Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se për tatimpaguesit që nuk kanë shlyer detyrimet tatimore dhe doganore do të ndërmerret procesi i konfiskimit të aseteve.
Gjatë diskutimeve në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat mbi buxhetin faktik 2024, Malaj tha se po rishikohen aktet ligjore dhe nënligjore për të mundësuar zbatimin e këtij hapi.
Deputeti i PD-së, Enno Bozdo, ngriti shqetësimin për stokun e detyrimeve të prapambetura, i cili sipas tij arrin në 2 miliardë euro.
“Gjetjet që lexoj i kam marrë nga raporti i KLSH-së”, deklaroi Bozdo.
Në përgjigje, ministri Malaj theksoi se ky stok përfshin një periudhë më shumë se 10-vjeçare.
“Në 2024 kishim 7,3 miliardë lekë detyrime, niveli më i ulët historik i detyrimeve të prapambetura. Dhe janë detyrime të krijuara gjatë vitit ushtrimor e që paguhen gjatë vitit pasardhës”, deklaroi Malaj.
Sipas tij, Ministria e Financave, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, po rishikon kuadrin ligjor dhe nënligjor për proceset e konfiskimit dhe ekzekutimit të aseteve për tatimpaguesit që nuk kanë paguar detyrimet e prapambetura.
“Ky proces do të ndihmojë në uljen e akumulimit të borxheve në të ardhmen”, tha Malaj, duke shtuar se masat pritet të jenë efektive nga fillimi i vitit të ardhshëm.
Në mbledhje u diskutua gjithashtu edhe për borxhet e shtetit shqiptar në arbitrazhe ndërkombëtare.
Ministri Malaj bëri të ditur se aktualisht këto detyrime kapin vlerën e 180 milionë eurove, dhe janë 8 çështje që po trajtohen nga Avokatura e Shtetit në gjykatat e arbitrazhit.
Deputetja Jorida Tabaku shprehu shqetësime për mungesën e planifikimit buxhetor afatmesëm në Ministrinë e Financave, si dhe për mënyrën e funksionimit të KIS.
“Sot KIS po kthehet në një risk fiskal për buxhetin e shtetit. Kemi folur për kalim kompetencash, duket si një institucion ekstraligjor. Edhe KLSH raporton se nuk ka monitorim të efektshëm të projekteve. KIS madje po jep leje ndërtimi për troje publike”, u shpreh Tabaku.







