Ballina Politika Frutat dhe perimet shqiptare kthehen nga tregjet e huaja për pesticide/ Rama...

Frutat dhe perimet shqiptare kthehen nga tregjet e huaja për pesticide/ Rama flet për “sovranitet ushqimor”

132
0

Dhjetëra tonë fruta dhe perime shqiptare janë kthyer nga tregjet e huaja pasi janë kapur me nivele të larta pesticidesh, duke ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë ushqimore në vend. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama zgjodhi të flasë për “sovranitet ushqimor” në Konferencën Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë, të zhvilluar në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Nga podiumi, Rama theksoi nevojën për mbrojtjen e burimeve natyrore dhe përgatitjen e brezave të rinj të specialistëve, ndërsa lavdëroi drejtuesit e Universitetit Bujqësor për “transformimin” e institucionit.

“Sot Universiteti Bujqësor është kthyer në pararojë të transformimit, ambicies për Shqipërinë e të nesërmes. Pararojë e përgjegjshmërisë së lartë të atyre që trokasin në dyert e universiteteve tona”, – tha Rama, duke mos kursyer as batutat ndaj rektorit demokrat Fatbardh Sallaku.

“Nuk do vinte dita të lavdëroja kaq shumë një demokrat. Por kam kuptuar se kur demokratët nuk kanë flokë, e kam më të lehtë të gjej aleancë me ta”, – shtoi ai me humor.

Në fjalimin e tij, Rama kujtoi edhe momentet e bashkëpunimit me universitetin austriak “BOKU” dhe rritjen me 20% të numrit të studentëve në Universitetin Bujqësor, duke e quajtur këtë një “shenjë optimizmi” për të ardhmen e arsimit bujqësor në vend.

Megjithatë, për ekspertët e fushës, para se të flitet për “sovranitet ushqimor”, Shqipëria duhet të përballet me sfidën bazë të sigurisë ushqimore — që produktet e saj të jenë të sigurta, të kontrolluara dhe të pranueshme për tregjet e Bashkimit Evropian.