Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas dyshimit se një serb i Kosovës është plagosur e më pas edhe rrëmbyer nga xhandarmëria serbe.
Në reagimin e saj, Osmani thekson se veprimet e Beogradit, të cilat shoqërohen me propagandë dhe dezinformata mbi të drejtat e serbëve në Kosovë, përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin në rajon, përcjell “Bota sot”.
Presidentja ka bërë thirrje për reagim nga bashkësia ndërkombëtare dhe bashkëpunim të skenës politike vendore për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës.
Postimi i plotë
Serbia, e cila çdo ditë bën propagandë e dezinformata për të drejtat e serbëve në Kosovë, ka plagosur dhe më pas ka kidnapuar një qytetar serb të Kosovës.
Kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme.
Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme të Serbisë që kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Ndërkaq skena politike në Kosovë duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e Kosovës nga tendenca të tilla.
            






