Ballina Opinion Fundjava unikale e lidershipit të Partisë Socialiste

Fundjava unikale e lidershipit të Partisë Socialiste

92
0

Fundjavë interesante kjo që lamë pas.
Fatos Nano ish- lideri i Partisë Socialiste u largua nga kjo botë. Lideri i projektuar i të ardhmes Erion Veliaj, tanimë i burgosur, foli për herë të parë pas burgimit.

E shkuara edhe e ardhmja, edhe në këtë rast, nuk mund të ndahen nga e tashmja. Ndaj nuk kishte si të mungonte në këtë skenë lideri aktual Edi Rama.
Ai ishte nën akuzë në gjithë mbrojtjen e Veliajt në Gjykatën Kushtetuese.
Ai ishte pikëllimi që kishte kapluar Ballukun, pikëllim që më duhet ta pranoj e kishte zbukuruar më shumë se kurrë zv/Kryeministren. Ai po ashtu recitoi fjalët e fundit të lamtumirës mbi arkmortin e Nanos, i cili sipas fjalëve të vetë Nanos, “e solli me thonjtë e paprerë nga Parisi” dhe në shenjë mirënjohje Rama dikur e quante “Robert çamçakizi”.

Nuk do t’ja lejoja vetes, të analizoja z. Nano sepse një lider i ikur nga kjo botë i ka llogaritë me Zotin dhe me historinë.
Të njëjtën heshtje meriton edhe z. Veliaj apo çdo pasardhës i liderit aktual të Partisë Socialiste, të cilët nuk e kuptuan se si shtyrja qirasë së morgut politik, po u ofrohej si sukses.

Aq më pak dua të komentoj Ramën. Pasi këto rreshta nuk dalin për një analizë të plotë të liderit, i cili shfaq haptazi sipas rastit dy fytyra, herë atë të predatorit e herë atë të performuesit.
Por kjo “fundjavë liderash” ishte ekselente madje unikale, për të reflektuar mbi themelet e lidershipit. Ishte një rast unikal për të kuptuar mungesën e dhimbshme të tij.

Të menduarit afatgjatë!

Shumica e gabimeve në lidership nuk janë gabime logjike, por dështime perspektive. Mungesa e aftësisë për të menduar në afatgjatë zvogëlon fushpamjen edhe urgjenca bëhet e vetmja strategji. E ardhmja e një kombi nuk ndërtohet duke reaguar ndaj ditëve, ajo formësohet nga liderë mjaftueshëm të pamëshirshëm për t’i injoruar nevojën e ditës, në shërbim të diçkaje më të madhe.
Të menduarit afatgjatë është sfida e refuzimit për të kërcyer me ritmin e të gjithëve. Shumica e liderëve edhe aspirantëve për lidera ngatërrojnë lëvizjen me progresin. Historia shpesh ka treguar se shpërblen dhe vendos në monumentet e nderit, ata lidera që vrapojnë më gjatë në drejtimin e duhur dhe jo domosdoshmërisht më shpejt .

Toni ndërton urat ose ngre mure!

Një lider mund të ketë të drejtë, mund të jetë mendjehollë, madje edhe brilant, por prapë së prapë mënyra e tij e të folurit mund të përcjellë egoizim, duke mos lypur kurrë mirëkuptimin. Toni është struktura e padukshme e kuptimit; ai vendos në një masë të rëndësishme nëse fjalët e liderit ndërtojnë ura apo ngrenë mure. Servirja e një vere të mirë në një gotë të pistë do të ishte metafora e duhur për tonin e përdorur jo rrallë herë nga liderat tanë.

Udhëheqja me anë të shembullit!

Bota ndryshon nga shembulli ynë, jo nga mendimi ynë. Të gjithë mund të shprehin një bindje aq më shumë liderët; por pak mund ti jetojnë bindjet e tyre pa duartrokitje. Një lider nuk fiton fuqinë nga artikulimi i parimeve, por nga mishërimi i tyre. Integriteti është sfida e qetë dhe e vazhdueshme e të bërit të asaj që është e drejtë kur askush nuk po të shikon.

Pranimi i përkohshmërisë!

Një lider i mirë me instikt e di se kohët e mira janë një kontratë qiraje, dhe qiradhënësi është përkohshmëria. Një lider i zgjuar i shijon kohët e mira me një farë përuljeje mirënjohjeje edhe pa frikë.
Kur pranon përkohshmërinë lideri e ka kuptuar se bindja edhe besnikëria nuk të mbrojnë; njohja është mjeti që të ndihmon të shohësh dhëmbët pas sharmit edhe rrezikun pas buzëqeshjes.
Kur pranon përkohëshmërinë nuk bëhesh as mendjemadh dhe as viktimë; as shumë i ngurtë dhe i thyeshëm; as shumë mendjelehtë dhe as i tretshëm. Njerëzit u besojnë liderave me autoritet të heshtur që të qëndrojnë në këmbë dhe prapë të buzëqeshin.

Lideri di të ndahet nga pushteti!

Një lider di të jetë i gatshëm të largohet nga çdo gjë nëse nuk i shërben më qëllimit, përndryshe, ai kthehet në kuratorin e muzeut të versioneve të skaduara të vetes.
Të lësh të shkuarën është një akt guximi dhe njëkohësisht strategji. Të largohesh do të thotë të zgjedhësh të mos negociosh me kufomën tënde politike, pasi karma është një llogaritar hynor edhe iluzioni veç huamarrje që një ditë paguhet .

Trashëgimia e një lideri!
Ajo që e dallon një lider nga drejtuesi është aftësia e tij për të qenë mësues. Ai e kupton që jeta e tij është tepër e shkurtër, por forma e sjelljes së tij edukon brezin e ardhshëm për të qeverisurur. Një lider duhet të sigurohet se ka edukuar e rritur pasardhës të gatshëm që shteti të mbetet i qëndrueshëm, edhe pasi ai të jetë larguar. Kështu lind tradita politike, jo duke ritualizuar në mënyrë arbitrare ngjarje të rastësishme, por nga vazhdimi i fortë i një stili ekzistence që mishërohet fillimisht tek lideri.

Padyshim çdo brez do të përballet me probleme të ndryshme, por transmetimi i forcës së brendshme të grupit që në çdo moment kaotik të ketë ende burra që dinë të dalin në krye, përcaktohet nga Lidershipi.

Ashtu si themelet e një shtëpie, stuhitë mund ta godasin strukturën, mund të lindin kundërshtime dhe sfida, kohërat mund të ndryshojnë, por themeli gjithmonë mbetet.
Është pikërisht mungesa historike e themeleve të lidershipit e cila rrezikon të shndërrohet shumë shpejt dhe lehtë në diktaturë, çensurë, tirani dhe në fund, kur tensioni bëhet shumë i madh, në rebelim.

Ndaj pa frikë këtë fundjavë mund ta konsiderojmë fundjavë historike që tregoi aq shumë për lidershipin e Partisë Socialiste!