Ballina Ekonomia Parlamenti i kërkon AMF-së të rivendosë konkurrencën e lirë në sigurimin e...

Parlamenti i kërkon AMF-së të rivendosë konkurrencën e lirë në sigurimin e detyrueshëm të mjeteve

65
0

Kuvendi i Shqipërisë do t’i kërkojë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) të rishikojë rregulloren për faktorët e rrezikut në përcaktimin e çmimit të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve.

Në projektrezolutën e përgatitur nga Komisioni Kuvendor për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, kërkohet që AMF të rikthejë për diskutim, rishikim dhe vendimmarrje rregulloren nr.156/2024 “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, duke e përafruar atë në mënyrë të plotë me modelin italian të sigurimeve motorike, i cili përfaqëson një praktikë të avancuar evropiane në drejtim të transparencës dhe ndëshkimit proporcional të riskut.

Sipas projektrezolutës, modeli i ri duhet të parashikojë vendosjen e një sistemi funksional “bonus–malus” që nxit sjelljen e kujdesshme dhe penalizon shkeljet e përsëritura; të parashikojë përfshirjen e paketës familjare të sigurimit, që lejon transferimin e bonusit brenda familjes; të mundësojë përllogaritjen e personalizuar të primit sipas historikut individual të drejtimit të mjetit; të mundësojë diferencimin gjeografik të primit, sipas nivelit lokal të riskut dhe frekuencës së aksidenteve.

Në projektrezolutë, kërkohet gjithashtu që, në bashkëpunim të ngushtë me Autoritetin e Konkurrencës, të hetojë me prioritet tregun e produkteve të sigurimit të detyrueshëm TPL dhe Karton Jeshil, me qëllim verifikimin e praktikave që kanë ndikuar në kufizimin e konkurrencës dhe në fiksimin e çmimeve për këto produkte. Hetimi duhet të përfshijë analizën e mënyrës së shkëmbimit të informacionit ndërmjet operatorëve të tregut, si dhe vlerësimin e ndikimit të tij në sjelljen tregtare dhe ekonomike të kompanive të sigurimit.

Projektrezoluta kërkon gjithashtu që AMF të propozojë masa konkrete për rikthimin e konkurrencës së lirë në këtë treg dhe për forcimin e transparencës dhe mbrojtjes së konsumatorëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Gjithashtu, kërkohet që, në bashkëpunim me organet e tjera ligjzbatuese, AMF të hetojë ekzistencën dhe funksionimin e subjekteve apo operatorëve të paligjshëm që ofrojnë algoritme ose platforma digjitale, përmes të cilave mundësohet koordinimi i çmimeve, ndarja e tregut dhe shpërndarja e të ardhurave sipas përqindjeve ndërmjet kompanive të sigurimit.

Sigurimi i brendshëm TPL ngelet shtylla kryesore e tregut të sigurimeve në vend. Sipas të dhënave nga AMF, për 9-mujorin 2025 primet e shkruara bruto nga ky produkt arritën në 10.5 miliardë lekë, në rritje me 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ato sollën 56.6% të primeve të shkruara bruto në tregun e sigurimit të jo-jetës, në rritje nga niveli prej 54.7% i një viti më parë.

Ndarja e tregut të sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta është pothuajse e pandryshuar edhe këtë vit. Për 9-mujorin 2025, tregu i këtij produkti kryesohet nga Sigal, me 20.64% të primeve të shkruara bruto, nga 20.6% që mbante një vit më parë. Ndjek Eurosig, me 15.19% (nga 15.25% një vit më parë) dhe Sigma, me 14.59% (nga 14.6% një vit më parë). Edhe për kompanitë e tjera, ndryshimi i pjesës së tregut është i papërfillshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Çmimet e sigurimit TPL janë të përafërta për të gjitha kompanitë. Një gjë e tillë ndodh edhe pas hyrjes në fuqi të rregullores së re, që parashikon diferencimin e tarifave sipas disa faktorëve rreziku. Sipas llogaritësve automatikë në faqet e kompanive të sigurimit, çmimi minimal i sigurimit të detyrueshëm të mjetit ka një diferencë prej më pak se 2% mes tyre.

Ndërkohë, primet e rrezikut (primet mbi bazën e të cilave kompanitë e sigurimit duhet të llogarisin fondet rezervë për riskun e marrë përsipër me produktin e sigurimit) të llogaritura nga kompanitë dhe të miratuara nga AMF kanë diferenca deri në 82% mes kompanive të ndryshme./MONITOR