Sipas të dhënave më të fundit të platformës Our World in Data për vitin 2024, Shqipëria ka arritur një GDP për frymë prej 18,920 dollarësh (në vlera të barazvlefshme të fuqisë blerëse të vitit 2021), duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitet e kaluara dhe një zgjerim ekonomik pas periudhës së pandemisë. Kjo ka ardhur kryesisht për shkak të përditësimeve më të fundit të bëra në databaza pas Censit 2023.
Megjithatë, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, Shqipëria mbetet ende në fund të renditjes rajonale, duke kaluar vetëm Kosovën, me 16,380 dollarë për frymë, me një diferencë të moderuar prej rreth 2,500 dollarësh. Më tej, Bosnja e Hercegovina qëndron në një nivel më të lartë, me 20,430 dollarë, ndërsa Maqedonia e Veriut e kalon ndjeshëm Shqipërinë me 24,460 dollarë për frymë.
Më lart në spektrin ekonomik rajonal renditen Serbia me 26,880 dollarë, dhe Mali i Zi, që ruan pozicionin më të lartë ndër vendet joanëtare të BE-së, me 27,850 dollarë për frymë.
Ndërkohë, vendet e rajonit që janë pjesë e Bashkimit Evropian paraqesin një shkallë dukshëm më të lartë zhvillimi: Greqia arrin në 37,750 dollarë, Rumania në 40,610 dollarë, dhe Kroacia në 42,630 dollarë. Në krye qëndron Italia, me një GDP për frymë prej 53,120 dollarësh, gati tri herë më e lartë se ajo e Shqipërisë.
Këto shifra tregojnë qartë se Shqipëria ka bërë përparime të ndjeshme gjatë dekadave të fundit, por hendeku ekonomik me vendet e BE-së mbetet i thellë. Megjithatë, ritmet e qëndrueshme të rritjes dhe përmirësimi i indikatorëve të zhvillimit tregojnë një proces të vazhdueshëm afrimi drejt mesatares evropiane, ku sfidat kryesore mbeten produktiviteti, inovacioni dhe diversifikimi ekonomik.
Dinamika e zhvillimit
Që nga viti 1990, Shqipëria ka pasur një rritje të jashtëzakonshme prej 240 % në GDP për frymë, nga 5,561 dollarë në 18,920 dollarë, një nga normat më të larta të rritjes në rajon. Kjo tregon transformimin ekonomik të vendit nga një ekonomi e mbyllur në një treg të hapur dhe në zhvillim.
Por megjithë këtë përparim, diferenca me fqinjët mbetet e theksuar: Maqedonia e Veriut ka rreth 5,500 dollarë më shumë për frymë, Serbia afro 8,000 dollarë, ndërsa Greqia dhe Kroacia dyfishin e nivelit shqiptar.
Me një GDP për frymë prej gati 19 mijë dollarësh, Shqipëria është tashmë më pranë vendeve të rajonit se kurrë më parë, por sfidat mbeten të mëdha: produktiviteti, teknologjia, inovacioni dhe integrimi në tregun e përbashkët europian do të jenë faktorët kyç për ta çuar ekonominë shqiptare në nivelin e mesatares evropiane në dekadën e ardhshme./ekofin.al







