Ballina Kosovë Çitaku: Deklarata e Kurtit është skandaloze, po kërcënon qytetarët që nuk votojnë...

Çitaku: Deklarata e Kurtit është skandaloze, po kërcënon qytetarët që nuk votojnë për VV-në

109
0

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas fjalimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në fushatën hapëse të balotazhit, duke e quajtur deklaratën e tij skandaloze dhe kërcënim të hapur ndaj qytetarëve.

Në një postim në Facebook, ajo shkroi se Kurti u tha qytetarëve se nuk do të mbështesë komunat që nuk votojnë kandidatët e tij në balotazh.

“Sonte kërcënoi hapur qytetarët e Kosovës, duke u thënë se nëse nuk votojnë për vasalët e tij, ai si kryeministër nuk do t’i mbështesë”, shkroi Çitaku, duke shtuar se një praktikë e tillë është ushtruar qysh në ditën e parë të qeverisjes së VV-së.

Ajo përmendi edhe komunat e udhëhequra nga PDK-ja që, sipas saj, kanë marrë “0 euro” nga buxheti qendror, ndonëse kanë rezultuar më të mirat në vlerësimet për transparencë, menaxhim financiar dhe qeverisje të mirë.

“Skandaloze ishte shkalla e arrogancës dhe përbuzjes ndaj qytetarëve. A.K, ti fole sonte”, tha Çitaku.

Në përfundim, ajo tha se qytetarët do të japin përgjigje nga kutitë e votimit

“Më 9 nëntor qytetarët do të flasin. Dhe atëherë do ta kuptosh se ky popull as nuk nënshtrohet, as nuk shantazhohet.”

Reagimi vjen pas deklarimeve të Kurtit, i cili tha se nuk do t’i japë buxhet komunal kryetarëve “që s’dinë të punojnë” ose “vjedhin”, çka ndezi valë reagimesh nga opozita dhe kryetarë komunash.