Charles Coste, kampioni olimpik më i vjetër në botë ka vdekur të enjten në moshën 101-vjeçare, tha ministrja franceze e Sportit, Marina Ferrari.
Charles Coste, kampioni olimpik i Londrës në vitin 1948, i cili mbajti flakën në” Lojërat Olimpike Paris 2024″, la pas një trashëgimi të madhe sportive.
Coste u bë fituesi më i vjetër i Medaljes së Artë Olimpike në botë pasi gjimnastja hungareze Agnes Keleti vdiq më 2 janar 2025, në moshën 103-vjeçare.
Në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Verore të Parisit më 26 korrik 2024, Coste, i ulur në një karrige me rrota, mbajti flakën olimpike përpara se t’ia dorëzonte legjendës franceze të xhudos, Teddy Riner dhe kampiones, tre herë, olimpike të atletikës Marie-José Pérec, e cila më pas ndezi kazanin olimpik.
I lindur në qytetin jugor francez, Ollioules, Coste fitoi Medaljen e Artë në garën e çiklizmit në Lojërat Olimpike të Londrës të vitit 1948 – Lojërat e para të mbajtura pas Luftës së Dytë Botërore – së bashku me shokët e ekipit Serge Blusson, Fernand Decanali dhe Pierre Adam, të cilët të gjithë kanë vdekur.
Një vit më vonë, ai triumfoi në “Grand Prix des Nations”, një garë prej 140 kilometrash, duke mposhtur legjendën italiane të çiklizmit, Fausto Coppi.
Coste gjithashtu fitoi garën “Paris-Limoges” në vitin 1953 dhe “Ronde de Monaco” të vitit 1954 përpara se të tërhiqej nga çiklizmi profesional në vitin 1959.







