Ballina Kuriozitete Sa diej ka në Rrugën e Qumështit?

Sa diej ka në Rrugën e Qumështit?

76
0

Rruga e Qumështit përmban miliarda yje dhe NASA vlerëson se në gjithë universin mund të ketë deri në një septilion, shifër me 24 zero. Njëri prej tyre është dielli ynë. Por sa “diej” të tjerë ekzistojnë, varet nga si e përkufizojmë fjalën.

“Shpesh thuhet se dielli është ylli mesatar për nga masa dhe temperatura,” shpjegon Christopher Palma, profesor në Universitetin Penn State. Ai është një yll i sekuencës kryesore G, që djeg hidrogjenin në bërthamë. Për ta matur këtë, astronomët pyesin: sa yje të tjerë G ka në galaktikën tonë?

Një mënyrë për ta kuptuar këtë është përmes dritës. “Në laborator mund të dimë saktë sa molekula ka në një gotë uji, por në astronomi punojmë vetëm me dritën që na vjen nga shumë larg,” thotë Palma. Astronomët krahasojnë ndriçimin e galaktikës me atë të një ylli tipik dhe llogarisin sa të tillë duhet të ketë që të japin të njëjtën sasi drite.

Ne jetojmë diku në mes të galaktikës dhe nuk mund ta shohim të gjithën, ashtu siç një person brenda një reje nuk mund të shohë formën e saj. Megjithatë, nga drita që lëshon Rruga e Qumështit, mendohet se ajo përmban qindra miliarda yje, ndoshta mbi 100 miliardë. Prej tyre, nga 5 deri në 10 për qind janë të ngjashëm me diellin.

Nëse Rruga e Qumështit përfaqëson një galaktikë tipike, atëherë astronomët mund të llogarisin sa galaktika të tilla ka në univers dhe, për rrjedhojë, sa yje gjithsej. Astronomi Carl Sagan e krahasonte këtë me sasinë e kokrrave të rërës në të gjitha plazhet e Tokës. Edhe këtu, rreth 10% mund të jenë yje të tipit diell.

Në hapësirë, disa prej këtyre yjeve janë të vetmuar, të tjerë ndajnë sistemin me dy ose tre yje, por zakonisht një yll ka disa planetë. “Ne kemi tetë, por janë gjetur sisteme me shtatë,” thotë Palma.

Sa për planetët që mund të mbështesin jetën, aty gjërat bëhen edhe më të paqarta. Arsyeja është se yjet ndriçojnë miliarda herë më shumë se planetët, duke i bërë këta të fundit pothuaj të padukshëm. “Nëse dielli është si një fanar, Toka është si drita e një fluture nate,” shton Palma.

Pyetja bëhet edhe më delikate kur shtrohet ndryshe: a duhet që një planet i ngjashëm me Tokën të ketë domosdoshmërisht një yll si dielli? “Kjo është pyetja një milion dollarëshe,” thotë Kevin France nga Universiteti i Kolorados.

France studion marrëdhënien midis yjeve dhe planetëve të tyre. Fushat magnetike të yjeve rrotullohen dhe përkulen duke prodhuar rrezatim të fortë; me kalimin e kohës, ky rrezatim ndryshon dhe mund t’i zhveshë planetët nga atmosfera. Vetëm ata që e përballojnë këtë periudhë intensive mund të ruajnë kushtet për jetë. “Nuk mund ta ndash planetin nga ylli i tij,” thotë ai. “Janë të lidhur.”

NASA po përgatit Observatorin e Botëve të Banueshme, që do të dërgojë në hapësirë një instrument për të bllokuar dritën verbuese të yjeve, në mënyrë që të zbulojë “fluturat e dritës”, planetët që i rrethojnë. Për çdo foton planetar, pajisja do të duhet të filtrojë rreth dhjetë miliardë fotone yjore.

Kur teleskopi të fillojë të kapë mjaft yje të afërt, kërkimi do të nisë: cilët prej tyre kanë planetë në distancën e duhur, dhe cilët prej këtyre planetëve mbajnë gjurmë atmosferike që mund të nënkuptojnë jetë?

Teknologjia ende po zhvillohet, por njerëzimi ndodhet në një moment të veçantë. “Ne jetojmë në një kohë me fat, në pragun e mundësisë për t’iu përgjigjur një prej pyetjeve më të vjetra të njerëzimit,” thotë France. “A jemi vetëm?”