Ballina Dossier Skënder Myshketa Kompozitori, dirigjenti e muzikanti që u dënua nga Plenumi 4...

Skënder Myshketa Kompozitori, dirigjenti e muzikanti që u dënua nga Plenumi 4 i PPSH për të përfunduar punëtor llaçi

155
0

Bulevard news*

Kleri, të arsimuarit jashtë vendi, tregtarët dhe artistët kanë qenë shtresat të cilat e kanë vuajtur më së shumti ndëshkimin politik e moral nga regjimi komunist. Durrësi, duke qenë vend bregdetar fare pranë Italisë, ishte në epiqendër të ndëshkimeve. Këtë fat e pati edhe familja e madhe e Asim Myshketës. Durrësi në fillimet e shekullit 20 kishte një popullësi modeste që përgjithësisht mbahej me tregti, zejtari dhe lundrime. Edhe familja Myshketa, një ndër më të njohurat në këtë qytet, mbijetonte në saj të tregtisë. Por për të gjërat do të rrokulliseshin pas viteve 1945. Fillimisht burgosja e tregtarit dhe më pas konfiskimi qenë të parat sinjale të ndëshkimit. Kaq ishte e mjaftueshme për të dhënë sinjalin e keq për pasardhësit. Skënderi, njëri nga djemtë, që sot është në të 77 vitet, tregon për gazetën se të gjithë djemtë dhe vajzat e Asim Myshketës e patën të pamundur t’i shpëtonin goditjeve politike. I ati u kishte blerë jashtë vendi piano, kitare, violin e fizarmonike dhe djemtë e vajzat e familjes i mësuan një nga një, por pa munduar të bënin karrierë. Lavdinë, nëse do të quhet e tillë, e kapi Skënderi i cili mësoi të lozë në piano, fizarmonikë, kitarë e violinë dhe u bë një nga muzikantët, kompozitorët, dirigjentët e dëgjuar dhe shumë të pëlqyer. Edhe Petriti, Refiku, Shpëtimi me të motrën Ismeten po ashtu. Ndërsa mendonin se e kishin lënë pas të kaluarën e hidhur, lufta e klasave rikthehet për herë të dytë në vitin 1975.

Familja

Asim Myshketa babai i dhjetë fëmijëve do të merrej së bashku me të vëllanë me tregti. E nisi tregtinë teksa ishte fëmijë për ta vazdhuar kështu deri në Çlirimin e vendit, kohë që në pushtet vinë komunistët. Asimi kishte dhjetë fëmijë: gjashtë djem e katër vajza. E nisi rrugëtimin e tregtarit me hapjen e një dyqani për të vazdhuar me një të dytë, me marrjen e nismës për të ndërtuar shtëpi deri tek ndërtimi fabrikës për orizin dhe duhanin. Pas Çirimit të Shqipërisë, në vitin 1945, tërë pasuria e trashëguar konfiskohet. Konkretisht u është sekuetruar dhe konfiskuar 10 shtëpi banimi; një fabrikë orizi; një fabrikë duhani në ndërtim në Shkozet të Durrësit; troje në Durrës tek shëtitorja “Taulantia”; tokë në Kavajë; 8000 m2 truall në Shkozet ku sot është ndërtuar shkolla 9-vjeçare “Bajram Curri” e Plazhit. Poshtë fabrikave kishte dyqane ushqimore dhe veshmbathje apo material ndërtimi dhe të gjitha përfunduan në magazinat e shtetit pa asnjë lloj justifikimi. Për të ngjallur panik ndër familjet më zë në Durrës, regjimi kohës e burgos dhe e dënon dy herë tregtarin Asim Myshketa i cili sëmuret rëndë dhe vdes në qelitë e burgut, ndonëse nuk ishte marrë kurrë me politikë. Tregtari vuante nga diabeti dhe në qeli i kanë bërë shumë insulin deri sa ndërroi jetë jashtë çdo lloj kujdesi shëndetësor. Pikërisht në kohën e burgosjes së kryefamiljarit, u bë edhe konfiskimi i të gjithë pasurisë. Rasti fatkeq do të ndjekë hap pas hapi djemtë dhe vajzat. Familja jetonte tek Odeoni, pallat që njihet nga qytetarët e Durrësit. Të gjithë pjestarët e familjes së Asim Myshketës nxirren forcërisht nga aty dhe në vendin e tyre u sistemua paria e vendit, njerëz të klasës së re politike të cilët e bën Odeonin rezidencën e tyre. Dhjetë djemtë e vajazat, një pjesë të martuar, e ëma, gjyshja, xhaxhai me të shoqen, gjithësej 16-17 pjestarë u detyruan të kalojnë disa vite në një dhomë e kuzhinë tek shtëpia afër shëtitores “Taulantia”, dikur banesë e tyre e shpronësuar nga regjimi komunist. Në vitin 1948 të gjithë i dëbuan në Shkozet ashtu si çdo familje tregtare, ndërsa dy vite më pas fitojnë statusin e rikthimit në Durrës, por këtë herë pa të drejtën e strehimit dhe të punësimit. Familja e madhe jetonte me ato pak të ardhura nga paga e xhaxhait i cili i shpëtoi ndëshkimit si dhe nga rroga e njërit prej djemve. Telashet ishin jo të vogla. Një tufë fëmijësh të mbetur nën mbikqyrjen e nënës. Familja e madhe kishte gjashtë djem: Xhemili i arsimuar në Firence, Ahmeti (punëtor), Petriti (elektricist-muzikant), Skënderi (muzikant), Refiku (marangoz) dhe Shpëtimi (mësues) i birësuar nga xhaxhai si dhe katër motra: Atlije, Makbule, Ismete e Fatmira. Ata shkonin shumë mirë me njëri-tjetrin dhe asnjëherë nuk i dhanë mundësi regjimit komunist të hynte mes tyre.

Instrumenti

Piano, fizarmonikë, violinë, kitarë ishin veglat muzikorë të gjitha të pëlqyera nga djemtë e vajzat e familjes Myshketa. Skënderi dhe Ismetja i binin pianos pastaj atë e mësuan vëllezërit Shpëtim e Refik si dhe nipi Xhani. Qark e qark Durrësit të shkoje në ato vite të paraçlirimit nuk mund të gjeje familje që kishte kaq shumë vegla muzikore. Instrumentet qenë blerë në kohën që Asimi, kryefamiljari, bënte tregti me disa vende. Blinte e shiste në Itali, Zvicër, ish Jugosllavi, Maqedoni, Bullgari, Rumani, Austri. Udhëtimet e shpeshta i dhanë mundësi të merrte kulturë të gjerë dhe të interesohej edhe për orientimin arsimor të fëmijëve. Piano u bë e tyre gjatë një panairi të zhvilluar në Grac të Austrisë. Asimi i blinte për fëmijët me bindjen se do t’u pëlqente të loznin me këto vegla muzikore. Fillimisht djemtë e vajzat nisën të mësonin vet, pa ndonjë mësues. Me hapjen e shtëpisë së pionierit nisën të frekuentojnë kurset. Atje madje morën bazat kryesore. Në moshën 10-12 vjeç djemtë, kryesisht Skënderi, nisën të punojnë nëpër lokale si tek “Adriatiku”, “Moska”, “Volga”, lulishte “1 Maji”, tek pistat e plazhit, në lokale verore duke u rënë instrumenteve. Fillimet e edukatës në piano Skënder Myshketa i mori nga mësuesi Sul Xhevori dhe më pas nga Pjetër Dungu, kompozitori me emër të madh. Vullneti dhe dashuria e veçantë për instrumentet e shtynë atë dhe djemtë e vajzat e familjes të këmbëngulin më shumë. Në fillimet e punës, teksa ishte 13-14 vjeç Skënderi punësohet si i jashtëm dhe me orë të reduktuara pranë lokaleve, bareve dhe lulishteve, kryesisht në periudhën e verës. Me të mbushur 14 vjeç merret nga ndërmarrja tregtare ushqimore shtetërore me pagë. Ditën shkonte në shkollë, kurse në darkë nëpër lokale. Skënderi dërgonte rregullisht rrogën në shtëpi. Familje pavarësisht goditjes së rëndë politike dhe jo vetëm, e ruajti të pacënuar disiplinën, traditën, kulturën dhe edukatën. Për një fëmijë nuk ishte pak të merrte asokohe 4500 lekë, pagë e barabartë me atë të një të riu në fermë, apo edhe në ndërmarrje të tjera. Ende fëmijë Skënderi mori pjesë në aktivitetet e shtëpisë së pionierit dhe u organizuar në klubin e punëtorëve “Kozma Nushi” tek sahati. Institucionet si shtëpia kulturës, klubi “Kozma Nushi”, pallati kulturës bënin shumë aktivitete dhe Skënder Myshketa ishte i pranishëm në të gjitha me piano e fizarmonikë. Merr pjesë gjithashtu në opereta të kompozitorëve vendës e të huaj. Deri në gjimnaz vijon shkollën si të gjithë bashkëmoshatarët. Me të përfunduar këtë nivel arsimor regjistrohet në shkollën e mesme “16 shtatori” në Durrës, por pavarësisht rezultateve shumë të mira në përfundim të studimeve nuk i afrohet asnjë e drejtë arsimimi për të lartën dhe kjo e motivuar politikisht. Djemtë e tregtarit të ndershëm Asim Myshketa do të ndahen nga pjesa tjetër e shoqërisë dhe kjo do të manifestohet sapo ata bëhen të rritur. Të gjithë djemtë do të kryejnë shërbimin ushtarak në reparte pune, pra në vend të armës do të mbanin kazmë e lopatë për të punuar në kanale, këneta, ndërtim. Fati tyre qe paracaktuar që me arrestimin e të atit dhe konfiskimin më pas të të gjithë pasurisë së tundshme dhe të patundshme. Skënderi do të kalojë më shumë se një vit në repartin e punës në fermën “Çlirimi” të Fierit, më pas në Bubullimë të Lushnjes dhe së fundi tek Agipi në Durrës. Petriti vëllai tjetër i Skënderit, e kreu shërbimin e detyruar në repartin e punës në Dushk të Lushnjes duke punuar në bonifikimin e tokave të Myzeqesë. Në reparte të tilla dërgoheshin djem të familjeve me njollë politike, ata që kishin prindër të dënuar e të pushkatuar apo të shpallur kulakë, të arratisur, të tjerë që ishin shprehur kundër regjimit. Ishin nga e gjithë Shqipëria, nga Jugu dhe Veriu.

Artisti

Në qershor të vitit 1960, një ditë pasi dorëzon uniformën, regjistrohet në estradën profesioniste të Durrësit themelimi i së cilës përkoi me lirimin e Skënderit nga detyrimi ushtarak. Kështu emri tij bëhet pjesë e listës së nismëtarëve të estradës, bërthama amatore e së cilës ishte krijuar në vitin 1954 dhe Skënderi edhe asokohe lozte në instrument sidomos në piano e fizarmonike. Kësaj bërthame i përkisnin Gjergj Vlashi regjisor, Ramazan Njala, Spiro Strati, Nikolin Xhoja, Peropi Xhoja, Aishe Stari, Enver Likmeta Aleksandër Pepa e të tjerë, kurse dirigjent qe Enver Mara dhe pasi ai sëmurët pasohet nga Skënder Myshketa. Aty shërbeu si pianist, fizarmonicist, kompozitor, dirigjent deri në vitin 1975, për plot 16 vite dhe po kaq vite kishte lozur si amator në grupe të ndryshme pranë ndërmarrjeve. Pikërisht në këtë vit do të vijë edhe ndëshkimi i rëndë i largimit nga Estrada dhe teatrit pas një vendimi që i kishte rrënjët tek Plenumi 4 PPSH. Në koncertet qeveritare, shumë të preferuara në lokalet pranë bregdetit të Durrësit Skënder Myshketa si muzikant shoqëronte 3-4 solistë profesionist, këngëtarët Qemal Kërtusha, Sotir Afezolli, Liliana Gila dhe Mustafa Beqiri. Skënderi ishte në piano dhe në fizarmonikë vegla që nuk i ndau kurrë. Ishte njeri i besuar nga pushteti dhe politika pasi në të tilla koncerte kërkohej të ishte i pranishëm me çdo kusht, madje i besohej edhe pozicioni i drejtuesit. Muzikë, këngë e melodi për argëtimin e udhëheqësve, delegacioneve të huaja, ministrave, deputetëve. Shpesh i ka ndodhur të jetë vetëm një tavolinë më tej nga  Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Rita Marko e të tjerë krerë të lartë të shtetit shqiptar të kohës. Repertori ishte i ndryshëm, kryesisht me këngë të muzikës së lehtë e marshe, me këngë ruse, polake, rumune, bullgare, çeke, spanjolle, italiane, vietnameze, kineze… Repertori kontrollohej politikisht nga njerëz të caktuar për të kryer këtë proces. Pianon e kishtë shumë për zemër. pas saj edhe fizarmonikën. Kur shkonin në fshat, kamion më kamion për të dhënë shfaqje e koncerte, merrte me vete fizarmonikën. Fshat më fshat në Krujë, Fushë Krujë, Kavajë e Durrës. Cep më cep. Qëndronin një javë në një zonë dhe po aq në zonën tjetër. I merrnin me rradhë, pa kapërcyer asnjë. Për shembull në Kavajë e nisnin: Luz i Madh, Luz i Vogël, Stërblev, Hezdushk, Hajdaraj, Vil Bashtovë, Spille, Kryevidh, Zhabiak… vazdhonin në hyrje të Rogozhinës në Synebardhe e kështu me rradhë. Për ditë të tëra flinin nëpër shtëpi të fshatarëve. Meqë i binte fizarmonikës dhe ishte djalë i ri të gjithë kishin dëshira të ftonin në shtëpinë e tyre. Sekretari i partisë e merrte me vete në shtëpinë që shkonte vet pasi ishte qejfli këgësh dhe ahengu shtrohej deri në të gdhirë. Pjesmarrja në koncerte ishte e madhe. Gratë e vajzat, burrat e të moshuarit ktheheshin të raskapitur nga puna, megjithtë e ndiqnin me shumë kënaqësi estradën e Durrësit  Tërë fshati dilite për të dëgjur këngë e skeçe. Të gjithë aktorët pa përjashtim shkonin dhe bashkë me ta edhe amatorë të ndërmarrjeve dhe vatrave të kulturës së fshatrave. Trupa merrte gjysëm djete që ishte e barabartë me 65 lekë në ditë, gjithnjë nëse nuk ktheheshin nga andej në mbrëmje.

 U bë nami në Kosovë

Në vitin 1973 krijohet ansambli “Durrësi”. Për shkak të kontributit artistik Skënder Myshketa në fizarmonikë do të bëhet pjesë e dy turneve të suksesshme jashtë vendi dhe konkretisht në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi në vitin 1973, 1974. Për një muaj do të kalojë qytet më qytet në të gjitha trevat shqiptare. Në Kosovë ansambli është pritur në mënyrë të jashtëzakonshme aq sa Myshketa thotë se “është bërë nami”. Në përbërje të ansamblit si këngëtar ishin Qemal Kërtusha, Sotir Afezolli, Shazie Dollaku, Shqipe Zani nga opera e Tiranës, Suzana Qatipi nga Elbasani. Valltarët ishin kryesisht nga Durrësi dhe katër çifte nga ansambli shtetit. Edhe muzikantët ishin nga Durrësi e nga Tirana. 50 ishte numri artistëve pjesmarrës dhe drejtues ishte Limoz Dizdari kurse Skënder Myshketa qe ndihmësi tij, në rolin e zëvendësdrejtuesit të ansamblit. Përgatitja për turne zgjati 6 muaj dhe çdo gjë ishte e mirorganizuar. Në Kosovë, Durrësi qe ftuar nga fabrika xehtarisë e Obiliqit, kurse në Maqedoni nga shoqëria artistike “Liman Kaba” e Dibrës. Kosova u bëri pritje të jashtëzakonshme. Skënderi tregon se nuk kishte këngë që të mos përsëritej dy e tri herë. Jo vetëm këngët, por edhe vallet kishin të njëjtin fat, përsëriteshin dhe situata në sallë kalonte të gjithë kufijtë. Nuk kishte ndodhur deri asokohe që vallet të përsëriteshin. Sidomos “Festa e madhe” që mbyllte shfaqjet dhe të gjithë programin ishte shumë e kërkuar ndaj valltarët detyroheshin të riktheheshin në skenë.  Ishte 15 minuta vallja dhe rikthimi në skenë për dy e tri herë do të thoshte shumë. Koncerti i programuar për jo më shumë se 1 orë e 20 minuta shkonte deri në 3 orë apo edhe 3 orë e 30 minuta. Kosovarët kishin përmallim aq sa ishte e pamundur të matej malli tyre. Ishin plot entuziasëm dhe shpërthenin në çastet e përballjes me gupin folklorik. Bëhej fjalë për një mungesë 20 e 30-vjeçare të vizitave të tilla artistike dhe si në Kosovë, edhe në Shqipëri nuk përmbahej publiku. Për vite e vite ishin ndarë burrë e grua, djalë e nënë, miq e dashamirës. Kufiri u bë plagë e madhe dhe e pashërueshme për disa dekada. Skënder Myshketa kujton se si gjatë koncertit çdonjëri kosovar përpiqej me të gjitha mundësitë të prekte dorën e këngëtarit, trupin, rrobat dhe me shumë fat ishin ata që arrinin deri tek përqafimi që pasonte në lotë e thirrje gëzimi. Skena, koridoret, hollet ishin mbushur plot kosovarë që kishin zënë rradhën për t’i përqafuar artistët e Durrësit dhe nuk lëviznin që andej deri sa arrinin pranë tyre. Skënderi edhe sot, pas më shumë se 40 vitesh, kujtohen episode teksa publiku shqiptar në Kosovë u rrëmbente trikot, bluzat, xhupet dhe u merrin erë duke i thithur fort në vetvetet për të shuar mallin e madh për Shqipërinë. Kosovarët pjesmarrës në koncerte u kërkonin këngëtarëve, valltarëve dhe instrumentistëve që të këmbenin shamitë, jelekët, trikot dhe çdo gjë tjetër për t’i ruajtur si kujtim të rëndësishëm në jetën e tyre. Takimi me ansamblet shqiptare të këngëve dhe valleve vlerësohej në Kosove si ngjarje e shënuar dhe çdokush pjesmarrës e quante veten fatlum që pati mundësinë të ishte në koncert. Shfaqjet përgjithësisht kryheshin në darkë dhe në salla të mbyllura, në kinema apo në vende koncertesh. Atje ku nuk kishte salla improvizohej, merreshin karrige dhe vendoseshin në lokale të mëdha për publikun. Ndërtohej podium dhe trupa e koncertit ngjitej lart për të dhënë shfaqjet. Akomodimi bëhej nëpër hotele pasi askush nuk lejohej të shkonte në banesa të pritësve kosovarë. Ekipi kishte jo vetëm drejtues artistik, por edhe punonjës të shërbimit të inteligjencës së kohës të cilët kishin porositur ekipin të tregohej i pjekur dhe i matur me qytetarët. Ishin dhënë porosi të mos merrej asnjë dhuratë dhe të mos bisedohej kokë më kokë. Takimi bëhej në sportel, me një rradhë që nuk kishte të mbaruar. Gjithçka në prani të përfaqësuesit të degës së brendshme. Gjithçka me leje dhe vetëm në hollin e hotelit. Kishte edhe këngë kosovare në repertor. Shumë prej tyre këndoheshin sidomos në kohën që kënga përsëritej pas duartrokitjeve të shumta që vinin nga salla e mbushur tej e tej. Edhe këngë patriotike që zgjonin ndjesinë kombëtare kishte, por gjithçka e kontrolluar më parë. Përgjithësisht ishin lirike, Sa herë që ktheheshin këndonin këngë të Nexhmie Pagarushës, Shpresa Berisha, Sabri Fejzullahu, Bashkim Paçuku. Ata vet kanë shoqëruar ansamblin e Durrësit gjatë gjithë kohës dhe në çdo qytet. Myshketa kujton se grupi ansamblit mund të shëtiste vetëm rreth e rreth hotel “Bozhuri”, atje ku ishin akomoduar. Askush nuk guxonte të shkelte porostitë që ishin dhënë pasi shpagimi do të ishte i pashmangshëm dhe shumë i ashpër. Hera e parë e daljes jashtë Shqipërie për Myshketën ishte takimi ansambleve në Ohër i zhvilluar në korrik. Në të morën pjesë ansamble nga Mali Zi, Maqedonia, Kosova, Shqipëria.

Intervista 

Plenumi IV Komitetit qendror të PPSH i mbajtur në vitin 1975 ndëshkoi shumë artistë. Kishit dijeni se emri juaj ishte në krye të listës për t’u dëbuar nga skena?

Po, deri diku po. Nuk është se kishim mësuar detaje dhe hollësi por që na ishte thënë dhe e kishim dëgjuar. Erdhi edhe rradha jonë. Në estradën e Durrësit nuk u bë asnjëherë ndonjë analizë e hapur. Në mungesën e të gjithë neve që u larguam nga skena, ishte mbledhur dhe kishte vendosur edhe partia e institucionit tonë. Më pas u bë një mbledhje në sallën lart të teatrit “Aleksandër Moisiu”. Na u tha se do të vinin njerëz të partisë. Ishte folur kohët e fundit që artistët do të shpërndaheshin nëpër ndërmarrje dhe nëpër fshatra për të “ndihmuar” krijimin e grupeve artistike. Askush s’e mendonte se artistët do të hiqeshin fare nga puna. Isha i sigurtë se në krye të listët do të isha unë pasi e kaluara politike e familjes sime nuk u pëlqente. Erdhën përfaqësues të partisë dhe ekzekutivit si dhe organizata e bashkimeve profesionale, që ishte vegël e tyre. Nuk e zgjatën. Vendimi ishte marrë me kohë dhe ne nuk na kishte mbetur asgjë për të diskutuar dhe as për t’u mbrojtur.

Ishit shumë artistë në Durrës që u ndëshkuan dhe a u është bërë i ditur motivacioni?

Na thanë vetëm se do të transferoheshim. Vendi punës sonë të re do të mësohej kur ne do të shkonim për të marrë vendimin nga zyra e punës pranë komitetit ekzekutiv. U lexua lista e personave që përfundimisht u larguam nga puna. Në krye të listës isha unë, Skënder Myshketa. Pas meje vinin Zef Ujka skenograf, Rexhina (Shiroka) Kola aktore, Mirush Kabashi aktor, Ali Bega aktor. Zefi ishte i dyti në Shqipëri dhe vinte pas Hysen Devollit, megjithatë nuk deshi t’ia dinte askush. U bë një rezyme biografie për të treguar pse po na hiqnin. Për mua u tha se vi nga një familje e madhe tregtare dhe se im atë ishte më i madh tregtar në Durrës, gjë që nuk ishte e vërtetë. Im atë nuk njihej si i tillë pasi Durrësi numëronte nja 150 tregtarë të tjerë para babait tim. U tha se qëndrimi im moral ishte i mirë, kurse për aftësitë profesionale u tha se isha mesatar edhe pse pata një sërë suksesesh si pianist, violinist, kompozitor, regjisor, fizarmonicist, pjesmarrës në ansamblet popullore dhe orkestrën simfonike. Për vite të tëra mbahesha si muzikanti më i respektuar dhe më i pëlqyer nga partia dhe pushteti. Ulesha në të njëjtën tavolinë me autoritetet më të larta të vendit, me ministra, deputetë, antarë të komitetit qëndrorë të PPSH, me udhëheqës më të lartë. Pra deri asokohe isha më i miri, pas Plenumit të 4 figura ime del ndryshe. Ajo që më preku shumë dhe që nuk duhej të ishte bërë qe heqja e të drejtës së krijimtarisë dhe e debutimit në skenë. Ishte më fatalja. Mirë se po më hiqnin nga puna, po më transferonin, por të shkohej deri këtu ishte pa asnjë lloj logjike. Unë dhe vëllai im kishim punuar nëpër formacione të ndryshme artistike dhe familjarisht nuk ishim bërë kurrë objekt për degën e punëve të brendshme ndaj e pata të vështirë të e kuptoja se deri ku shkonte ndëshkimi. Propozimi për të na larguar ishte bërë nga brenda institucioni teatrit dhe estradës, asokohe një drejtori e përbashkët. Përgjigjet na erdhën pas dy javësh.

Pati kundërshtime pas vendimit të deklaruar nga përfaqësues të partisë dhe të ekzekutivit?

Nuk pati kundërshtime. Nuk pati reagime nga asnjë. Ishim të bindur se vendimi nuk kthehej më. Zef Ujka përfundoi bojaxhi. Rexhina e cila kishte edhe detyrimin për rritjen e tre fëmijëve u caktua punëtore në një zdrukthtari në Spitallë të Durrësit, Bega i papunë përfundimisht, ndërsa Mirush Kabashi u transferua fillimisht në kantierin detar. Vetëm Kabashi u rehabilitua pas pak mujash. Ne të tjerët nuk e patëm këtë fat deri në ardhjen e demokracisë. Fola i pari dhe e kundërshtova duke u kujtuar se kisha shërbyer për artin prej më shumë se 30 vitesh. Isha ndër pionierët e parë të institucionit. Kisha hyrë me pantallona të shkurtëra në teatër dhe estradë, pra që fëmijë, saktësisht në moshën 13-14 vjeç. Nuk kishte vend deklarimi që unë s’e meritoja dhe aq më e pajustifikuar ishte vendimi për të më hequr të drejtën e profesionit dhe ngjitjes në skenë. U bëra të ditur se nuk do të mund t’ia arrijnë të më hiqnin të drejtën e profesionit dhe debutimit. Kështu ndodhi. Të pranishëm ishin të estradës dhe të teatrit që së bashku bëheshim mbi 30 punonjës. Në atë kohë, në vitin 1974, pata filluar studimet në konsevatorin e Tiranës. Pas asaj që ndodhi me mua e të tjerët në Durrës, shkoi një letër nga komiteti partisë në Konservator dhe më përjashtuan. Kolegët e tjerë si Nikollaq Bulo, Zef Çoba e Jani Llapa e përfunduan, unë u ndëshkova për të mos e fituar kurrë më këtë të drejtë. Ndëshkimi im vinte vetëm 7-8 muaj pasi ishim kthyer nga turneu i dytë në Kosovë, turne që pati sukses të jashtëzakonshëm. Megjithatë vendimet qenë marrë. Sekretar partie në teatër ishte Qemal Kërtusha dhe ai e kishte marrë këtë vendim bashkë më të tjerë. Kërtusha më kishte pasur për 20 vite krahun e djathtë. Për të folur e për të thënë ndershmërisht, nuk e kisha pritur prej tij. Pas ankimimeve që bëra e fitova të drejtën e profesionit. Më dërguan në NSHN e Durrësit si punëtor llaçi. Nuk mund të largohesha më nga llaçi nëse organizata e partisë së kësaj ndërmarrje nuk ishte dakort. Durrësi kishte me dhjetra ndërmarrje të tjera, por ata më dërguan në punën më të rëndë. Kisha punuar si dizenjator para se të shkoja ushtar, por jo si punëtor. Takova sekretarin e partisë së ndërmarrjes Demir Kokomani. Ai ishte marangoz. Burrë me traditë dhe parime të forta. Më premtoi se do të më jepte letrën për të ikur, për t’u larguar që andej dhe kështu ndodhi. Pas gjithë kësaj situate shkova në UEM pasi në URT punonte vëllai im. Fillova punë me gjysmën e pagës që merrja në estradë. Nisa punë në repartin e prodhimit të bobinave, më pas tek stampat dhe përfundova përgjegjës në repartin e presave plastike duke më dhënë kategori dhe rrogë më të mirë. Rehabilitimi im erdhi vetëm në vitin 1991. U riktheva në teatër fillimisht si pianist e më pas me detyrën e drejtorit të teatrit për të mbyllur tërë karrierën artistike në vitin 1998 me daljen në pension.

14 vjeç nis punë tek kafe “Moska” muzikant

deri në moshën 18 vjeç në lokale mbrëmje, pista e lulishte

Dizenjator në NSHN Durrës 1956-1968

Ushtar në repart pune në Fier e Lushnje 1958-1960

Estrada profesioniste Durrës 1960-1975

Uzina Elektro Mekanike (UEM) Durrës, mekanik 1975-1990

Rehabilitim, pianist në teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës 1991-1993

Drejtor i teatrit “Aleksandër Moisiu” Durrës 1993-1998

Pensionist 1998

Pianist, kompozitor, fizarmonicist, orkestrues, këngëtar, dirigjent, shef muzike, drejtues e udhëheqës artistik.

Erdhi biografia artistike e Skënderit, mjaftë e pasur dhe e shumë pritur. Dirigjent i orkestrës së Estradës së Durrësit. Pjanist fin dhe këngëtarë me zërin e tij brilant. Kompozitor i shumë këngëve të paraqitura nëpër Festivalet e Këngës Durrsake si dhe në aktivitete të tjera. Një jetë aq e përvuajtur, që asnjëherë nuk mori vlersimin e merituar për kontributin e madh që dha një jetë të tërë për artin e publikun artdashës Durrsak. Sot Kenia bëhet pjesë e Antologjisë, për mos tu harruar kurrë më. Të gjithë artistët që kan bashkpunuar me mjeshtrin e urojnë me gjithë zemër: Qoftë i paharruar kujtimi dhe vepra e tij.

*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!