Operacioni kombëtar për vendosjen e ligjshmërisë në territor për ata që ndërtojnë pa leje, përtej lejes, apo për qëllime fitimi, ka nisur e po shtrihet në zonat rreth Tiranës, ku ndërtuesit, mbikyrësit, inspektorët, që kanë shkelur kushtet e lejeve për vila e godina të shtrenjta, do të përballen me masat administrative e penale, që parasheh legjislacioni në fuqi.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, Kryeinspektorja e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Blendi Sulaj dhe përfaqësues të IMT-së dhe IKMT-së, inspektuan sot në Farkë aksionin për bllokimin e disa objekteve të ndërtuara në shkelje të lejes, duke dhënë mesazhin e qartë për vendosjen e ligjshmërisë në territor.
Pas inspektimeve në terren dhe atyre ajrore me dron, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me IMT-në dhe IKMT-në ka konstatuar shkelje që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
“Sot jemi në një aksion, i cili ka nisur në të gjithë territorin e Farkës dhe ka të bëjë me garantimin dhe zbatimin e ligjshmërisë në të gjitha ndërtimet që janë duke u zhvilluar në këtë territor. Pas inspektimeve në terren dhe monitorimit nga ajri me dron, Policia e Shtetit në bashkëpunim me IKMT e IMT kanë konstatuar një sërë paligjshmërish lidhur me ndërtimet që po zhvillohen në këtë territor,” deklaroi Ministrja Koçiu gjatë inspektimit.
Ajo theksoi se ky operacion është pjesë e një procesi më të gjerë që ka nisur prej muajsh për lirimin e hapësirave publike dhe do të pasohet nga një aksion kombëtar kundër ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin. Sipas saj, të gjitha masat po zbatohen mbi bazën e paketës së fundit ligjore, e cila forcon mekanizmat e kontrollit të territorit dhe sanksionet ndaj çdo abuzimi.
“Dua të theksoj që gjithë ky aksion vjen në vazhdën e paketës së masave ligjore të hyrë në fuqi në fillim të muajit tetor, të cilat kanë për synim të garantojnë e zbatojnë masa e sanksione konkrete. Këtu kam një thirrje për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të blejnë një pronë, që duhet të bëjnë shumë kujdes në verifikimin e statusit ligjor të saj dhe të lajmërojnë organet kompetente për çdo parregullsi apo situatë abuzive me pronën. Ky është një aksion që do të vazhdojë deri ditën e fundit për të garantuar ligjshmërinë dhe për të mbrojtur gjithë territorin e vendit nga çdo lloj abuzimi me pronën publike,” theksoi Ministrja e Punëve të Brendshme.
Aksioni synon të vendosë rend dhe rregull në territor, të mbrojë pronën publike dhe të garantojë zhvillim të qëndrueshëm.
“Askush që ka një leje ndërtimi apo del përtej lejes së ndërtimit nuk do të lejohet të përfitojë asnjë metër katror më tej se leja e dhënë. Dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që ndërtojnë apo shesin objekte që nuk do ta kenë të mundur të përfitojnë asnjë metër katror të zaptuar padrejtësisht dhe në mënyrë të paligjshme,” shtoi Ministrja.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, vuri në dukje se “ky është një rast ku ne kemi konstatuar një paligjshmëri dhe tejkalim të lejes së ndërtimit dhe Policia e Shtetit do të kryejë të gjithë veprimet në bazë të ligjit për të proceduar personat që kanë abuzuar me këto leje, qofshin këta edhe zyrtarë të shtetit, si dhe do të mbështesë për sigurinë e këtyre operacioneve të gjithë inspektoratet që do të veprojnë në terren”.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj bëri me dije se “si në këtë rast, por edhe në shumë raste të tjera në zonën e Farkës, Lundrës, zona në të cilat kemi konstatuar si bashki e Tiranës, në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera, shikojmë që ndërtuesit kanë tejkaluar lejet e ndërtimit. Ne si bashki e Tiranës e kemi të qartë kur janë tejkaluar volumet e ndërtimit, kanë dalë jashtë lejeve të ndërtimit, nuk kanë respektuar ligjin.”
Kryeinspektorja e IKMT Dallëndyshe Bici, bëri një apel për ndërtuesit dhe personat e përfshirë në këtë veprimtari që të jenë korrektë në zbatimi e ligjit.
“Dua të bëj një thirrje për të gjithë sipërmarrësit, mbikëqyrësit e punimeve, arkitektët që të jenë të kujdesshëm për zbatimin korrekt të të gjitha masave tekniko-ligjore në fushën e ndërtimit,” u shpreh Bici.







