Ballina Politika Fushata 7.6 milionshe për LaCivitën, Kokalari sulmon Berishën: Kaq nuk shpenzojnë as...

Fushata 7.6 milionshe për LaCivitën, Kokalari sulmon Berishën: Kaq nuk shpenzojnë as për një garë kongresi në SHBA

99
0

Aktivistja Evi Kokalari ka sulmuar Sali Berishën për shifrën e kripur prej 1.4 milion eurosh (1.6 mln dollarë) të shpenzuar nga PD për të paguar konsulencën amerikane për fushatën e 11 majit.

Në një postim në rrjete sociale, Kokalari përmend edhe kontratën lobuese prej 6 milionë dollarësh me “Continental Strategy”, të firmosur nga Flamur Noka me Carlo Trujillo, në cilësinë e presidentit të kompanisë amerikane, i cili ka qenë shef i kabinetit të Marco Rubios.

Kokalari thekson se për një shumë të tillë nuk shpenzojnë as për garat kongresiale në SHBA, teksa merr edhe një shembull të konsulentit që pagoi PD, Chris LaCivita, i cili nëpërmjet Maga Pac që drejton mblodhi 2 milionë dollarë për një kongresmen në Kentaki.

Shifra e shpenzuar nga PD, thotë Kokalari, është e pajustifikueshme për një “mjek të thjeshtë i regjimit komunist” si Berisha dhe që po mban peng me vite opozitën. Kokalari thotë se me këto shpenzime tregohet qartë se është i korruptuar, ndërsa i përmend atij edhe pasuritë e familjes së tij.

Sali Berisha 1.6 milionë dollarë për Lacivitën dhe Manafort + 6 milionë dollarë për ish-shefin e kabinetit të Rubios = 7.6 milionë dollarë!! Dhe supozohet të besojmë se nuk je i korruptuar? Ky lloj leku është shumë dhe për kandidatët që i futen garave kongresionale në SHBA, psh Lacivita drejton një MAGA PAC që mblodhi $2 million për të luftuar një kongresman në Kentaki, Thomas Massie, i cili është Republikan por voton gjithnjë kundër Trump. Dhe këto fonde u ngritën sepse Trump mori në telefon donatorët që janë miqtë të tij dhe miliarderë, po ti…ti mjeku i thjeshtë i regjimit komunist, ti që ke 34 vjet që mban peng opozitën, ti që s’të dridhet qerpiku kur thua se nga një apartament i vogël kalove tek një me 50m2 më tepër, dhe kaq është pasuria jote (fakiri ti), dhe harron të thuash se në po të njëjtën shkallë pallati, familja ka dhe katër apartamente të tjera….ti vet paguan $7.6 Million dhe s’të dridhet dora“, shkruan ajo.

Mes të tjerash, aktivistja shpreh keqardhje për “ata që të rrinin për ditë tek ‘Rruga e Shpresës’ duke luftuar ‘padrejtësinë e arrestimit tënd shtëpiak nga SPAKu, sepse vetëm i korruptuar, ti nuk je.” I kujton gjithashtu edhe akuzat që bën ndaj SPAK.

Të them të drejtën më shumë më dhimbsen ata që të rrinin për ditë tek ‘Rruga e Shpresës’ duke luftuar ‘padrejtësinë e arrestimit tënd shtëpiak nga SPAKu, sepse vetëm i korruptuar, ti nuk je. Dhe ke pafytyrësinë t’i thuash SPAK organizatë kriminale?!!! Ti vazhdon tallesh masivisht me këtë popull dhe s’kupton që dhe ti, dhe Meta, dhe Rama në burg do ti mbyllni ditët tuaja. MOS GABONI PËR KËTË!“, përfundon ajo.