Ballina Sport Luis Enrique flet hapur për Dembelen dhe përballjen me Bayernin

Luis Enrique flet hapur për Dembelen dhe përballjen me Bayernin

80
0

Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka folur para sfidës së madhe të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich, duke dhënë detaje për gjendjen e skuadrës, rolin e kapitenit dhe rëndësinë e ndeshjes.

I pyetur për gjendjen e Ousmane Dembele, trajneri spanjoll u shpreh se lojtari është në formë të mirë, por skuadra nuk do të marrë asnjë rrezik të panevojshëm.

“Nuk marrim rreziqe me asnjë lojtar. Por Ousmane është në gjendje të mirë. Ka kryer të gjitha seancat stërvitore gjatë dy javëve të fundit dhe ka luajtur. Ai po përmirëson formën fizike. Do të luajë, natyrisht. Është gati për konkurrencë. Nesër do të vendosim për minutazhin e tij”.

Sa i përket çështjes së kapitenit, Luis Enrique theksoi rëndësinë e Marquinhos në grup.

“Kapitenin e zgjedhin vetë lojtarët. Por mendoj se Marquinhos e ka treguar vlerën e tij, e pamë të gjithë se si u festua pas fitores në Ligën e Kampionëve. Nuk ka dyshim për nivelin e tij, është një person i mrekullueshëm dhe një lider i vërtetë. Jam shumë i lumtur që e kam në skuadër dhe shpresoj të qëndrojë gjatë”.

Në lidhje me rëndësinë e përballjes ndaj Bayernit, trajneri i PSG-së ka thënë:

“Nuk është koha për të vlerësuar ekipin tonë. Duhet të kemi besim. Fitorja nesër është e rëndësishme, si për tre pikët ashtu edhe për pozicionin në grup, që është më i vështiri i kompeticionit. Duam të jemi konkurrues në çdo ndeshje dhe ta shijojmë këtë moment me tifozët tanë”.

Luis Enrique paralajmëroi se asnjëra skuadër nuk do të ndryshojë stilin e lojës.

“Bayern nuk do ta ndryshojë mënyrën e tyre të lojës. As ne. Ndoshta do të bëjmë edhe më shumë, pasi luajmë në shtëpi. Mendoj se mund të përballojmë presionin e tyre dhe t’u krijojmë probleme. Edhe ata janë të fortë. Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar, ku detajet do të bëjnë diferencën. Kush i kontrollon më mirë, do të fitojë. Shpresoj që tifozët të kalojnë një mbrëmje fantastike”.

Në përfundim, trajneri i PSG-së nënvizoi rëndësinë e mbledhjes së pikëve që në fillim të fazës së grupeve.

“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Kemi një kalendar shumë intensiv dhe të vështirë. Duhet të fitojmë pikët sa më shpejt të jetë e mundur. Këtë e bëmë në tre ndeshjet e para dhe duam ta përsërisim edhe nesër”, përfundoi Enrique.