Tring sha, platforma e dytë më e madhe dixhitale në vend, ka ndërruar pronar. Themeluesit e saj, vëllezërit Dulaku, kanë vendosur të shesin kompaninë tek një kompani e quajtur Vertex Holding. Kontrata e shitblerjes së aksioneve mes palëve është nënshkruar në 2 tetor, ndërkohë që çmimi i shitjes nuk është bërë ende publik.
Transaksioni i është njoftuar dhe Autoritetit të Konkurrencës. “Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa 879 prot. i AK, datë 06.10.2025 “Njoftim përqendrimi”, jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar mbi blerjen e 100% të aksioneve të shoqërisë Tring TV SHA nga shoqëria Vertex Holding SHPK,” njoftoi Autoriteti.
Blerësi i Tring, Vertex Holding është një kompani e themeluar në gusht të këtij viti me kapital vetëm 10 mijë lekë. Aksionet e saj zotërohen në masën 100 për qind nga një shtetas kosovar i quajtur Valon Shala.

Bleresi i Tring
Por blerësit e vërtetë të Tring mendohet se janë Devollët e Kosovës. Sipas mediave kosovare, zoti Shala figuron në letra edhe si pronar i kompanisë Art Motion, e cila zotëron Klan Kosovën. Paralelisht ai ka punuar si menaxher i marketingut dhe shef i distributoreve në Princ Caffe, edhe kjo një kompani në pronësi të Devollëve.
Tring është një kompani e themeluar në vitin 2006 nga familja Dulaku. Objekti i kompanisë është veprimtaria audiovizive dhe veprimtari ne ndertimin e sistemeve te telekomunikacionit dhe transmetimeve audiovizive ne cdo lloji transmetimi (satelitor, tokesor, kabllor, IPTV, OTT, Internet TV.
Vitin e kaluar, Tring raportoi 15 milionë euro të ardhura dhe një fitim neto prej 131 mijë eurosh./ Kapitali







