Qeveria shqiptare ka shpallur zyrtarisht dështimin total të inceneratorëve. Pasi dogji 60 milionë euro nga paratë e qytetarëve shqiptarë për të ndërtuar inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit, qeveria ka vendosur sot braktisjen e tyre duke shpallur tender për projektimin e një zgjidhje të re të menaxhimit të mbetjeve në qytetin e Fierit dhe atë të Elbasanit.
Tenderi me fond limit 660 mijë euro është shpallur nga Operatori i Blerjeve të Përqëndruara dhe ka si objekt projektimin e Infrastrukturës së Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve në zonat e Mbetjeve Fier dhe Elbasan, pikërisht në dy qytetet ku janë ndërtuar inceneratorët.
Sipas dokumentave të konsultuara nga Kapitali, kompania e përzgjedhur fituese duhet të projektojë zgjerimin e landfilleve ekzistuese të mbetjeve në Elbasan dhe Fier, të cilat u projektuan të vogla për shkak se mbetjet gjoja do të digjeshin nga inceneratorët.
Përveç zgjerimit të landfilleve ekzistuese, kompania ngarkohet të projektojë ndërtimin e landfilleve të reja, Impantet e Mbetjeve Inerte, Impiantet e Rekuperimit të Materialeve e kështu me radhë.
Me pak fjalë, qeveria po nxjerr jashtë loje përfundimisht inceneratorët e kushtueshëm, të cilët nuk punuan asnjë ditë të vetme, duke u kërkuar qytetarëve shqiptarë, që pasi paguan 60 milionë euro për t’u hedhur në kosh, të paguajnë dhjetra milionë euro të tjera, tashmë për ndërtim landfillesh, që të mbajnë plehrat e Elbasanit dhe Fierit./Kapitali







