Ballina Ekonomia ERE shtyn vendosjen e tarifës për detyrimin e energjisë së rinovueshme, sqaron...

ERE shtyn vendosjen e tarifës për detyrimin e energjisë së rinovueshme, sqaron arsyet dhe pasojat

85
0

Enti Rregullator i Energjisë nuk përcaktoi asnjë detyrim për energjinë e rinovueshme, duke nënvizuar në vendimin e tij të fundit se kjo ishte e pamundur të bëhej për aq kohë sa nuk ishin përmbushur kushtet e nevojshme të përcaktuara në ligj.

Enti ju referua metodologjisë së miratuar një vit më parë lidhur me llogaritjen e detyrimit të energjisë së rinovueshme duke nënvizuar se kërkesat e pikës 4.2 mbeteshin të parealizuara.

Kjo do të thotë se Furnizuesi i Tregut të Lirë, që është aktualisht në rolin e Operatorit të Energjisë së Rinovueshme nuk do të mund të marrë një tarifë që i shkon klientit përfundimtar as për vitin 2025 dhe me shumë gjasa as për vitin 2026.

Por çfarë është në fakt detyrimi dhe kush janë palët që paguajnë dhe ato që përfitojnë?

Sipas metodologjisë, “detyrimi për energjinë e rinovueshme” është një tarifë fikse që aplikohet për klientët përfundimtarë për të mbuluar kostot e Operatorit të Energjisë së Rinovueshme në përputhje me sasinë përkatëse të energjisë elektrike të matur dhe të lëvruar nga furnizuesit e tyre përkatës, e llogaritur në përputhje me parimet e përcaktuara në ligjin nr. 24/2023 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet rinovueshme” dhe këtë metodologji”.

Sipas ERE në dispozitat kalimtare të metodologjisë, konkretisht në nenin 10, parashikohet që, përjashtimisht për vitin 2025, Operatorit të Energjisë së Rinovueshme (OER) ose çdo entiteti që ushtron detyrat e tij, i jepej mundësia të paraqiste kërkesë në ERE për miratimin e detyrimit të energjisë së rinovueshme vetëm nëse ishte përmbushur kushti i përcaktuar në nenin 4.2 të saj, që lidhet me lëvrimin e energjisë së blerë në tregun e organizuar të ditës në avancë dhe/ose brenda ditës.

“Duke qenë se gjatë vitit 2025 nuk është realizuar lëvrimi i energjisë në Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX), shoqëria “Furnizuesi i Tregut të Lirë” sh.a., që ushtron detyrat e OER-it sipas VKM nr. 696, datë 13.11.2024, nuk paraqiti kërkesë për miratimin e detyrimit për këtë vit. – Lidhur me sa më sipër, duke qenë se gjatë vitit 2025 kushti i përcaktuar në nenin 4.2 nuk është përmbushur për shkak të mungesës së lëvrimit të energjisë në tregun e organizuar (ALPEX), shoqëria “Furnizuesi i Tregut të Lirë” sh.a., në cilësinë e Operatorit të Energjisë së Rinovueshme (OER), nuk ka paraqitur kërkesë për miratimin e detyrimit për këtë vit dhe rezulton në të njëjtat kushte edhe për vitin 2026” thuhet në parashtrimin e vendimit që mban datën 27 tetor.