Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor i ka hequr të drejtën e tregtimit të barnave të rimbursueshme kompanisë CFO Pharma. Sipas vendimit të Fondit, kompania CFO Pharma nuk lejohet të tregtojë më ilaçe të rimbursueshme, por mund të vazhdojë shitjen e barnave në treg të lirë.
Vendimi i marrë javën e kaluar vjen pas skandalit me rimbursimet fiktive, që u denoncua nga kompania italiane Chiesi dhe kompania nënkontraktore e saj në Shqipëri, Medicamenta. Kjo e fundit kallëzoi penalisht në prokurorinë e Tiranës, CFO Pharman e zotëruar nga Nadir Çausholli për mashtrim dhe rimbursime fiktive me dy ilaçe, të cilët përdoren për kursimin e astmës.
Skandali i publikuar fillimisht nga Kapitali u konfirmua nga hetimi i prokurorisë. Dy javë më parë, prokuroria e Tiranës urdhëroi kontrolle në ambientet e CFO Pharmas dhe dy kompanive të tjera, që dyshohen si satelitë të saj, për të cilat Prokuroria dyshon se janë të përfshira në skemën e mashtrimit me rimbursimet fiktive.
Ndërkohë, paralel me hetimin e Prokurorisë së Tiranës ka dhe një tjetër hetim në SPAK, ku është kallëzuar ish drejtori i FSDKSH, Spartak Zekja. Ky i fundit u kallëzua në SPAK nga ish drejtori i kontrollit të Fondit, si i përfshirë në çështjen e rimbursimeve fiktive.
Një muaj më parë, Zekja u shkarkua nga drejtimi i FSDKSH dhe në vendin e tij u emërua Arti Papajani. Por skandali i përsëritur i rimbursimeve fiktive tregoi edhe një herë babëzinë barbare, e cila nuk ndalet para asgjëje, duke vjedhur edhe sëmundjen.
Deri më tani, Prokuroria e Tiranës dhe SPAK nuk kanë lëshuar asnjë masë për këtë skandal kriminal, përsëritja e të cilit ngre dyshime të forta për përfshirjen e strukturave shtetërore, jo vetëm në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, por edhe në ministrinë e Shëndetësisë.
Vjedhja e ilaçeve për të sëmurët do të duhet të ishte një vijë e kuqe, por skandalet e përsëritura tregojnë se si ministria e Shëndetësisë ashtu dhe FSDKSH janë dy institucione të kalbura nga korrupsioni deri në pikën që vjedhin edhe sëmundjen.







