Ballina Bota Pranoi kërkesën e ish-kryeministres për azil politik, Peruja ndërpret marrëdhëniet diplomatike me...

Pranoi kërkesën e ish-kryeministres për azil politik, Peruja ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Meksikën

68
0

Peruja ka njoftuar ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Meksikën, pasi qeveria meksikane i ka dhënë azil ish-kryeministres peruane Betsy Chávez, e cila përballet me akuza për përpjekje për grusht shteti në vitin 2022.

Ministri i Jashtëm i Perusë, Hugo de Zela, shprehu “habinë dhe keqardhjen e thellë” të tij pasi mësoi se Chávez kishte marrë azil në ambasadën e Meksikës në Lima.
“Duke marrë parasysh këtë veprim jo miqësor… qeveria e Perusë ka vendosur të ndërpresë sot marrëdhëniet diplomatike me Meksikën,” deklaroi De Zela.

Në reagim, Ministria e Jashtme e Meksikës e quajti këtë vendim “të tepruar dhe të pajustifikuar”, duke e refuzuar si veprim të njëanshëm.
Ish-kryeministrja, Betsy Chavez, ishte arrestuar në qershor 2023 për rolin e dyshuar në planin e ish-presidentit Pedro Castillo për të shpërndarë Kongresin dhe për të marrë kontrollin e pushtetit. Ajo u lirua me kusht në shtator dhe ka mohuar akuzat ndaj saj.

Qeveria e Perusë ka akuzuar gjithashtu Meksikën për “ndërhyrje të përsëritura në punët e brendshme” të vendit, duke theksuar se presidentët aktualë dhe të mëparshëm meksikanë kanë tentuar të ndikojnë politikisht në zhvillimet e brendshme të Perusë.

“E vërteta është se ata janë përpjekur t’i paraqesin organizatorët e përpjekjes për grusht shteti si viktima, ndërsa në realitet, qytetarët peruanë duan të jetojnë në demokraci, siç e pranojnë të gjitha vendet e botës, me përjashtim të vetëm të Meksikës,” shtoi De Zela.

Prokurorët kanë kërkuar një dënim me 25 vjet burg për Chavez lidhur me rolin e saj të dyshuar në përpjekjen për grusht shteti të Castillos.

Pedro Castillo u arrestua në dhjetor 2022, pasi u përpoq të shpërndante Kongresin dhe të instalonte një qeveri emergjente, veprim që çoi në akuza për rebelim dhe përpjekje për uzurpim të pushtetit.