Kur bie muzgu, peizazhi i dunave të Vlorës u përket sërish flamingove.
Tufat e tyre vizatojnë vija të gjata në qiell, dhe zhurma e tyre mbush ajrin. Gjëmimi i mikserëve të betonit dhe motorëve të kamionëve i ka lënë përsëri vend natyrës, të paktën për disa orë. Nesër, ata do të rrokullisen sërish mbi pistën e sapo betonuar, drejt kantierit të aeroportit të ri që po ndërtohet këtu, në zemër të një zone të mbrojtur natyrore.
“Kanë një nxitim të tmerrshëm,” – thotë Joni nga organizata mjedisore PPNEA. – “Qeveria do të krijojë fakte të kryera – dhe për këtë i duhet shumë beton.”
Në të vërtetë, dëshira për të “krijuar fakte” është e dukshme në çdo hallkë të pushtetit në Shqipëri, deri te figura pothuajse gjithëpushtetshme e politikës së vendit: kryeministri Edi Rama.
“Aeroporti do të jetë gati për një vit,” – deklaron ai për gazetën austriake KURIER. Pas tij, sipas tij, qëndrojnë tashmë investitorët ndërkombëtarë të gatshëm të hyjnë në skenë.
Më i njohuri mes tyre është Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump. 44-vjeçari ka nisur projekte gjigante ndërtimi në disa vende të Ballkanit; një nga më të mëdhatë po zhvillohet pikërisht në Vlorë, në jug të Shqipërisë.
Kushner ka “zbuluar” një segment bregdetar rreth 15 kilometra të gjatë, bashkë me një ishull që dikur përdorej nga drejtuesit ushtarakë të regjimit stalinist shqiptar.
Aty ku sot ndërthuren duna, pyje dhe shkëmbinj bregdetarë, pritet të ndërtohen 10.000 njësi banimi: hotele dhe apartamente luksoze. Dhe, siç e theksoi vetë Kushner gjatë një vizite të shkurtër në Shqipëri, “me shumë kujdes ndaj natyrës”.
Por, sipas mbrojtësve të mjedisit, kjo zonë është tepër e ndjeshme për ta përballuar këtë zhvillim të shpejtë. Peizazhi bregdetar nuk është formuar vetëm nga deti, por edhe nga lumi Vjosa, i cili këtu derdhet në Adriatik dhe formon deltën e fundit të paprekur të Evropës – një habitat për rreth 7.000 flamingo dhe qindra specie të tjera shpendësh të rrezikuar.
Me gjithë këtë, politika shqiptare u ka hapur me dëshirë rrugën investitorëve ndërkombëtarë. Një reformë e re e ligjeve të mjedisit është hartuar pothuajse “me porosi për ta”.
Kjo reformë përfshin edhe absurditete, si p.sh. që lejohet ndërtimi i strukturave turistike brenda zonave të mbrojtura, për sa kohë që ato kanë “nivel pesë yje” dhe “tregojnë kujdes ndaj mjedisit” – pa sqaruar se si matet ky kujdes.
“Kjo reformë është një shaka,” – shprehet hapur Silvio Gonzato, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe Andreas Schieder, eurodeputet austriak i SPÖ-së dhe raportues i Parlamentit Evropian për Shqipërinë. Ai njeh përparimet e mëdha që ka bërë vendi në fusha ekonomike e politike, por paralajmëron edhe për anët e errëta që Brukseli shpesh i injoron:
“Në Shqipëri bëhet gjithçka për investitorët ndërkombëtarë – dhe ndonjëherë bëhet edhe tepër.”
Prej vitesh, kapitali i huaj po rrjedh drejt Shqipërisë, edhe pse burimet e tij janë shpesh të paqarta.
Pas aeroportit të Vlorës qëndrojnë kompani nga Kosova dhe Zvicra. Në prapaskenë kanë ndodhur riorganizime të shpejta dhe të pakuptimta ekonomikisht mes ortakëve.
Në vitin 2023, qeveria shqiptare shpalli publikisht se “aeroporti ishte përfunduar”. Por një vështrim i thjeshtë përtej telave me gjemba në kantier tregon se realiteti është shumë larg nga ajo deklaratë.
Në vitin 2023, Parlamenti Evropian kërkoi pezullimin e punimeve të aeroportit të Vlorës.
Në raportet e fundit të BE-së për vendet kandidate, që pritet të publikohen këtë javë, problemet me mbrojtjen e mjedisit theksohen hapur.
“Qeveria në Tiranë nënvlerëson plotësisht rëndësinë e mjedisit për anëtarësimin në BE,” paralajmëron Schieder.
Edhe më e drejtpërdrejtë është opozita shqiptare. Deputetja Jorida Tabaku, që për vite me radhë është marrë me marrëdhëniet Shqipëri–BE, e thotë qartë:
“Qeveria bën prezantime të bukura e të mirëkuruara, por që s’kanë asnjë lidhje me realitetin në vend.”
Sipas saj, Bashkimi Evropian duhet të shikojë më nga afër, e jo vetëm të shënojë me “v” çdo kapitull të negociatave.
Edhe aktivisti Joni – që ka udhëtuar deri në Belgjikë për t’u shpjeguar përfaqësuesve të BE-së rrezikun që i kanoset zonës së mbrojtur në Vlorë – shprehet me zhgënjim:
“Në Bruksel debatojnë ende, ndërsa këtu në kantier punojnë me gaz të plotë.”
Sipas tij, vetëm Komisioni Evropian mund të ndalë ose të ridrejtojë këtë projekt, por për këtë nevojiten fjalë më të qarta e më të forta nga Brukseli.
Eurodeputeti Schieder e mbyll me një paralajmërim të ftohtë:
“Shqipëria rrezikon t’i bëjë dëm vetes në garën drejt BE-së. Sepse ndërtimi mbi peizazhe të paprekura bregdetare mund të ketë një fund të shpejtë – kur të mos ketë më asnjë të tillë për të mbetur.”/ Nga Kurier
            






