Sokol Sadushi po vazhdon t’i shërbejë skemës për spostimin e tij drejt Gjykatës Kushtetuese, pas përfundimit të mandatit në Gjykatën e Lartë.
E nisi duke përzënë nga Kushtetuesja një ushtare të veten, të cilën e rehatoi pedagoge në Shkollën e Magjistraturës.
Pastaj ngadalë si krimbi që ha drurin, iu kthye mandatit të Holta Zaçajt.
Me justifikimin e ripërtëritjes së Gjykatës Kushtetuese, iu vërsul mandatit të Holta Zaçajt, e cila sipas llogaritjeve të Kuvendit duhet të qëndronte në detyrë deri në vitin 2028.
Kjo sepse Sadushi thjesht kur kishte hartuar reformën kishte harruar saktësimin e rregullave për ripërtëritjen çdo 3 vjet të GJK-së.
Për këtë arsye Kuvendi kishte argumentuar mbi afatet 9-vjeçare të mandateve dhe jo shkallëzimin e tyre në shërbim të ripërtëritjes 3-vjeçare në nisje të Gjykatës së re Kushtetuese.
Pasi ushtroi presion mbi fakirët që komandon në Gjykatën Kushtetuese, arriti që me vendim të tyre të shkurtonte mandatin e Holta Zaçajt.
Pastaj iu vërsul mandatit të Sonila Bejtës. Askush nuk arsyetoi se pse ky luftëtari i drejtësisë së re po i hante mandatet e GJK-së, një nga një? Pse nuk thoshte që në fillim cilat ishin treshet që duheshin ripërtërirë? Ose cilat ishin afatet për të gjithë? Pse një e nga një, si krimbi i drurit?
Kuota e Bejtes i takonte Bajram Begajt, kështu që vetëm Begaj mund ta niste procedurën, ndaj krimbi i drurit rrethoi Presidencën.
Konstatimi i afatit të mandatit sipas mënyrës se si Kuvendi kishte llogaritur mandatin e Holta Zaçajt, ishte i qartë nëse llogaritej kohëzgjatja 9-vjeçare. Sonila Bejtës i mbaronte mandati në 2029.
Presidenti nuk u ngut, por iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke i kërkuar asaj që të përcaktonte të gjitha kohëzgjatjet. Presidenti i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që të vërente vendimmarrjen e vet në rastin e Holta Zaçajt duke shkruar drejtpërdrejtë në ankimim se “një interpretim i ndryshëm në rastin “Bejtja”, do të thoshte që Gjykata Kushtetuese kishte shkelur Kushtetutën kur kishte ndërprerë mandatin e zonjës Zaçaj”.
Jo rastësisht kjo kërkesë e Begajt mori mbi 8 muaj që të futej për shqyrtim paraprak.
Dhe fakirët në Gjykatën Kushtetuese prenë të gjithë nga një thelë mullaqesh, për të siguruar mullaqet e Sokol Sadushit.
Sot në Gjykatën Kushtetuese ka mbetur ende pezull betimi i Asim Vokshit, i përzgjedhur nga Sokol Sadushi deri nëpërmjet falsifikimit të akteve si fitues i një gare ku fituese ishte qartësisht Naureda Llagami. Sokol Sadushi iu drejtua me presion publik Gjykatës Administrative, që do të shqyrtonte falsifikimin e tij. Dhe presioni pati efekt!
Çështja tani mbetet të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese, ku prova e forcës tashmë nuk mund të fshihet pas interesave për Veliajn, pasi përplasja është ballore Rama-Sadushi.
Sokol Sadushi ka qenë konsulenti i vetëm i besuar i Erion Veliajt. Është ai që orientoi Veliajn drejt ankimimit në Kushtetuese. E orientoi të shkonte atje ku Sadushi kontrollonte votën.
Emrat e avokatëve ndërroheshin shpesh pikërisht sepse nuk pranonin që urdhrat t’i merrnin nga Sadushi.
Avokatucët e tjerë që lëshoheshin ekraneve, promovoheshim nga Sadushi. Në këmbim fitonin klientelë, por edhe mirënjohjen e njeriut që ka në dorë dosje klientësh të tyre.
Për dijeni, Sokol Sadushi mbyll pa shqyrtim gati 85 për qind të dosjeve që mbërrijnë në Gjykatën e Lartë. Kësisoj, ai vetë personalisht zgjedh jo vetëm se cilat çështje meritojnë vëmendjen e Gjykatës, por edhe se “cilët avokatë bëjnë punë më të mirë”. Tek ata duhet kërkuar këshilla juridike kur bëhet fjalë për Gjykatën e Lartë. Ndryshe çështja mbyllet për punë të dobët të avokatit!
Sot ka një garë mes avokatëve për ta merituar të qenit i denjë për Sokol Sadushin.
Kjo garë u shfaq edhe në daljet në mbrojtje të Erion Veliajt.
Është e thjeshtë të kuptosh që Sokol Sadushi, nëse arrin t’i shpëtojë burgut për ndikimet e paligjshme, që po ushtron në gjithë sistemin gjyqësor, do të bëhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Anëtarët e asaj gjykate po i zgjedh vetë, që të përzgjidhet kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Në ditët përpara vendimit për ankimimin e Veliajt, Ramës i thoshin me dhjetëra që votimi do të ndahet 4 me 4. Kështu çështja mbyllej pa vendim dhe Veliaj nuk merrte atë që po kërkonte.
Meqë për Veliajn u siguruan 5 vota pro, formula 4 me 4 do t’i mbetet Naureda Llagamit. Dhe Asim Vokshi do të ngjisë shkallët e Gjykatës Kushtetuese. I vetmi që për momentin i ka shpëtuar therjes në mullaqe për mandatin që ai e beson si 9-vjeçar. Sadushi nuk i thotë të gjitha që në fillim./ CNA/







