Ballina Dossier Tasim Besho, “durrsaku” nga Çamëria që provoi foshnje burgun. Historia e trishtë...

Tasim Besho, “durrsaku” nga Çamëria që provoi foshnje burgun. Historia e trishtë nga pasuria në varfëri, pragvdekje dhe mirënjohja e profesorit për durrsakët

235
0

Bulevard news*

Tasim Besho, aktualisht banor i lagjjes nr. 4 të Durrësit, ka lindur  69 vjet më parë në një fshat tepër malor të pjesës veriore të Çamërisë e cila gjendet brenda kufijve shtetëror të Shqipërisë. Familja e tij i përkiste një sage të madhe, me pasuri të shumta. Deri përpara Luftës së Dytë Botërore të parët e Tij kanë qenë të njohur në vend për prodhimet blegtorale dhe madje të njohur edhe si eksportues te djathit në disa vënde të Evropës. Në trungun e të parëve gjen burra të shquar edhe në fushën e dijes. Tasimit i vunë emrin e figurës më të madhe të asaj zone jo thjesht sepse ishin nga i njejti vend. Kishte edhe arsye më të afërta. Përvec prindërve e gjyshlerëve te tij, krenohet edhe me shkrimtarin e shquar Bilal Xhaferin. Ata jo vetëm jane “djem tezesh”, por afërsia në moshë dhe rruga e përbashkët që kanë ecur në një pjesë esenciale te jetës, kanë berë që jo të jenë thjeshtë kushërinj, por edhe të kenë qenë shumë miq me njëri-tjetrin. Pas 1944-ës, regjimi komunist gjeti shume “argumente” që të lëshohej me tërë egërsinë mbi të parët e Beshos. Pronat dhe floriri u konfiskuan. Një pjesë e burrave të fisit u burgosën ndërsa pjesa tjeter u larguan në thellësi të vëndit apo u arratisen jashtë shtetit. Ata që mbetën  në vëndin e origjinës u shpronësuan e u shpallën “kulak”. I fundmi i fisit Besho që kish rezistuar në fshatin e tyre të lindjes, babai, pasi provoi në kurriz disa eksperimente komuniste, mori gruan e dy femijët vegjël dhe u nis për në Greqi. Arriti të kalojë kufirin por ende nuk dihet se për c’arsye i zunë kur gjendeshin në territorin grek dhe i kthyen mbrapsh. Për këtë arsye Besho provoi edhe burgun pa mbushur akoma nëntë vjeç. Prindërit, bashkë me Tasimin dhe me motrën më të vogël se ai u burgosën në Sarandë pas arratisjes. Pas daljes nga burgu, u vendosën në Durrës ku si shumë e shumë familje të deklasuara arritën të gjejnë strehë, bukë e ngrohtësi. Tasimi u rrit, u edukua dhe u formua në Durrës dhe arriti të përvetësojë cilësitë e mrekullueshme me të cilat Durrësi ka ushqyer në shekuj dhe vazdhon të ushqejë bijtë e tij. Në bisedat me të, ai flet me respekt e dashuri për qytetin që e rriti. Ai të sjell argumente të shumta se përse Durrësi është djepi më i ndritur që u solli shqiptarëve dije, kulturë, histori, identitet, demokraci e cdo gjë tjetër të mirë që lartëson emrin e një treve. Tasim Besho e konsideron veten me fat që pas burgut familja e tij u vendos në Durrës. Sado që “cam i deklasuar”, flet me mirënjohje për Durrësin e me kënaqësi për fëmijërinë, rininë e tij të parë si dhe për vitet e para të punës në Durrës.

Arsimimi

Tasim Besho ka përfunduar shkollën e mesme të pergjithëshme “N. Spiro” në Durrës në vitin 1961 me rezultate të shkëlqyera. Për shkak të biografisë së tij ishte i vertmi maturant që nuk iu dha e drejta për të vazdhuar normalisht studimet e larta. Pas pak muajsh që kishte filluar viti akademik, me ndërhyrjen e njërit prej njerëzve më të afërt të tij, arkeologut dhe profesorit të shquar Selim Islami, e lejuan të vazdhonte studimet për Matematikë e Fizikë në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Institutin e mbaroi në vitin 1963 me diplomën të klasifikuar “Shkëlqyeshëm”. Për shkak të pjekurisë dhe rezultateve të larta në mësime, Instituti i Shkodrës i dha vendit e asistent profesorit, por natyrisht nuk u lejua për shkak të biografisë. Megjithatë, bazuar në rezultatet e punës së tij, pavarësisht se nuk kishte mbushur akoma 19 vjec, u emërua mësues matematike në një nga gjimnazet më serioze në Durrës. Atje punoi 3 vjet dhe puna, rezultatet e figura e tij  bënë që Tasimi të renditej ndër mësuesit më të mirë të gjimnazeve.

Një vit më pas, në vitin 1964 Universiteti i Tiranës i miratoi Tasimit një program studimi të vecantë individual dhe kushte lehtësuese për të përfunduar atje studimet në Degën e Matematikës. Në vitin 1966 ai i përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës me  rezultate të shquara. Madje Fakulteti i Matematikës bëri propozimin që Tasimi të emërohej pedagog ne ate Fakultet. Por edhe këtë herë Tasimi nuk e arriti dot realizimin e ëndërres së tij që të bëhej profesor në një universitet. Lufta e klasave ishte ashpërsuar shumë atë vit dhe  ashtu si shumë nga kolegët e tij të shquar e dërguan ushtar në një nga repartet më të vështirë të asaj kohe. Detyra e Tasimit deri në vitin 1968 u bë  hapja e tuneleve në malësitë e Tiranës e të Elbasanit. Nuk mjaftoi vetëm kjo gjë. Në atë periudhë familjes së Tasimit si dhe shumë të tjerave të respektuara të qyetetit iu kërkua që të largoheshin nga qyteti për në zonat e thella bujqësore me motivacionin familje “cilësuar kulak që mban qëndrim të keq politik e zhvillon veprimtari armiqësore”. Presioni i pushtetit u rrit shumë deri sa në korrik të vitit 1968, ndërkohë që Tasimi ishte akoma ushtar, familjen e tij e intërnojnë në sektorin Rrushkull të NB Sukthit.

Tasim Besho përsërit gjithnjë që  ka qenë me fat tërë jetën. Në momentet e interrnimit të familjes së tij i erdhi në krah i paharruari Iljaz Reka. Duke qenë pesonalitet dhe një nga njerzit më humanë e me shpirt të madh në atë kohë, ILjazi u bëri një mbrojtje të hapur familjeve të deklasuara. Në rastin e Tasimit e të disa familjeve të tjera, jo vetëm që i spostuan në Rrushkull nga zona e Rrethgreth ku kish vendosur t’i dërgonte Ministia e Brendshme, por e lanë edhe mësues. Pavarësisht se nga i caktuar profesor në universitet e dërguan në shkollën 8 -vjecare të Ishmit, kjo gjë ishte lumturi dhe fat i madh. Duhet të jesh pjesë e atyre ngjarjeve që të kuptosh se sa me fat ishte për këto dy ndryshime “te vogla”. Kur familjen e vendosën në Rrushkull, e çuan mësues në Ishëm për 3 vjet dhe më pas e kthyen në Sukth. Familja e tij nuk pati më  të drejtën që të rikthehej në Durrës përvecse pas 23 vjetësh, ne vitin 1991 me mbarimin e kalvarit komunist të shqiptarëve. Në cdo kohë e në cdo rrethanë Tasimi nuk u shkëput nga studimi dhe veprimtaria shkencore. Kjo gjë e ka bërë që ai të gjejë forca dhe të krijojë hapësira dhe mundësi për të kapërcyer vështirësitë e jetës e të zhvillojë një jetë e një familje normale. Për të na dhënë sa më konkretisht “sekretet e suksesit” të tij Tasimi na tregoi shkurt pjesë të një bisede jo formale që ai kish bërë me disa studentë të tij në universitetit e Barit në Itali. Kur dikush nga studentët e pyeti pa të keq Tasimin se cilat ishin gradat shkencore dhe cila ishte karriera e tij universitare, i ndodhur ngushtë para studentëve,  u ishte përgjegjur atyre: “Një fjalë e urtë e popullit tim këshillon se është më mirë të punosh kot në vend që të kalosh kohën duke ndenjur pa bërë gjë.

Mbresa

Tasim Besho thekson së në cdo kohë jeta e tij  ishte bërë funksion i humorit dhe inateve të regjimit. Ai pohon se argumenti nga i cili varej funksioni i tij i të jetuarit ishte vetëm lufta e klasave. Uljet dhe ngritjet e dallgëve të luftës së klasave sillnin gjithmonë ngritje apo ulje të Tij. Vetëm një herë nuk ndodhi kështu. Në vitin 1975 e “degdisën” në shkollën e Hamalles për arësye se “… nuk kish qenë i sinqertë me partinë”. Këtë herë regjimi pandehu se i lau duart përfundimish me Tasimin. Tamam atëhere Tasimi u mendua më shumë dhe gjeti një zgjidhje që i solli vetëm përparim e ngjitje në jetë. Tasimi kujton me mirënjohje dhe respekt udhëheqesit edhe shpëtimtarët e tij, profesorët e fakultetit Aleko Minga e Kristian Bukuroshi. Tasimi u është vecanërisht mirënjohës atyre sepse tamam atëherë, kur në Hamalle kish humbur cdo shpresë, ata e mbajtën me kurajo, e orientuan dhe e  udhëhoqën në  një drejtim relativisht të ri të shkencës i cili po zhvillohej në kufirin ndërmjet matematikës dhe ekonomisë. Ata i siguruan ne Biblioteken Kombetare tërë literaturën e nevojshme që ishte e rezervuar. Vec kësaj i jepnin shpjegime dhe sqarime për cdo problem që Tasimi haste vështirësi.  Profesor Kristiani, më pas edhe drejtor i INIMA-s (Instituti i i Infrormatikës dhe Matematikës së Aplikuar), përvec literaturës dhe shpjegimeve i vuri në dispozicion teknikat dhe mjetet që kish INIMA. Është edhe kjo arsyeja që në baze të punës dhe arritjeve të Tasimit qëndrojnë vazdhimisht metodat matematike bashkë me aparatin informatik.

Pak më shumë  

Jo vetëm nga kurioziteti por edhe për të qenë i saktë me lexuesin, unë kërkova të kem sa më shumë argumente të shkruara rreth atyre që po prezantoj për Tasim Beshon.  Tashmë unë kam lexuar vet shumë shkrime të shtypit të përditshëm e atij periodik të viteve 70 e 80 dedikuar punës, arritjeve dhe eksperiencave të reja që sillte në fushën e prodhimit dhe programimit ekonomik. Në këtë kuadër pashë me kuriozitet librin e tij  “ Metodat matematike ne shërbim të prodhimit blegtoral” botuar me 1985 në Tiranë. Vecanërisht vitet 80 janë të mbushuara me veprimtari intensive që e rreshtuan Tasimin në radhët e specialistëve të gjithanshëm e të njohur në vend.  Ndër të tjera në fillim te viteve 80, eksperienca novatore e Besho tërhoqi edhe vëmëndjen e Kinostudios “Shqiperia e Re” e cila prodhoi filmin “Njeriu i Mirë”. Ky film preferohet akoma nga publiku. Në qendër të skenarit ishte vendosur një konflikt ndërmjet teknologjive novatore të prodhimit me ato tradicionale. Ky film ka në baze punen dhe eksperiencën novatore të Tasimit e të bashkepuntorëve të tij.  Puna e Tasimit është personifikuar në këtë film në rolin e një zooteknikut dhe të një mësuesi matematike. Producentët e filmit nuk kanë ngurruar të flasin hapur në film edhe per “biografinë e keqe” që kishte matematikani. Në vleresim të rezultateve të një eksperimenti novator e të suksesshëm që realizoi Tasim Besho në blegtori, specilistëve në vitin 1985 ju dha titulli “Hero i Punës Socialiste”. Megjithëse në ceremoninë e organizuar në Durrës, Tasimit iu komunikua akordimi i titullit “Laureat i cmimit të Republikës”, vetem dy ditë  më pas u njoftua nga sekretari i partisë që cmimi për Tasimin ishte anulluar dhe ai nuk duhej të shkonte në ceremoninë që organizohej në Tiranë. Natyrisht edhe në këtë rast i dolën në hundë  “motivet politike”. Pas vitit 1980 Tasimi u transfrua gradualisht nga mësimdhënia deri sa u emërua Matematikan në NB Sukth e NB Spitallë ku punoi deri në vitin 1991. Në këtë periudhë ka edhe veprimtarinë më të rëndësishme në drejtim të aplikimit të Metodat matematike në mbështetje të prodhimit bujqësor  dhe në atë te programimit ekonomik në ndërmarje.

Vitet e lirisë

Pas vitit 1991 Tasimi u përfshi në këshillin e parë pluralist që u themelua në rrethin e Durrësit në gusht të atij viti. Fillimisht ka drejtuar seksionin shkencor e të programimit ekonomik.. Pas një viti drejtoi seksionin e tregëtisë  e të marrëdhënieve më jashtë. Më pas per tre vjet drejtoi departamentin rajonal të Ministrisë së Financave për ceshtjet e privatizimeve. Krahas sa më sipër në vitet 1993-1995 Tasimi ka qënë kryetar i bordit për nxitjen dhe financimin e SME-ve në Shqipëri, në kuadër të programit PHARE të Komunitetit Evropian. Ai ka lënë gjurmë të vlefshme edhe në marrëdhëniet me investitoret e huaj. Në vitet 1997- 2001 Tasimi ka qënë njëri nga drejtuesit kryesor të Institutit të të Përndjekurve politike në Tiranë. Në këtë periudhë ka qënë edhe këshilltar i ministrit të Ekonomisë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1992, Tasimi garoi nën siglën e Partisë Republikane në listën maxhioritare për zonën Sukth-Ishëm. Rezultati i tij ka qënë nga më të mirët që ka arritur PR në të gjitha legjislaturat. Tasimi kujton sesi në fillim e kishte refuzuar kandidaturën dhe sesi më pas ia kishte mbushur mendjen miku dhe “Mesuesi i tij në politik”, Sabri Godo. Me humorin e tij të këndshem profesor Sabriu i kishte thënë: “Pranoje kandidaturën Tasim. Së paku do marrin vesh se mos ke qënë spiun i sigurimit”. Ky ishte një argument i mjaftueshëm që Tasimi të pranonte.

Një pjesë e vecantë e karrierës së Tasimit është ajo që lidhet me bashkëpunimin me Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Barit si dhe me një sërë universetetitesh të tjera në Itali. Për disa vite atje ka qënë edhe profesor me kontratë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Barit në katedrën e Politikës Ekonomike.

Nga viti 1996 bën pjesë në grupin e studimit Zhvillimi njerëzor i qëndrueshëm në Shqipëri  së bashku me profesorë e studiues të Universitetit të Barit, të Universitetit të Potences, të Politeknikut të Barit e të Qëndrës Meridionale të Studimeve Sociale. Bashkëpunimi i tij ka qënë dhe është i cmuar dhe përfundimi me sukses i këtij studimi është rezultat edhe i  kontributit të vecantë të tij. Nga viti 1998 bën pjesë në punimet e një kërkimi shkencor tjetër, iniciuar nga departamenti i Shkencave Ekonomike.. Gjatë vitit akademik 1997-1998 ka qënë Profesor me kontratë pranë Fakultetit Ekonomik të këtij universiteti. Më pas, për disa vjet Tasim Besho ka drejtuar me sukses Agjencinë e zhvillimit ekonomik lokal « Tauleda ». Kjo organizatë u krijua dhe u mbështet nga Programi i OKB Për Zhvillimin Njerëzor në Shqiperi. Me vlerë dhe peshë kujtohet përkushtimi tij si këshilltar ekspert me kontratë për zhvillimin ekonomik lokal për llogari të UNDP Shqipëri (Program i OKB).

6 vjeç në burg

Ne ishim arratisur në vitin 1953 për në Greqi. Na bënë kulak, nisën ta burgosin babanë dhe si rregull vinte radha e arrestimit përfundimtar. Babai ishte trim. Na mblodhi si familje e na tha për arratisjen. Një natë krisëm e ikëm në Greqi. Babai la një letër e cila na ka shpëtuar. Në të shpjegonte se po të ishte puna për t’u arratisur, e bënte më herët pasi hynte e dilte në Greqi me kalë në vitet 1940. merr mall në Filatë, dërgo në Gumenicë, kthe në Delivë, këtë punë bënte im atë si tregtar. Kërkonin ta fusnin në burg disa njerëz të veshur me politikë. Më kujtohet se ishte një Leke Vaso sekretare e dytë në Sarandë. Në letër babai e bënte fajtore këtë. Po në atë letër shkruante se nuk kishte gjë me regjimin. Babai kishte shumë pasuri në bujqësi e blegtori dhe se ishte I familjes tregtare që eksportonte në Evropë djath. Në burgun e Sarandës na ndanë në një qeli babanë dhe në një qeli tjetër unë, nëna e motra së bashku. Ishte 24 qershor. Na dhanë një dyshek e një batanie. Dhoma kishte dritare të vogël. Isha fëmijë dhe kisha nevojë të dilja disa herë në banjo, por derës i duhej rënë disa herë dhe shumë që ta hapte.  Policia e bëri një herë, dy herë, pesë herë deri sa i plasi shpirti. Na la derën hapur, pa kyc. Nuk i kisha mbushur 9 vitet, kurse morta ishte dy vite më e vogël. Ishim në katin e dytë të qelive. Në koridor dilnin ca djem të bëshëm, të fuqishëm. Të lidhur i dërgonin në banjë dhe po ashtu i kthenin në qeli. Mua nuk ma varte më njeri ngase isha fëmijë. zbres një ditë shkallët dhe dal në oborrin e burgut. Ca policë luanin domino. Nuk dija por i ndiqja me vëmendje lëvizjet e tyre. Me kalimin e kohës kuptova edhe logjikën e lojës. Një ditë ishin tre policë. Ai që ishte tek më tha “do luash ti?”. U ula dhe nisa të lozja dyshe. Fituam gjithë ndeshjet. Kuzhinieri sillte copat e bukës të cilat ia dërgoja në qeli nënës e motrës. Dalë nga dalë mësova ku ishte qeli e babait. Dera ishte prej druri dhe jo e puthitur. U ula poshtë dhe pashë babanë. Fola më të dhe më pas ai më jepte porosi për t’ia dërguar lart nënës. Porositë e nënës ia dërgoja babasë dhe kështu sa andej-këndej. Më kapi një polic. iu rrëshqita nga dora e ika tek nëna e i thashë se më kapi Dule. Nëna më thotë mos pranoj ku kam qenë dhe të mos tregoja që kisha takuar babanë. hetuesi im më torturon, jo fizikisht e më pyeste ku është babai, ka duart e lidhura apo jo, kishte a jo mjekër? të tilla pyetje. Unë e dija mirë se i fusja fetë buke nën derë. Edhe disa të burgosurve grekë u fusja fetë buke. Grekët e 1949 që i kishin zënë i merrnin një nga një e i pushkatonin. Duke ndenjur me policë, me të cilot lozja domino, merrja vesh se cili e kishte rradhën për t’u pushkatuar sipas qelive. Për të mos vdekur të uritur, u fusja nën derë fetë buke. E dija cili e kishte rradhën dhe nuk doja qëc ata të shkonin në botën tjetër të uritur. Meqë unë nuk flisja një ditë më thotë hetuesi se do të më mbyllte brenda dhe se unë do të kujtohesha ku ishte qelia babait. Ai më tregoi se pas pak do të vinte polici e do të më varte në tavan nga koqet dhe se atje mund të dilnin minj të mëdhenj të më hanin. U tremba shumë. Loja me domino më bëri mbret të burgut.

Arratia e Bilal Xhaferrit

Njohje të vecantë Bilal Xhaferi kishte me dy-tre persona. Ishte Bedri Miftari, poeti që ndërroi jetë para pak kohësh, Sadri Ahmeti ndërsa unë Bilal Xhaferin e kisha edhe kushëri, edhe mik e shok. të madh.  ne ishim shokë shuë të ngushtë të Bilalit. Më cuan ushtar në xhenjo në Tiranë, Elbasan Mirakë… Sa shumë ushtarë janë vrarë në syrin tim dhe kjo vetëm për shkak se mungonin kushtet më elementare.  , Kisha mbatuar institutin dyvjecar në Shkodër për Matematikë dhe universitetin e Tiranës në shkenca matematikore. Tiranës në kohën që më cuan ushtar në xhenjo. Universitetin e mbaroma me rezultate shumë të mira. Një pjesë të ushtrisë më dërguan ta krueja në Krujë. Sadriu ishte dezenjator në Krujë. Oficerët më respektonin. Një ditë teksa kisha dalë n qytet për të bërë pazarin. më vjen një operativ sigurimi të cilin e dallonim lehtë se isha ushtar i vitit të dytë. Hetuesi ishte nga zona jonë, fshat minoritar. u Fuitëm në një klub në katin e dytë, më i miri klub që kishte Kruja. Unë nuk u ndjeva mirë. Vjen një burrë civil. Shefi ynë e fton për kafe. Operativi më tregon se ishte punonjës në Komitetin Qendror. Më ftoi të piniom një kafe. Dolëm në shëtitje dhe muhabeti ishte rreth Bilasl Xhaferit. Bilali duke qenë shkrimtar shumë i njohur kishte bërë relacionin për romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë.  Unë dhe hetuesi në bisedë flisnim mirë për Bilalin, kujtonim shkrimet, vardhe e fragmente të Bilal Xhaferrit. Ai këmbëngulte më mësonte se cfarë fliste Sadriu. Unë e nuhata dhe I bëra edhe kurthin duke i thënë se Sadriu ka ca vargje të fshehta. Hetuesit kaq iu desh për të rritur vigjelencën. I thashë se Sadriu tregonte se femrat me gjunjë të hollë e kanë organin e ngushte dhe ato me gjunjë të gjerë, organin e madh. Ai mendonte dhe priste se unë do thoja gjëra të rëndësishme për të, por ndodhi ndryshe. Të neërmen nuk u takuam më tek vendi që kishim lënë dhe kuptova se hetuesi ishte larguar pa njoftuar ngase nuk mundi të nxirrte asgjë nga goja ime as për Bilal Xhaferrin dhe as për Sadri Ahmetin. Me kalimin e ditëve vjen Argjil Ligori nënkryetar dege, me sa më kujtohet, Ai më kërkon mua. Më ka mbetur një simpati e madhe për të. Nuk më bënte presion për të kërcënuar se do të më bënin këtë e atë ndaj meje, babait, nënën e motrës. U ulëm një ditë me të në kodrën ku sot është monumenti kushtuar piktorit  Ibrahim Kodrës, tek kalaja. Firmose, më thoshte. Kundërshtova duke I thënë se kusdho njeri që do të bëjë dëm ndaj partisë do e kritikoja vet dhe po nuk u bind do të shkoja vet tek organet përkatëse për të denoncuar. Kundërshtimi im më duket se i pëlqeu dhe me rrahu shpatullat e ikëm. Kjo më ndihmoi pasi nuk u tentua më të më kompromentonin.

Përkushtimi

Lektor në Universitetin e Barit dhe ka dhënë Politikë Ekonomike. Disa studime. Jemi grupi profesorëve. Kam qenë professor me kontratë me të gjitha dokumentet legale. Marrëdhënia mes universiteteve. Më ftoi universiteti Venecias. Në La Sapienca kam dhënë disa leksione për student, orë të rralla. Në foglia kam dhënë më shumë. me Tauleda kam pasur përvojë të mirë dhe të gjatë. Kam qenë ekspert internacional për cështjet e zhvillimit ekonomik lokal. Programet i zbatuam me shumë vëmendje në vendin tonë. Kontratë kam pasur me OKB, me PNUD-in në Tiranë. Fillimet me shoqatat, pra përvopja e parë ishte prania ime tek Tauleda dhe që financohej nga Tauleda. Me mbylljen e saj kalova tek PNUD-i. Kontratat kanë qenë shumë serioze dhe janë zbatuar me shumë kujdes nga palët nënshkruese. Kam qenë në Vashington në kohën që shërbeja në Institutin e të përndjekurve politik. Asokohe kryeministër ishte Fatos Nano. Qe vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë dhe m’u desh të bëja përkthyesin pasi përkthyesja e kishte të vështirë të ndiqte linjën e bisedës. Ndërhyrja ime fillimisht që sa për të bërë një sqarim dhe më pas m’u desh të mbuloja përkthimin. Palët e bisedimeve u kënaqën . Gjëja e parë që bëri Komuniteti Evropian në Shqipëri ishte krijimi i një strukture të saj me ekspertë. Struktura komandohej nga një bord dhe në Shqipëri kryetar bordi isha unë. Bëhej fjalë për kredi që vinin përmes financimeve që bëheshin nga FARE dhe që paguheshin nga Këshilli. Kreditë ishin për furra buke, punishte, baxho, traktorë me goma, kombajna, mjete mekanike etj. 10 mijë dollar jepeshin për aplikantet dhe fituesit nga ky projekt. Brenda një viti janë dhënë mesatarisht 6 milion dollar, shumë e madhe. Shifër marramendëse nëse do të kujtojmë se bëhet fjalë për vitet 1994-1996. Ky është program i parë që aplikohej në Shqipëri. Bordin e kryesoja unë, ndërsa anëtarë ishin Tomorr Golemi, Kelmendi si kryetar bashkie në Tiranë, Arben Malaj ishte menaxher. Tek Malaj kam shërbyer edhe këshilltar. Ndihem I kënaqur për shumë gjëra. Për tre vite kam qenë drejtor I privatizimit në Durrës. Nuk kishte gjë që nuk kalonte nga dora ime. Privatizuam të gjittha ndërmarrjet e lokalet së bashku me dyqane, ndërkohë që unë nuk kam marrë asnjë qindarkë dhe nuk trashëgova qoftë një lokal të vogël. Me të parin komitet pluralist, më morën një nga 15 specialistët më të mirë në Durrës dhe ky ishte vlerësim. Me kalimin e viteve më bënë shef seksionit tregtisë, shef i sektorit shkencor dhe programimit,  drejtori I drejtorisë ekonomike në kohën kur Fatos nano ishte kryeministër. Isha edhe njeriu më me pushtet tek Instituti Përndjekurve politik. Kur Majal u bë ministër Finance shkova dhe e takova. Bëhej fjalë për një million lekë. I nxorëm këto lekë dhe me këtë shumë të përndjekurve, sipas një grafiku, shpërndamë shtëpi për ta, ndërsa unë nuk fitova as edhe një pllakë. Për shkak të pozicinit shtetëror kam qenë në Ametikë, Belgjikë, Itali, Zvicer dhe vende të tjera në rajon në kuadër të organizimit të simpoziumeve e takimeve për projektet përfituese të financimeve për Shqipërinë.

Studime e veprimtari

Në pjesën më të madhe të punëve e studimeve të tij Besho është autor i vetëm, ndërsa në një pjesë të tyre është bashkëautor me specialistë, ekspertë e shkencëtar të njohur si brenda ashtu edhe jashtë vendit e vecanërisht me profesorë të shquar të disa universiteteve italiane. Pjesa më e madhe e punimeve janë referuar në veprimtari të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare si në Shqipëri ashtu edhe jashtë. Një pjesë e punimeve vetjake janë publikuar si botime më vete në Shqipëri dhe në Itali. Po ashtu një pasqyrim mbi veprimtarinë e tij i gjejmë në shtypin e përditshëm e në botimet periodike apo edhe si botime më vete duke filluar nga fundi i viteve 70 e në vazdhim.

Përdorimi i metodave matematikore në rritjen e prodhimit dhe në programimin ekonomik të ndërmarjeve e të sektorëve të prodhimit

Disa shkrime e botime rreth kësaj veprimtarie janë;

-Të kursesh tokën e të mbjellësh qiellin, matematika për krijimin e një baze foragjere të fuqishme

– Domosdoshmëria e përdorimit të metodave matematikore në ndihmë të zgjdhjes së disa problemeve në blegtori.

-Mbi dobitë e përdorimit të metodave matematikore në bujqesi e blegtori, bashkëpunëtor Prof. Kristian Bukuroshi, Drejtori Institutit të Informatikës dhe Matematikës së aplikuar.

-Frytet e një organizimi dhe drejtimi shkencor

-Metodat matematikore në shërbim të prodhimit blegtorial, botim i SHPB Tiranë 1985.

-Metodat matematikore, kërkesë e kohës.

-Mbi korrelacionin ndërmjet M e C në teorinë e funksioneve me variabla reale.

-Përdorimi i metodave statistikore dhe informatizimi i të dhënave mbi tokat e kripura

-Taksat dhe tatimet në Republiken e Shqipërisë. Konferencë shkencore realizuar në Tiranë me mbështetjen e Komunitetit Evropian

-Ekonomia e sotme shqiptare dhe perspektiva e saj.Konferencë italo-shqiptare.

-Plani strategjik i zhvillimit të Durrësit për vitet 1996-2000

-Durrësi, popullsia dhe ekonomia, botuar 1998

-Sviluppo Umano Sostenibile, realizuar në Itali në bashkëpunim me disa universitete italiane. Botuar në Itali:  Editore Franco Angeli S.r.l. Milano Italy. 1a edizione  1999. Argomenti: Economia europea e internazionale, pp. 496,  Prezzo: € 49,00

-The role of fiscal policy in the process of reconversion and groëth of transition economies”- fillimi 1998 – realizuar në bashkëpunim me prof. A.Troisi, Universiteti i Foxhias. Referuar në veprimtari universitare ndërkombëtare në Univesitetin e Foxhias si dhe në atë të Tiranës.

-Leksione të Shkencës së Financave”. Teksi origjinal: “Lezioni di Scienza delle Finanze”  di M.Leccissoti. Tekst universitar përkthyer në shqip dhe botuar nga Elite ne vitin 2000 (fq 646).

*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!