Ballina Dossier “Mehmet Shehu, agjent i SHBA me pseudonimin ‘baab-007’”- Çfarë shkroi Mbreti Zog...

“Mehmet Shehu, agjent i SHBA me pseudonimin ‘baab-007’”- Çfarë shkroi Mbreti Zog në mërgim për ish-kryeministrin!

126
0

Nga Pëllumb Verka

Cufja, (Isuf Mullai) ruante gjakftohtësinë në këto situata të turbullta, duke qëndruar syhapur për të kapur ndonjë të dhënë se ku mund të ishin strukur valixhet. Dhe zogu i erdhi vetë në parvaz të dritares dhe i foli te veshi:

-Një ditë i afrohet kuzhinieri duke i thënë, se si do ia bëjmë për valixhet? Cufja, duke i dhënë të kuptonte sikur edhe ai e di mirë atë problem, që valixhet ishin në anekset e kuzhinës – i thotë qetë-qetë:

-Mos u shqetëso, do t’i sigurojmë në një ambient tjetër, është porosi e Mbretit, që po ndodhi gjë, unë të përgjigjem për ato.

-Epo shyqyr – mori frymë kuzhinieri – më hoqe lakun se nuk dija se çfarë të bëja me to. Apo janë pak. Gjashtë valixhe të mëdha.

-Pa prit – i thotë Cufja – Mbreti më ka thënë se janë shtatë.

Këtu kuzhinieri u bind plotësisht që kjo ishte porosi e Mbretit dhe duke shtuar i thotë Cufes se: aq ishin, por njërën ua kam shitur miqve anglezë të Mbretit!

-Po përse ua shite?

-Epo, me çfarë të mbaja shpirtin, mbreti na i preu rrogat, ti këtë e di mirë.

-Po kur i shite, para apo pasi na la Mbreti.

-Jo, jo pasi na la, kishin kaluar gjashtë muaj.

-Mirë, mirë – vazhdoi Cufja duke kullufitur proshutë – tani kije parasysh se ky është një problem sa madhor, aq edhe sekret. Armiku punon, nuk fle, nuk duhet të merret vesh që ato janë këtu. Prandaj, në mbrëmje vonë kur oborri të jetë i qetë, do sjell makinën e t’i ngarkojmë për t’i çuar në vend të sigurt e sekret. Për rrogën mos u shqetëso se do të të paguaj unë herë pas here. Kjo e lumturoi kuzhinierin, të cilit Cufja i hoqi lakun nga fyti, por edhe se valixhet do ishin në duar të sigurta tek njeriu më i besuar i Mbretit, por edhe serioz siç ishte Cufja, larg syve të pijanecëve dhe sahanlëpirësve. Kështu, po atë mbrëmje, Cufja solli makinën e tij RENO, me portobagazh, ngarkuan valixhet, i jep kuzhinierit një tufë dollarësh (e meritonte) dhe e mban vrapin tek shtëpia e tij mistike, e vetmuar ku banonte. Kuptohet se shtëpia ishte prenotuar qysh në fillim sipas planit. Aty Cufja çdo mbrëmje dëgjonte nëpërmjet një radio portative por të fuqishme, emisionet shqip të Radio Tiranës dhe “muzikë”. Ditët kalonin normalisht, të qeta e pa probleme, me përjashtim të oborrtarëve të cilët ishin akoma të hutuar nga vdekja e Mbretit. Në datën dhe orën e caktuar Cufja komunikon me qendrën se:

-Misioni u krye me sukses. Jam në pritje të udhëtimit turistik.

Pas marrjes së urdhrit, Cufja niset herët në mëngjes me valixhe e baule si një turist shëtitës nëpër botë, me gjuhë të huaj e me pasaportë belge. Pas dhjetë vjetësh sakrifice larg familjes e miqve, Cufja fluturonte tashmë drejt lirisë. Për të vazhduar me sukses operacionin, Qeveria shqiptare kishte marrë masa dhe kishte ankoruar ditë më parë, në portin e Barit, anijen shqiptarëve pesëmijëtonëshe “Dajti”. Valixhet e “turistit” kaluan në anije dhe ajo u nis menjëherë për në Shqipëri. Dhjetë vjet operacion me anën e të cilit, Qeveria shqiptare futi në dorë të gjithë dokumentacionin e Mbretërimit të Zogut. Një pasuri me vlerë kolosale politike. Vite më vonë, edhe redaksia e “Hostenit”, duke pasur akses në këto dokumente tek Arshiva e Shtetit, hapi një rubrikë të veçantë me titull “Qyfyre nga Regjimi Qyfyr”. Mirë gjashtë valixhe erdhën, po e shtata ku përfundoi? Valixhja e shtatë ishte dorëzuar në Arshivën e Londrës, e cila ka një ligj absolut që çdo dokument që hyn në arkivën e saj, do nxirret për publikun pas pesëdhjetë vitesh. Mirëpo Qeveria shqiptare, iu “lut” Qeverisë angleze të bënte përjashtim për një grup akademikësh shqiptarë, për të pasur mundësinë e studimit të këtyre dokumenteve. Qeveria angleze, duke dashur të zbuste, deri diku marrëdhëniet me Shqipërinë lejoi me autorizim të veçantë grupin e akademikëve të lexonte e studionte dokumentet e Zogut. Në krye të grupit ishte prof. Theofan Popa, i cili u lejua i vetëm t’i shihte dokumentet. Seç pa, e seç lexoi Popa atje, nuk u morr vesh kurrë! Por pas ardhjes së demokracisë, në një intervistë Popa u pyet edhe për këtë fakt dhe përgjigja ishte se:- aty ai kishte lexuar që Mehmet Shehu ishte agjent i amerikanëve me pseudonimin “baab-007”.

-Por, i pyetur se përse nuk e denoncove kur u ktheve nga Anglia, Popa u përgjigj se: – Nuk mundesha. Mehmeti atëherë ishte i plotfuqishëm dhe të priste kokën!

Pas mbarimit të misionit dhjetëvjeçar, Cufja u dekorua me medaljen për patriotizëm, iu dha në Durrës një apartament goxha i bollshëm në katin e dytë, pranë NISH “GOMA”. Cufja u emërua drejtor i hoteleve “Adriatiku” dhe “Vollga” në Durrës. Në lidhje me këtë detyrë ka një ndodhi të çuditshme. Në një prej grupeve turistike që vinin në atë kohë në Shqipëri, ndodhej edhe Miss Hendersoni. Imagjinoni momentin kur ajo u përball me Cufen, të cilin para shumë vitesh e kishte përkrahur në Bruksel dhe sot i prezantohet si drejtor i hotelit! Dhe siç ishte rregulli, ajo u kthye nga kishte ardhur si person i padëshiruar në Shqipëri.

Të dashur lexues të gazetës “Panorama”

Kjo ishte historia gjysmë e patreguar e Isuf (Cufe) Mullait, e misionit të tij jashtë Shqipërisë, mision i gjatë dhjetëvjeçar, tejet i vështirë. Së fundi, po u tregoj edhe bisedën e fundit me Cufen, në shtëpinë e tij, në lidhje me një merak që kishte. Ishim duke pirë nga një gotë raki shoqëruar me pulë të pjekur.

-Pëllumb – filloi Cufja – tashmë ti e ke të qartë të vërtetën e shërbimit tim në Bruksel dhe peripecitë që kalova atje!

-Po – ia ktheva – ke kryer një akt heroik dhe patriotik, që do të mbetet në histori.

-Po, por më duhet mendimi yt për një çështje. Unë punova për dhjetë vjet si brigadier në një minierë në Bruksel, tani si mund të arrij të marr pensionin e atyre viteve?

-Dëgjomë me vëmendje, Cufe – vazhdova unë – a e imagjinon dot ti që, të nisesh nga Shqipëria, shpenzime; të shkosh në Bruksel, shpenzime; të kërkosh me vendim gjyqësor njohjen e dhjetë vjetëve, shpenzime; avokatët, shpenzime etj., etj.. Sa do të të teprojnë nga pensioni?

-Rrufjan, je o Pëllumb, ke plotësisht të drejtë, ma mbushe mendjen fët e fët. Kështu që përfundimisht, Cufja hoqi mendjen nga pensioni i Belgjikës dhe iu përkushtua pensionit modest shqiptar./ Gazeta Panorama