Ballina Dossier Bilal Xhaferri: Nuk e tradhëtoj kurrë këtë popull dhe atdheun

Bilal Xhaferri: Nuk e tradhëtoj kurrë këtë popull dhe atdheun

82
0

“Ju më privuat plotësisht, më mohuat, më zhdukët për së gjalli si letrar. Nuk e tradhëtoj kurrë këtë popull dhe atdheun, edhe pse emigroj larg”, thuhej në letrën e Bilal Xhaferrit, të lënë në postën greke të policisë kufitare, ku u dorëzua pas arratisjes nga Shqipëria, në vitin 1969.

Xhaferri u vu në pëpunim 2/B në dhjetor të vitit 1963. Në prill të vitit 1964 kaloi në përpunim 2/A, për t’u survejuar për 23 vjet me radhë, në vend dhe jashtë tij, në SHBA, ku u vendos pas arratisjes në Greqi, në vitin 1969.

U mor në përpunim aktiv si i dyshimtë për veprimtari të organizuar armiqësore. Po kështu u hetua dhe u përndoq rrethi tij miqësor.

Babai tij Xhaferi (në kujtim të së cilit ai mban mbiemrin) u pushkatua nga partizanët, se ishte me Ballin Kombëtar. Sipas raporteve, Xhaferr Hoxha, u konsiderua si “shtresë e pasur fshatare, se kishte tokë e blektori” dhe se “ka luftuar me armë në dorë kundër partizanëve”.

I mbetur jetim, Bilalin e rriti gjyshi, në Markat të Sarandës. Të dhënat e raportuara tregojnë se Bilali u detyrua të bëjë punë të rënda, por lexonte shumë dhe merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve në qytetin e të tij.

Për shkak të biografisë u vu në përpunim 2/B. U survejua ngado, edhe në Rrëshen, ku u njoh me Musine Kokalarin, e internuar.

“Do t’i bëhet kontroll postar për të parë karakterin e tij me elementin armik, si Musine Kokalari… e të tjerë të internuar në Rrëshen, me të cilët objekti ka pasur lidhje të ngushta para se të vinte ushtar,” thuhej në planin e masave agjenturalo–operative.

Në një letër që i shkruante mikut të tij, Xhaferri shprehte vlerësimet për Musine Kokalarin. Në raportet e survejimit thuhej se “Musine Kokalari vepron si konsulente letrare, duket se marrëdhënia mes tyre është normale dhe Bilali kërkon mendimin e saj për gjërat që shkruan. Marrëdhëniet janë të kufizuara, pasi Musineja rri e izoluar”.

Deri dy ditë para se të arratisej, shkrimtari Bilal Xhaferri punoi në sektorin e fermës “8 Nandori” Sukth, punëtor në Brigadën e Vreshtave, ku u transferua pas debatit të hapur në Lidhjen e Shkrimtarëve.

Në postën greke të policisë kufitare ku u dorëzua, ai la një letër ku deklarohej “se nuk ishte fajtor dhe se e deshte atdheun e tij”.

Përndjekja e Bilal Xhaferrit vijoi edhe gjatë qëndrimit të tij në SHBA. Në dosje ka elementë të shumtë që hedhin dritë në dinamikat e jetës së tij në atdhe, ku u dënua nga sistemi dhe u survejua, po ashtu jashtë tij, ku u ndoq deri kur mbylli sytë në vitin 1986. Dosja u arkivua më 10.04.1987, me vlerë studimi.