Ballina Kronika E reja britanike vdiq gjatë zhytjes në Sarandë, babai: Autorin ta fusin...

E reja britanike vdiq gjatë zhytjes në Sarandë, babai: Autorin ta fusin në burg pjesën e mbetur të jetës!

122
0

Në Gjykatën e Sarandës nisi këtë të martë, procesi gjyqësor për vdekjen tragjike të 29-vjeçares britanike Rebecca Gannon, gjatë një zhytjeje nënujore më 20 gusht 2022 në ujërat e Sarandës. Në bankën e të akuzuarve duhet të ishte Sajmir Kushova, ish-instruktor zhytjeje, i cili akuzohet për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” sipas nenit 289 të Kodit Penal. 

Por ndryshe nga shumica e proceseve, ky gjyq po zhvillohet në mungesë, pasi 47-vjeçari ndodhet në burg në Norvegji. Në seancën e parë, prokurorja Valbona Maja paraqiti rrethanat e ngjarjes dhe kërkoi administrimin e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve të prokurorisë. 

Ndërsa mbrojtja, e përfaqësuar nga avokati Rigels Dërvishi, kërkoi të administrohet një shkresë e Repartit RENEA, të pyetet eksperti i aktit të ekspertimit. 

Në sallën e gjyqit ishte i pranishëm babai i viktimës, George Gannon, i cili kërkoi që të thirren si dëshmitarë 10 personat që kanë qenë pjesë e ekspedites nënujore në ditën e tragjedisë. 

Procesi ka qenë shumë i ngadaltë, thekson ai ne interviste per Report TV por shpreson që të mbledhë sa më shumë prova e dëshmi për dënimin maksimal të personit përgjegjës. 

“Është ende në proces. Dua të them se ende duhet të mbledhim më shumë prova dhe gjithçka po ecën shumë ngadalë sepse as nuk e kuptoj mirë procedurën ketu. Por eventualisht shpresojmë ta fusim këtë njeri në burg për pjesën e mbetur te jetes. Megjithatë, jemi ende në një fazë shumë të hershme të çështjes. Pra, procesi i gjykimit është ende në vijim”, tha ekskluzivisht për Report Tv. 

Nga ana tjetër, avokati Rigels Dërvishi deklaroi se sipas aktit të ekspertizës mjeko-ligjor, Rebecca Gannon është gjetur e vetme nën ujë, çka tregon se përgjegjësia bie mbi partnerin e saj të zhytjes, Robert Kerans. 

Seanca e radhës do të zhvillohet më 18 nëntor me kërkesë të  George Gannon, i cili nuk ka reshtuar së kërkuari drejtësi për vdekjen e vajzës së vetme. 29-vjecarja kishte ardhur në vendin tonë për një ekspeditë private zhytje që organizohej nga “Saranda Diving Center”, drejtuar nga Saimir Kushova. 

Në 2022-shin, 47-vjecari u la nga gjykata me masë sigurie detyrim paraqitje, kundrejt garancisë pasurore prej 1.5 milionë lekësh. Kushova nuk respektoi masën dhe u largua jashtë vendit për tu prangosur në 2023 në Husnes të Norvegjisë. 

Së bashku me 5 polumbarë shqiptarë ai u kap duke nxjerrë nga anija “Nordloire” katër çanta me 150 kg kokainë. Gjykata norvegjeze e dënoi Kushovën me 15 vjet burgim per trafik droge. Ndërsa sot vuan dënimin në burgjet norvegjeze, gjykata e Sarandës e gjykon në mungesë për vdekjen e britanikes Rebecca Gannon.