrierën e tij artistike që në vitin 1979. Ai ka bashkëpunuar me skulptorët më të mëdhenj shqiptarë si skulptori i popullit Muntaz Dhrami, ndërsa në karrierën e tij të gjatë artistike ka realizuar kryesisht monumente dhe buste. Në Durrës janë të vendosura në të gjithë qytetin skulpturat e Balanit ku disa prej tyre janë bustet e figurave të shquara si Naim Frashëri, Kozma Nushi, Sabri Tuci, Telat Noga etj. Ndërkaq skulptori ka realizuar shumë buste e monumente edhe në Kosovë ku mund të përmenden monumenti i patriotit Haxhi Zeka në bashkëpunim me skulptorin Qazim Kërtusha vendosur në qytetin e Pejës apo edhe shumë buste të tjera të figurave të shquara si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ibrahim Rugova, Isa Boletini. Busti Boletinit, një monument historik me lartësi 3.60 metra, është vendosur në Mitrovicë dhe në Isniq me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Idriz Balani lindi në Konispol më 3 tetor 1953

1954 familja vendet në Plazhin e Durrësit

1972 mbaron shkollën e mesme artistike pa shkëputje nga puna në degën e Arteve Figurative

1975-1980 studion në Institutin e Lartë të Arteve në degën Skulpturë Monumentale

1980-1094 mësues i lëndës së Vizatimit në fshatin Ishëm

1980 së bashku me Vasiliev Nini dhe Maksi Mustaka shërbejnë pranë “Skulptorit të Popullit” Mumtaz Dhrami për realizimin e monumentit të Drashovicës.

1984- 1992 mësues i skulpturës në Liceun Artisitik “Jan Kukuzeli ” Durrësit.

1988 -1989 kursi pasuniversitar për kritikë artistike

1992 -1994 emgron në Greqi

2001- 2004 drejtor i kulturës në bashkinë e Durrësit

2005- 2006 drejtor në drejtorinë rajonale të monumenteve të kulturës, Durrës

2012 anëtar i Akademisë Evropiane

*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!