Pas vitit 1961, kur Tirana zyrtare prishi marrëdhëniet me Moskën, tronditja politike u shndërrua shpejt në dramë të heshtur njerëzore. Qindra familje shqiptaro-sovjetike, të krijuara gjatë viteve të miqësisë ideologjike, mbetën peng i një vendimi shtetëror që preku jetët e tyre në mënyrë brutale.
Telegrami i publikuar më sipër është një dëshmi e gjallë e asaj kohe. Një grua sovjetike, Ludmilla Marko, i drejtohet autoriteteve shqiptare me një thirrje të dëshpëruar: burri e ka braktisur, e ka hedhur jashtë shtëpisë bashkë me fëmijën 5-vjeçar, dhe ajo kërkon ndihmë. Në fjalët e saj dridhet frika, paniku dhe trishtimi i një njeriu që, nga “gruaja e mikut sovjetik”, ishte shndërruar në të huaj të padëshiruar në një vend të mbyllur e të ashpër:
“Jam sovjetike. Buri shqiptar më nxori nga shtëpia në rrugë. Fëmijën 5-vjeç ma ka fshehur… Jam pa shtëpi, pa punë, pa fëmijë. Ju lutem, më ndihmoni.”
Dikur ishin simbol i bashkimit të dy popujve “vëllazërorë”. Më pas u bënë viktima të heshtura të një grindjeje gjeopolitike. Shumë prej tyre kërkuan rikthimin në Bashkimin Sovjetik, të tjera u përpoqën të mbijetonin mes izolimit shqiptar, pa punë, pa mbështetje dhe shpesh, të ndara nga fëmijët e tyre.
Një regjim që fliste për internacionalizëm proletar u kthye papritur në një sistem të hekurt ksenofobik, duke lënë pas histori të tilla si ajo e Ludmillës — histori të harruara dhimbjeje, të shënjuara nga braktisja, frika dhe fati i nënave të mbetura midis dy botëve armiqësore.
Drama e saj nuk është një kapitull i veçuar, por një kujtesë e dhimbshme e kohës kur politika shkatërronte familje, dhe dashuria duhej të nënshtrohej vijës së Partisë./vna

            






