Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kërcënuar se do të dërgojë ushtrinë në Nigeri nëse vendi më i populluar i Afrikës nuk ndalon atë që ai e përshkroi si vrasje të të krishterëve nga islamistët.
Trump tha se i kishte kërkuar Pentagonit të hartonte një plan të mundshëm sulmi, një ditë pasi paralajmëroi se krishterimi po “përballej me një kërcënim ekzistencial në Nigeri”.
Nigeria është e përfshirë në konflikte të shumta që ekspertët thonë se kanë vrarë si të krishterë ashtu edhe myslimanë pa dallim.
“Nëse qeveria nigeriane vazhdon të lejojë vrasjen e të krishterëve, SHBA-të do të ndalojnë menjëherë të gjitha ndihmat dhe asistencën për Nigerinë dhe mund të hyjnë në atë vend tani të turpëruar, ‘me armë zjarri’, për të zhdukur plotësisht terroristët islamikë që po kryejnë këto mizori të tmerrshme”, tha Trump.
“Me anë të kësaj po i jap udhëzime Departamentit tonë të Luftës që të përgatitet për veprime të mundshme. Nëse sulmojmë, do të jetë i shpejtë, i egër dhe i ëmbël, ashtu siç banditët terroristë sulmojnë të krishterët tanë të dashur”, shtoi ai, duke paralajmëruar qeverinë nigeriane se “më mirë të veprojnë më shpejt”.
Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth iu përgjigj shkurt: “Po zotëri.”
“Departamenti i Luftës po përgatitet për veprim. Ose Qeveria Nigeriane do të mbrojë të krishterët, ose ne do t’i vrasim terroristët islamikë që po kryejnë këto mizori të tmerrshme”, tha Hegseth.







