Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot se duke filluar nga janari i vitit 2026, pensionet do të rriten çdo muaj, përtej indeksimit të zakonshëm vjetor. Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Rama deklaroi se ky mandat qeverisës do të jetë “mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve”, duke synuar që pensioni i plotë të arrijë në 400 mijë lekë të vjetra deri në fund të mandatit.
“Mbrëmë i përcollëm Kuvendit projektbuxhetin për vitin 2026. Jam i lumtur t’u them pensionistëve se, siç u zotuam në zgjedhje, ky do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve. Tashmë jemi një vend me ekonomi të qëndrueshme dhe mund të mbajmë këtë angazhim”, tha Rama.
Sipas tij, përveç bonusit të fundvitit që do të shpërndahet në dhjetor, nga janari i ardhshëm do të nisë një rritje e përhershme mujore e pensioneve. Në fund të mandatit, sipas planit të qeverisë, pensioni mesatar urban pritet të arrijë në 40 mijë lekë të reja nga 27.350 që është aktualisht; pensioni urban i pjesshëm në 22 mijë lekë nga 15.800; pensioni rural me vite të plota në 18 mijë lekë nga 11.500; pensioni familjar në 18 mijë nga 11.400; ndërsa pensioni i invalidëve në 30 mijë lekë nga 20 mijë që është sot.
“Që nga janari 2026, pensionet do të rriten çdo muaj, përtej indeksimit vjetor që do të jetë një politikë më vete”, përfundoi Rama.







